(Apo) Si u shndërrua zgjedhja e drejtorëve të shkollave në luftë ndërmjet politikanëve shqiptarë

S’do mend se zgjedhja e drejtoreshës së re në shkollën e mesme në Ulqin përbën edhe një betejë të humbur të politikës shqiptare në Malin e Zi dhe të politikanëve që i përfaqësojnë ata

Ismet Kallaba

Çështja e zgjedhjes së drejtorit të ri në shkollën e mesme në Ulqin ka shkaktuar bujë në opinionin publik. Kjo është shoqëruar me reagime dhe debate të shumta, duke i kaluar caqet e një procesi normal, siç do të duhej të ishte procedura e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave në një vend me demokraci të zhvilluar.
Në fakt, jashtë asaj që na thuhet dhe serviret nga politika zyrtare, zgjedhja e drejtorëve të shkollave është një proces politik në regji (skenar) të politikës në pushtet. Kjo praktikë, që në kohën e pluralizmit politik u instalua nga Partia Demokratike e Socialistëve në pushtet, vazhdon për fat të keq edhe në kohën e pushtetit të ri (pas vitit 2020). Pjesë e kësaj përvoje negative janë bërë edhe partitë politike shqiptare.
Ato kanë hyrë në këtë betejë me kandidatët e tyre të preferuar. Domethënë, kanë pranuar të bëhen pjesë e lojës së pisët politike. Që prej muajsh, në prapaskenë zhvillohej një betejë ndërmjet partive politike shqiptare, gjegjësisht politikanëve shqiptarë (dy rivalëve kryesorë në Qeverinë e Malit të Zi) për drejtorët e shkollave në Ulqin, kryesisht në dy shkolla – të mesmen në Ulqin dhe filloren në Katërkollë. Në këtë betejë ishin përfshirë kryetarë partish, ministra, deputetë etj. Për t’i bërë sa më të besueshme deklaratat e tyre, qoftë për kandidatët e vet, opinionin, por sidomos për palën kundërshtare, nuk munguan madje edhe deklaratat që premtimet e tyre i bazonin në një lloj marrëveshjeje me kryeministrin Millojko Spajiq dhe njohjet personale me ministren e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.
Por kjo luftë ndërmjet tyre iu është kthyer në bumerang! Pasi që e humbën betejën për zgjedhjen e drejtorit në shkollën e mesme, u desh të gjenin një lloj justifikimi për t’u arsyetuar, para së gjithash, para elektoratit të vet. Atëherë gjetën si argument mbrojtjen e gjuhës shqipe (një e drejtë që në fakt u mohohet shqiptarëve, jo vetëm në këtë rast por edhe më herët dhe në vende të tjera).
Dhe pikërisht në emër të gjuhës shqipe filloi një “luftë” tjetër ndërmjet politikanëve shqiptarë për të treguar se kush është më shqiptar dhe kush e do më shumë Ulqinin. Në këtë “luftë” nuk i kursyen as sulmet personale, duke e krahasuar dhe etiketuar njëri-tjetrin me llojlloj epitetesh, madje edhe me politikanë shqiptarë që simbolizojnë tradhtinë dhe shërbëtorin, siç është Rrahman Morina.
Përtej këtij dimensioni politik ndërshqiptar, zgjedhja e drejtorit në shkollën e mesme në Ulqin shpërfaqi edhe disa aspekte të tjera, që lidhen me sistemin arsimor në Mal të Zi, traditën e drejtimit të shkollave në Ulqin, karakterin shumetnik të këtij qyteti etj.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, që vetë i ka shpallur luftë diplomave të lëshuara në mënyrë joligjore në institucione të arsimit të lartë, në disa vende të rajonit, pajis vetë me licenca institucione që nuk kanë të drejtë të lëshojnë certifikata për njohen e gjuhës shqipe. Prandaj, si mund të luftojë kjo ministri kundër diplomave false kur ajo vetë lëshon licenca të dyshimta?! Ajo nuk mund të jetë më një institucion i besueshëm në sytë e qytetarëve dhe publikut.
Në mesin e atyre që reaguan dhe u bënë pjesë e debatit publik, kryesisht në rrjetet sociale, ranë në sy sidomos mbrojtësit e vëllazërim-bashkimit (për ironi, shkolla e mesme në Ulqin mban emrin e tillë) në Ulqin, të cilët u aktivizuan në mbrojtje të zgjedhjes së drejtoreshës së re për të dëshmuar gjoja kozmopolitizmin e tyre. Për të mbrojtur qëndrimin e tyre, ata u shërbyen me të kaluarën kur kjo shkollë ishte drejtuar nga drejtorë me përkatësi kombëtare joshqiptare. Por ata që e krahasojnë me vitet ‘90, jo vetëm që nuk e njohin realitetin, por harrojnë se në atë kohë jetonim në një gjendje të jashtëzakonshme, pjesë e të cilave ishte edhe shkolla e mesme në Ulqin. Pas vitit 1981, arsimi shqip në Malin e Zi ishte në shënjestër të pushtetit, sidomos shkolla e mesme në Ulqin dhe ajo fillore në Katërkollë, ku u aplikuan masat e dhunshme.
Megjithëse në parim, çdo person që i plotëson kushtet ka të drejtë të aplikojë për drejtor dhe nuk mund t’i mohohet e drejta, në fakt, të paktën gjatë 20-30 viteve të fundit ka ekzistuar një rregull i pashkruar lidhur me zgjedhjen e drejtorëve në shkollat e Ulqinit. Me ndonjë përjashtim, edhe pse shkolla fillore “Boshko Strugar” ku mësimi zhvillohet (edhe) në gjuhën shqipe, është drejtuar pothuajse rregullisht nga drejtorë të kombësisë joshqiptare. E njëjta gjë vlen edhe për shkollën e mesme në Ulqin, ku drejtori pothuajse rregullisht ka qenë shqiptar.
Në fund, s’do mend se zgjedhja e drejtoreshës së re në shkollën e mesme në Ulqin përbën edhe një betejë të humbur të politikës shqiptare në Malin e Zi dhe të politikanëve që i përfaqësojnë ata.
Me vizitën e tij në shkollën e mesme, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave de facto e ka legjitimuar zgjedhjen e drejtoreshës së re, prandaj çdo përpjekje në të ardhmen për kontestimin e zgjedhjes së saj për shkak të mosnjohjes së gjuhës shqipe mund të quhet e kotë.
Thënia e urtë popullore se kur grinden dy vetë, përfiton i treti, u vërtetua edhe në këtë rast.

Të fundit

më të lexuarat