
Ka një të vërtetë melankolike në fatin e popujve që, të shtyrë nga stuhitë e historisë, braktisin tokën e tyre për të mos u kthyer më. Por ata që nuk ikën kurrë plotësisht janë pikërisht Arbëreshët e Zarës, kryevepra e një dashurie të pamohueshme për origjinën. Çdo fjalë e ruajtur nën qiellin e huaj, çdo emër e zakon që i mbijetoi kohës, është një monument i gjallë i asaj dhimbjeje që nuk u shua kurrë, burim i një krenarie të pashuar. U nisën si një psherëtimë lotësh nga brigjet e liqenit të Shkodrës, nga fshatrat e Krajës – nga Brisku, Ljarja e Shestani – treqind vjet më parë, duke marrë me vete, bashkë me pak plaçka shtëpie, edhe një atdhe të tërë të padukshëm, atë thesarin më të çmuar – gjuhën e nënës, këngët e dasmave, kujtesën, një kod gjenetik të pathyeshëm dhe dhimbjen e lamtumirës nga vendlindja e tyre.
Sot, pas tre shekujsh nostalgjie të mbytur në dhembje e dallgë, ky përvjetor nuk është thjesht një kujtesë kronologjike – është triumfi filozofik i dashurisë mbi harresën, dëshmia se si një fije e hollë shpirti shqiptar mund të lëshojë rrënjë të thella në gurët e dheut të huaj, duke e kthyer mallin në përjetësi.
Kur u vendosën në atë që sot njihet si lagjja Arbanasi, ata ishin thjesht të huaj në një tokë të re. Megjithatë, si ato farërat që era i shpërndanë gjithandej, arbëreshët e Zarës nuk u tretën. Ata shkruan një histori epike, jo me ngjyrë, por me hapa e lot mbi shkëmb. Nën trysninë e perandorive që ndërroheshin dhe rrezikut të vazhdueshëm të asimilimit, ky komunitet i vogël bëri një mrekulli të vërtetë: mbijetoi duke u kthyer në protagonist të historisë. Nga kjo lagje bregdetare, ku gjuha u ruajt si një gegërishte e lashtë, e ëmbël dhe me atë theksin e ndier buzukian nën dritën e qirinjve dhe zhurmën e tezgjahut mitik, dolën mendje të ndritura që ndryshuan faqen e shkencës, artit dhe sportit në Kroaci e më gjerë.
Si mundet që një ngulim kaq i vogël të lindte korife të arkeologjisë botërore, dinasti të mëdha të muzikës klasike, shkrimtarë që shkruan drama në gjuhën e nënës dhe kampionë që pushtuan majat e botës?
Ky shkrim është një udhëtim i shkurtër i vogëlsisë sime nëpër gjurmët e këtyre gjigantëve, sepse për secilin prej tyre mund të shkruhet një libër monografik i veçantë studimi. Është një homazh për ata djem e vajza të Zarës që, ndonëse u rritën me pamje nga Deti Adriatik, ruajtën në shpirt jehonën e maleve të të parëve. Ky nuk është thjesht një listim emrash – është një partiturë muzikore e shkruar nga dinastitë e tyre, një hartë arkeologjike e vizatuar nga dijetarët dhe një garë e fituar nga kampionët e tyre. Është historia e një gjaku që nuk u bë kurrë ujë, por u shndërrua në dritë, art dhe frymëzim.
Gjenetika e arbëreshit ka një marrëdhënie mistike metonimike me qëndrueshmërinë. Përtej aspektit të konservimit identitar, vlerat e vërteta të këtij mikro-komuniteti shfaqen në kontributin e tyre disproporcionalisht të lartë në formësimin e elitës intelektuale, shkencore dhe sportive të Kroacisë dhe hapësirës mbarëshqiptare, duke e kthyer periferinë gjeografike në një qendër të rëndësishme të prodhimit shpirtëror. Në këtë panteon të shkencës dhe gjuhës shkëlqen i primi Prof. Dr. Aleksandër Stipçeviq (1930-2015), korifeu i ilirologjisë dhe albanologjisë me famë botërore. I diplomuar në Universitetin e Zagrebit (1954), vepra e tij kapitale, “Ilirët” (1974), mbetet një nga studimet më autoritare ndërkombëtare. Si albanolog, ai mbrojti shkencërisht tezën e autoktonisë dhe prejardhjes direkte të shqiptarëve nga ilirët, duke shërbyer si profesor në Zagreb e Prishtinë dhe si anëtar i rregullt i ASHAK-ut.
Pranë tij qëndron arkitekti i mendimit, Dr. Kruno Kërstiq (1905-1987), leksikograf, filozof dhe psikolog, i cili në vitin 1937 doktoroi në psikologji duke vërtetuar se ky term u përdor për herë të parë nga humanisti Marko Maruliq në shekullin XVI. Kontributi i tij gjuhësor mbi dialektin e Arbanasit mbetet monumental, krahas punës së tij si redaktor kryesor në Institutin Leksikografik në Zagreb.
Këtë trashëgimi të kërkimit paleografik në shkallë evropiane e pasuron sot Akademik Ennio Stipçeviq (i lindur më 1959), muzikolog dhe anëtar i rregullt i Akademisë Kroate, i cili si autoritet i muzikës së rilindjes dhe barokut kreu kërkime të çmuara në Universitetin e Jeilit (Yale), përfshirë edhe zbulimet mbi operën e famshme “Scanderbeg” të Antonio Vivaldit (1718).
Nëse shkenca i dha këtij gjaku status ndërkombëtar, familja Deshpali përfaqëson një nga dinastitë më gjeniale të muzikës klasike në kulturën artistike kroate. Shime Deshpali (1897-1981), patriarku i kësaj familjeje, kompozitor dhe pedagog, u kthye në Zarë pas Luftës së Dytë Botërore për të ngritur institucionet muzikore nga gërmadhat; vepra e tij orkestrale “Moba” hapi edicionin e parë të Mbrëmjeve Muzikore në Shën Donat (1961), ndërsa poezitë e tij mbrojtën shpirtërisht të folmen arbëreshe.
Biri i tij, Akademik Pavle Deshpali (1934-2021), dirigjent dhe kompozitor me famë globale e anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë, themeloi Orkestrën e Dhomës në Zarë dhe la gjurmë të pashlyeshme për më shumë se një dekadë si drejtor muzikor i Orkestrës Simfonike të Floridës dhe Operës në Orlando.
Gjenialiteti i familjes u përmbush me vëllain e tij, Valter Deshpali (1947-2023), violonçelist virtuoz i shkolluar në The Juilliard School në Nju Jork dhe në Konservatorin Çajkovski në Moskë, i cili pushtoi sallat më elitare në Nju Jork dhe Londër, përpara se të kthehej si profesor në Zagreb dhe të themelonte ansamblin “Cellomania”.
Aty ku muzika klasike vizatonte harqe universale, letërsia dhe dramaturgjia ishin ato që mbajtën gjallë shpirtin e shtëpisë përmes idiomës së tyre unike. Josip Vlladoviq Rela (1895-1966), themeluesi i dramaturgjisë shqiptare në ish-Jugosllavi, krijoi kryeveprën “Nita”, duke trajtuar letrarisht traditën e lashtë të burrneshave, ndërsa drama e tij “Martesa” (1952) pasqyroi dasmat dhe konfliktet sociale në lagje rreth vitit 1890, duke u bërë vepra e parë letrare e botuar direkt në të folmen arbëreshe të Zarës.
Këtij realizmi jetësor i dha përmasa epike Augustin Stipçeviq (1912-1999), i cili përmes një sage prej katër romanesh të gjatë i ngriti një monument letrar vuajtjeve, luftërave sociale dhe mbijetesës së familjeve arbëreshe nën sundimet e huaja.
Sot, kjo gardë e identitetit arbëresh përfaqësohet nga Dr. sc. Maksimiljana Barançiq, profesoreshë universiteti, ndoshta emri më i rëndësishëm i ditëve të sotme për ruajtjen e trashëgimisë. Si autore e “Abetares së parë arbëreshe”, ajo luan një rol kyç në epokën moderne duke mbledhur tregimet e vjetra, duke botuar fjalorë, metodika mësimore dhe duke drejtuar vënien në skenë të dramave të Relës me brezat e rinj.
Nga kjo vatër e fjalës së shkruar, muzika e lehtë u bë ura tjetër e madhe që lidhi shpirtin arbëresh me çdo shtëpi kroate e ballkanike, duke i kthyer këta artistë në simbole kombëtare që pohuan gjithmonë me krenari prejardhjen e tyre. Tomisllav Ivçiq (1953-1993), këngëtar dhe kompozitor i dalë nga familja Kotllar, shkroi mbi 200 këngë të pavdekshme si “Večeras je naša fešta” dhe “Kalelarga”, si dhe himnin ndërkombëtar “Stop the War in Croatia” (1991), i cili në ekranet e BBC dhe CNN ndihmoi në ndërkombëtarizimin e krizës dhe njohjen e pavarësisë së Kroacisë.
Pranë tij, Mlladen Grdoviq (i lindur më 1958), i njohur si ‘mbreti i festave dalmate’ me rrënjë të pastra nga lagjja Arbanasi, shkriu në këngët “Nije u šoldima sve” dhe “Tu je moj dom” dashurinë për detin e Dalmacisë dhe tokën e të parëve, ashtu si Bepo Mateshiq (i lindur më 1952), tenori legjendar i muzikës popullore dalmate, zëri i pastër dhe i kristaltë i të cilit la gjurmë në kryeveprën “Samo more to zna”.
Nëse fushat e tjera dokumentuan historinë ose përcollën melodinë, arti skenik dhe televizioni i dhanë këtij komuniteti imazh, shprehi dhe zë vizual përmes aktrimit, skenografisë dhe teatrit të kukullave – një traditë jashtëzakonisht e fuqishme në Zarë, ku artistët me origjinë arbëreshe u bënë pjesë e përditshmërisë së artdashësve në të gjithë rajonin. Kjo frymë artistike mori formë falë Tamara Sholetiqit (e lindur më 1965), aktore teatri dhe televizioni nga familja e njohur Sholetiq, e cila për 35 vite me radhë shkëlqeu në Teatrin e Kukullave në Zarë dhe mbeti në kujtesën e gjerë me rolin ikonik të Liljana “Lili” Ferdiq në serialin humoristik “Zauvijek susjedi” (2007).
Po ashtu, Milena Dundov (e lindur më 1948), si aktore, regjisore dhe skenografe nga familja Dundov, i dha jetë teatrit amator duke bërë regjinë e pjesëve të shkruara direkt në dialekt, duke i falur gjuhës së vjetër plasticitet në skenë, ndërsa Bernard Kotllar (i lindur më 1958), regjisor dhe autor dokumentarësh, kontribuoi për dekada në disenjimin multimedial dhe dokumentimin e historisë, kulturës dhe personaliteteve të Arbanasit në televizionin kombëtar kroat.
Por sporti ishte fusha ku shpërtheu gjenetika arbëreshe me tërë forcën e saj natyrale – në qëndrueshmëri, shpejtësi dhe dëshirë të pashuar për triumf, duke pasur gjithmonë një lidhje mistike me parketin, fushën e gjelbër, biçikletën apo ujërat e Adriatikut. Josip “Pino” Gjergja (i lindur më 1937), legjenda e basketbollit evropian nga familja Gjergja dhe kapiten i Klubit të Basketbollit “Zadar”, formoi një dyshe magjike që fitoi pesë tituj kampionë të ish-Jugosllavisë, krahas dy medaljeve të argjendta në kampionatet botërore. Në vitin 1994, si kryetrajner, ai e udhëhoqi Kroacinë drejt medaljes së bronztë në Botërorin e Kanadasë, duke mbetur i nominuar i përhershëm në shtëpinë e të famshmëve të basketbollit në Masaçusets. Në futboll, Josip “Bepo” Bajlo (1939-2025) u bë ikona e futbollit të Zarës dhe zbuluesi i talenteve të mëdha botërore si Lluka Modriq, i nderuar me çmimin “Trofej podmlatka” nga Federata Kroate e Futbollit.
Familja Bajlo preku edhe majat olimpike përmes trajnerit të mirënjohur Romano Bajlo, i cili bashkë me të vëllain arriti majat e suksesit duke përfaqësuar shtetin në Lojërat Olimpike të Mynihut (1972) në disiplinën elitare të kanotazhit me tetë garues.
Po ashtu, rrugët e Zarës i dominoi Shime Bajlo “Shojin” (1922-2008), pionier i çiklizmit dhe kampion i shumëfishtë, duke vërtetuar thënien e lashtë të lagjes se “Arbëreshët njihen nga biçikleta”, si mentor i brezave të rinj, si i kampionit Dominik Petani.
Këtë stafetë sot, në epokën e re, e përcjell sulmuesi i lindur në Zarë, Ivan Prtajin (i lindur më 1996), i cili pas hapave të parë në klubin historik KF “Arbanasi” dhe “Hajduk” të Splitit, sot mbron ngjyrat e klubit Kaiserslautern në Bundesligën e dytë gjermane.
Kur kthen kokën pas nëpër rrugicat e lagjes Arbanasi në Zarë, kupton se historia nuk është thjesht një kronikë e së shkuarës, por një frymëmarrje e gjallë që vazhdon. Ajo që nisi në vitin 1726 si një marshim i dhimbshëm shpërnguljeje, i udhëhequr nga dëshpërimi dhe shpresa, u shndërrua përgjatë tre shekujve në një nga mrekullitë më magjepsëse etnokulturore të hapësirës së Adriatikut. Arbëreshët e Zarës nuk zgjodhën thjesht të mbijetonin në periferi të kohës, por ata zgjodhën të shkëlqenin. Ata e çanë shkëmbin e harresës me forcën e talentit, me mprehtësinë e mendjes dhe me pasionin e shpirtit.
Sot, ndërsa bota nxiton drejt një globalizimi që shpesh i fshin identitetet, historia e tyre qëndron si një monument i gjallë i asaj që njeriu mund të ruajë kur nuk harron kush është. Ata mbetën përherë besnikë ndaj dy ideve: u bënë qytetarë shembullorë dhe elita e atdheut të tyre të ri, Kroacisë, duke mbajtur gjallë rrënjën e lashtë që i lidhte me malet e Krajës; dhe dëshmuan se gjuha e nënës mund të përpëlitet në stuhitë e shekujve, por nuk vdes nëse ajo këndohet, shkruhet dhe jetohet me krenari.
Kjo sagë nuk ka përfunduar; ajo vazhdon në çdo fëmijë që nis të vrapojë, në çdo varg të dramës “Nita” që vihet në skenë dhe në çdo pëshpëritje të asaj gegërishteje të lashtë buzukiane që ende thyhet mbi dallgët e Zarës dhe në shkollën e Dr. sc. Maksimiljana Barançiqit. Sepse këta janë Arbëreshët e Zarës – njerëzit që bënë historinë, duke mbetur përherë vetvetja.
Po Kraja? Kraja sot, fatkeqësisht, i përngjet një djepi të zbrazur që pikëlon vetmi nën qiellin e hirtë. Shumë shtëpi të mbetura pa zot sot ngjajnë me varre të hapura, ku era përplas dyert e kalbura që askush nuk i hap më. Vatra të ftohta, kopshte të mbuluara nga ferrat dhe rrugë ku nuk dëgjohet më asnjë hap fëmije. Kjo zezonë e heshtur gllabëroi në vazhdimësi gjithçka, duke kthyer fshatra të tërë në hije të një të kaluare që po jep shpirt. Shpërngulja e djemve dhe vajzave la pas vetëm pleq që po vdesin me sy andej nga rruga e ikjes dhe me mall në zemër. Gurët e lashtë të këtyre trojeve sot qajnë me lot-gjak për bijtë dhe bijat e ikur nëpër botë. Çdo shtëpi e braktisur është një epitaf i gjallë për një histori që po shuhet përgjithmonë.
Ky nuk është thjesht shpopullim, por një vajtim i gjatë e pa zë për një krahinë që po vdes në këmbë. Por i vetmi ngushëllim për fshatrat e heshtura mbetet shpresa se për sa kohë që do të ketë njerëz si arbëreshët që e ndiejnë këtë dhimbje dhe mbajnë gjallë kujtimin e saj për vendin e të parëve, Kraja nuk do të vdesë kurrë. Shpirti i kësaj krahine shpresojmë të jetojë brenda tyre, në mallin e tyre dhe në historinë që ata e mbajnë në zemër.
Figurat e lartpërmendura mbeten ajo drita që na tregon se gjaku arbëresh nuk humbi nëpër dallgët e historisë, por u kthye në dritë, në shkencë, në art dhe në përjetësi. Ndaj sot, pas 300 vitesh qëndrese, ata jo vetëm që nuk i thonë lamtumirë kësaj toke, kësaj gjuhe dhe këtij amaneti, por i drejtohen historisë, na drejtohen neve dhe brezave që do të vijnë me fjalët e ëmbla të të parëve arbëreshë: “Shihemi prana!” – Do të shihemi përsëri në jetë të jetëve, sa herë që të flitet e të këndohet arbënisht!
(Kumtesa është lexuar në tryezën e rrumbullakët me temë “Arbëneshët e Zarës – e shkuara dhe e tashmja”, mbajtur në Ostros, më 3 gusht 2026)
