
Rrëfimi 1: Dita e kobshme – peshkatarët i përpiu deti
Karaman Tafa ishte një kohë të gjatë rojtar i Adës, gjegjësisht derisa u ndërtua kompleksi nudist. Ishte njohës i mirë i Bunës, detit, peshkimit. Gjithashtu edhe djemtë e tij.
Atë ditë dy djemtë e Karamanit me sandall kaluan grykën e Bunës dhe dolën det. Pak më përpara, babai Karamani u tha se është më mirë të mos shkonin atë ditë në gjonjë (peshkim), sepse moti nuk është për këtë. Por ata nuk e dëgjuan.
Peshkatarët e rinj dolën nja 200 metra në detin e hapur, mbi Plazhin e Madh, në anën e Ulqinit. Filluan t’i hedhin rrjetat. Por menjëherë moti u përkeqësua aq shumë sa nuk shihej asgjë! Erë, shi, tallaza të mëdhenj.
Gano Ustabeqiri ishte fotograf dhe peshkatar. Shtëpia e tij ishte 100 metra larg plazhit. Më vonë ka thënë se atë ditë ka qenë në afërsi të grykës së Bunës, por nuk guxoi të dilte në peshkim.
“Moti u përkeqësua para syve të mi. Ishte sandalli me dy peshkaxhi në det. Një tallaz i madh e kapërdiu sandallin”.
Pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, i kërkuan djemtë e rinj të cilët i kishte përpi deti. Kishin humbur, siç themi ne, “pa nam, pa nishan”.
Rrëfimi 2: Ana nuk u gjet
Caf Ishmaku ishte detar, peshkatar në Ranë. Në moshën rinore punonte me një barkë, e cila lundronte deri në Dalmaci. Atje, në një vend të vogël, u njoh me Anën. Ranë menjëherë në dashuri. Ana u kthye me Cafin dhe u bë gruaja e tij në Ulqin.
Ana dhe Cafi kanë pasur një vajzë dhe tre djem. Ana ishte e besimit katolik, por është bërë pjesë e familjes së Caf Ishmakut pa kurrfarë paragjykimi.
Ishte natë e errët, deti i trazuar. Furtunë e madhe. Kur zbardhi drita, Ana nuk ishte në shtëpi. E kërkuan. Kur ra deti, e kërkuan gjithë bregdetin, në të dyja anët e Ulqinit. Shkuan për ta kërkuar deri në vendlindjen e saj, në Dalmaci. Por Ana nuk u gjet.
Rrëfimi 3: Lulet në Molin e Madh
Antonie Beko Koçoviqi jetonte në Ranë, në afërsi të plazhit. Ka pasur një vajzë dhe tre djem.
Djali i dytë, Momo Momçillo Koçoviq, fillimisht punonte si zanatçi në Ulqin. Më pas filloi të lundronte në vaporë të kompanive të huaja.
Në ditën e mbytjes, në Detin Egje frynte furtunë e madhe. Vapori ku ishte edhe Momo Koçoviqi, e humbi kompasin. Valët e mëdha e përplasën në shkëmbinj. Vapori u nda në dy copa. Shumica e detarëve në vaporin ku ishte edhe Momo Koçoviqi humbën dhe nuk u gjetën kurrë.
Në Ulqin u hap shpejt lajmi. Pas tri ditësh u bë përcjellja simbolike e Momo Koçoviqit. Kolona e të afërmve dhe e qytetarëve shkuan deri në Molin e Madh, ku hodhën një tufë me lule.
Për fund, “deti është padishah në veti” kanë thënë gjemxhitë – detarët e vjetër.
