Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, në Shkodër u prezantua ekspozita dokumentuese “Arkitektura popullore përgjatë pellgut liqenor të Shkodrës”, një nismë që përmes vizatimeve arkitektonike dhe fotografive sjell në vëmendje pasurinë e arkitekturës tradicionale të trevave përreth liqenit të Shkodrës.
Ekspozita, e realizuar në bashkëpunim mes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Shkodër dhe arkitektit e studiuesit nga Ulqini, Korab Kraja, bashkon në një hapësirë të vetme dy treva të lidhura prej shekujsh përmes historisë, kulturës dhe marrëdhënieve ekonomike: Krajën në Malin e Zi dhe trevën e Mbishkodrës në Shqipëri.
Përtej kufirit shtetëror që sot i ndanë këto territore, arkitektura tradicionale dëshmon një hapësirë të përbashkët kulturore, ku mënyra e ndërtimit, materialet, organizimi i banesave dhe përshtatja me terrenin kanë krijuar tipare të ngjashme dhe një identitet të veçantë të qytetarëve që jetojnë rreth liqenit.
Përmes kësaj ekspozite, Korab Kraja ka zgjedhur një formë të veçantë për të dokumentuar këtë trashëgimi dhe për të rikthyer vëmendjen te ndërtesat tradicionale që në shumë raste kanë mbetur jashtë kujdesit institucional.
“Qëllimi është të japim edhe një kontribut në vlerat dokumentuese, të cilat dëshmojnë vlera ndërtimore, historike dhe kulturore. Në fakt, treva e Krajës dhe treva e Mbishkodrës kanë pasur marrëdhënie të hershme ekonomike, kulturore dhe historike me Shkodrën”, shprehet Kraja.
Liqeni i Shkodrës nuk ka qenë vetëm një hapësirë që ndan territore. Për shekuj me radhë ai ka shërbyer si një hapësirë komunikimi dhe shkëmbimi ndërmjet banorëve që jetonin në brigjet e tij.
Kraja dhe trevat e Mbishkodrës kanë qenë të lidhura me Shkodrën përmes lëvizjeve të njerëzve, tregtisë, marrëdhënieve familjare dhe shkëmbimeve kulturore. Këto lidhje kanë lënë gjurmë edhe në mënyrën e ndërtimit dhe në arkitekturën e banesave tradicionale.
Ekspozita i vendos këto elemente në një kontekst të përbashkët, duke treguar se trashëgimia arkitekturore nuk mund të shihet gjithmonë vetëm brenda kufijve të sotëm administrativë apo shtetërorë.
Vizatimet dhe fotografitë e ekspozuara sjellin pamje të banesave dhe ndërtimeve tradicionale të Krajës, Mbishkodrës dhe zonave të tjera përreth pellgut liqenor, duke dokumentuar gjurmët e mjeshtërisë së ndërtuesve vendas.
Këto objekte nuk janë vetëm ndërtesa të vjetra. Ato dëshmojnë mënyrën se si komunitetet kanë jetuar, kanë organizuar familjen dhe jetën shoqërore, si dhe mënyrën se si janë përshtatur me klimën, terrenin dhe materialet që ofronte zona.
Për Korab Krajën, dokumentimi është vetëm hapi i parë. Ai ngre shqetësimin se një pjesë e kësaj arkitekture tradicionale po humbet dhe se institucionet duhet të tregojnë më shumë kujdes për ruajtjen e saj.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtesa, por për vlera identitare, historike dhe kulturore. Shteti dhe institucionet duhet të kujdesen më shumë për këto vlera, sepse nëse ato zhduken, humbet edhe një pjesë e kujtesës sonë”, thekson Kraja.
Në këtë kuptim, banesat tradicionale të Krajës dhe Mbishkodrës bëhen pjesë e një rrëfimi më të gjerë për historinë e popullsive që kanë jetuar rreth liqenit dhe kanë ndarë përvoja, tradita dhe mënyra jetese.
Përmes dokumentimit të kësaj trashëgimie, ekspozita ngre njëkohësisht edhe një pyetje për të ardhmen: çfarë do të mbetet nga kjo arkitekturë nëse ajo nuk dokumentohet dhe nuk ruhet?
Kjo është edhe një nga arsyet pse nisma e arkitektit Korab Kraja merr një rëndësi të veçantë. Në një kohë kur shumë ndërtime tradicionale po ndryshojnë, dëmtohen ose zhduken, dokumentimi i tyre shërben si dëshmi për brezat e ardhshëm.
Ekspozita në Shkodër sjell kështu jo vetëm fotografi dhe vizatime të ndërtesave të vjetra, por edhe një histori marrëdhëniesh mes dy trevave. Një histori në të cilën liqeni i Shkodrës nuk është vetëm kufi gjeografik, por një hapësirë që i ka lidhur njerëzit, ekonominë, kulturën dhe mënyrën e jetesës.
Nëpërmjet arkitekturës, Kraja dhe Mbishkodra shfaqen si pjesë të një mozaiku të përbashkët kulturor, ndërsa ekspozita shërben si një thirrje për ta njohur, dokumentuar dhe mbrojtur këtë pasuri përpara se shumë prej gjurmëve të saj të humbasin.
Dafina Teliqi – Rexha
