
Në shumësinë dhe në mbingarkesën e informacionit, medieve, autorëve, librave, është sprovë edhe të shkruash edhe të përzgjedhësh. Vetëm më të mirët arrijnë edhe njërën edhe tjetrën. Të tjerë kontribuojnë në krijimin e shumësisë, derisa ajo i bën të pazëshëm. Në të njëjtën kohë, shumësia është si medalja. Me dy anët e saj na mundëson të krahasojmë dhe përmes krahasimit të dallojmë, të veçojmë, të zgjedhim e të përzgjedhim.
Në rastin e botimeve, në çfarëdo formati për gazetarinë, parimet e profesionit, realitetet e reja që krijojnë rrjete e medie që shumohen çdo ditë, libri i Fahri Musliut “Gazetaria dhe Etika – Sfidat profesionale në kohën e rrjeteve sociale dhe të inteligjencës artificiale”, nga Botimet “Altera”, dallohet lehtë dhe e zë natyrshëm atë vendin e nderuar që ruhet për medalistët. Ai nuk kontribuon në krijimin e shumësisë, derisa nga vorbulla e saj ngrihet me cilësinë që sjell për lexuesit, nga të dyja anët e medaljes: qytetarë dhe gazetarë. Për të dy palët ai shtjellon me mjeshtëri dy çështjet thelbësore, të ndërlidhura dhe kushtëzuese për njëra-tjetrën, apo ashtu siç i përshkruan autori: “mund të thuhet se Gazetaria dhe Etika janë si Trupi dhe Shpirti, njëra pa tjetrën nuk mund të jetojnë”.
Gazetaria
Autori fillon me gazetarinë dhe në pjesën e parë ofron kornizat për profesionin që nga përvoja jetësore dhe sfondi i njohurive të thelluara, e përshkruan me thjeshtësi: “profesion kompleks”. Nga një faqe në tjetrën, me lehtësi, lexuesit marrin njohuri për aspekte si: gazetaria – aktivitet shërbimi, si të bëheni gazetar i mirë, elementet dhe standardet e gazetarisë, shtypin e verdhë, gazetarinë online e deri te zhanret kryesore si lajmi, raporti, reportazhi etj. Në faqet e fundit të kësaj pjese, autori godet edhe në dukurinë që fatkeqësisht po përvijohet si shqetësim i madh për botën e medieve: dezinformimi. Si njohës i madh i realiteteve dhe ndikimeve të tyre mbi njerëzit, autori shtjellon historikun e kësaj dukurie, duke na treguar se për të kuptuar dhe interpretuar çfarëdo qoftë, duhet të dini prej nga vjen dhe nëse vërtet është diçka e re, apo vetëm na vjen në një formë të re.
Ky historik i hap rrugën lexuesit dhe e tërheqë atë, në pjesën e dytë të librit, përkatësisht atë për historinë e shtypit. Aty, autori shndërrohet në rrëfimtarin e transformimeve të mëdha të medias së shtypur, nga fillimi deri në ditët e sotme. Musliu ndërthur me mjeshtëri njohuritë për historinë e shtypit në botë dhe atij shqiptar, si tërësi dhe si kategori të veçanta të medieve masive dhe fuqisë së tyre, i emërtuar ndërkombëtarisht si “pushtet i katërt”.
Etika
Pjesën e tretë, përkatësisht atë për etikën profesionale, autori e fillon me një pyetje të madhe, të rëndë, më të rëndësishmen, por që ai me gjuhën dhe stilin që thjeshtëzon edhe gjërat më komplekse dhe modestinë e të mëdhenjve na e sjell si mendim personal. Ai pyet: a mund të ketë etikë të medieve në vende ku as politika, as ekonomia dhe as veprimtaritë e tjera shoqërore nuk bazohen në etikë, moral apo përgjegjësi? Edhe për këtë, njësoj si për çdo çështje të shtjelluar në libër, ai ofron përgjigje duke e trajtuar në kontekst. Ai ndërthur aspektin teorik, duke shkuar nga e përgjithshmja kah e veçanta, nga nocionet te profesioni dhe duke ofruar zgjidhjet, bazuar në studiues dhe praktika profesionale. Mjeshtëria e ndërthurjes e bën librin lehtësisht të lexueshëm dhe të kuptueshëm për cilindo lexues.
Ky është libër i shkruar natyrshëm nga një gazetar i sprovuar jo vetëm në kategori të ndryshme të medieve, por edhe në kohë të ndryshme. Çdo fjali në të, çdo vlerësim dhe këndvështrim aty, është i sprovuar nga ditë/netët e gjata të “zanatit të bukës me nëntë kore” – siç e ka përshkruar edhe për mua në kopjen dhuratë me të cilën më ka nderuar. Fahri Musliu nuk e kursen veten që dijen, njohjen, qasjen, ndaj profesionit, parimeve, medieve, por edhe dukurive shqetësuese, t’i ndajë me ne të tjerët, pjesëtarët e kësaj bote të mediatizuar, qofshim audienca, qofshim pjesëtarë të komunitetit të gazetarëve, qofshim studiues, apo thjesht ata që kërkojnë një libër të mirë që ndihmon të thellohemi dhe zgjerojmë njohuritë, në kohët e shpejtësisë marramendëse të informacioneve pafund. Aq më tepër të kohës kur rrjete në internet janë shndërruar në medie të fuqishme, që kategorizohen si sociale dhe që në shumë raste bëhen burimi kryesor i informacionit. Duke e njohur dhe pranuar këtë rëndësi, autori fokusohet në disa prej tyre ashtu si edhe dukuritë që ato kanë krijuar.
Facebook-u definohet si fenomen kulturologjik dhe komunikues, derisa etika në rrjetet sociale, gjuha e urrejtjes në internet, gazetaria e klikimeve, lajmet e “rreme” dhe dezinformatat në mediet online në Kosovës shtjellohen si çështje të veçanta në kapitullin e katërt. Me përgjegjësinë profesionale, autori e kapërcen pragun e përshkrimeve apo tablosë që del nga studimet për dukuritë nga realitetet e reja globale mediatike, duke ofruar edhe këshilla praktike për gazetarët, të cilëve iu nevojitet të përshtatin të bërit gazetari dhe të ripërcaktojnë parimet etike.
Kryefjala
Dhe, është pikërisht etika që del si çështja kryesore e këtij libri. Me gjuhën dhe në strukturën e punimeve shkencore, atë do ta cilësonim kryefjalën e këtij studimi. Autori i jep vendin e merituar në kohët e turbullta për rënien e saj. Libri shndërrohet në tërheqje të fuqishme të vëmendjes për rëndësinë e rikthimit te parimet etike.
Në të njëjtën kohë, ai e ndihmon lexuesin duke i ofruar edhe dy pjesë të tjera. Me modesti, autori i ka cilësuar shtojca, por në fakt ato janë kontribut i jashtëzakonshëm dhe përbëjnë dy pjesë me vlerë të madhe nga ky libër. Libri “Etika e informimit”, e autorit francez Daniel Korny, na sillet e përkthyer nga autori Fahri Musliu, duke i ndihmuar lexuesit që ta zgjerojnë kontekstin e njohjeve teorike për etikën. Në shtojcën e dytë, ndihmesa është po aq e rëndësishme. Aty janë dokumente të rëndësishme ndërkombëtare që lidhen drejtpërdrejt me fushëveprimtarinë e gazetarëve si dhe kodet etike të shoqatave dhe të dy medieve publike.
Në mënyrë të përmbledhur, autori ofron mundësinë për lexuesit që të marrin njohuri të thelluara, pavarësisht nëse janë njerëz të profesionit apo nëse janë audienca. Ky libër i kthen ata të cilët e ushtrojnë profesionin e gazetarit te parimet kryesore, që në fakt janë vlerat e të bërit gazetari të mirë. Për audiencat, libri është mundësi e madhe njohjeje që ndihmon ngritjen e vetëdijes dhe vlerësimit kritik për përmbajtjet mediatike.
Në tërësi, i lehtë për t’u lexuar dhe për t’u kuptuar, por edhe i veçantë në faqosje, ky është botim që na dëshmon se sa e dashur dhe madhështore mbetet bota e librit në letër, edhe në periudhën e leximeve nga ekranet e epokës së rrjeteve.
