Shkakton reagime dhe debate të shumta

Reagimet dhe debatet kanë përçarë jo vetëm politikën dhe personelin arsimor, por edhe komunitetin, në mesin e të cilëve ka pasur të tillë që kanë kritikuar zgjedhjen e një drejtoreshe e cila nuk e flet gjuhën shqipe, që sipas tyre përbën shkelje të ligjit, por edhe të atillë që e kanë mbështetur zgjedhjen e një drejtoreshe nga komuniteti joshqiptar, me arsyetimin se Ulqini është një qytet shumetnik

Zgjedhja e drejtoreshës së re të shkollës së mesme të kombinuar “Vëllazërim-Bashkim”, Snezhana Zhivanoviq, ka shkaktuar reagime dhe debate të ashpra, në radhë të parë ndërmjet përfaqësuesve politikë, por edhe komunitetit shoqëror.
I pari që ka reaguar dhe më i zëshmi ka qenë zëvendëskryeministri dhe ministri për Zhvillim Ekonomik në Qeverinë e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, njëherazi kryetar i Forumit Shqiptar, sipas të cilit zgjedhja e saj tregon për vazhdimin e albanofobisë, kësaj radhe nga vetë institucionet shtetërore.
Ai ka kërkuar zbatimin e ligjit, i cili kërkon njohjen e gjuhës shqipe nga drejtorët e shkollave ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, duke shprehur dyshime se drejtoresha e zgjedhur nuk e njeh gjuhën shqipe.
“Inspektorati dhe prokuroria duhet të verifikojnë veçanërisht dëshminë për njohjen e gjuhës shqipe të kandidates së zgjedhur, për të cilën ka pretendime nga qytetarët e Ulqinit se nuk pasqyron njohjen reale të gjuhës”, ka deklaruar ai.
Në ditët në vazhdim, Gjeloshaj ka bërë publike disa certifikata për njohjen e gjuhës shqipe, të lëshuara nga Fakulteti i Gjuhës Malazeze dhe Instituti i Gjuhëve të Huaja, duke dyshuar në ligjshmërinë e dhënies së tyre.
Gjeloshaj ka kritikuar hapur Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe ministren Prof. dr. Angjella Jakshiq – Stojanoviq, duke thënë se është e papranueshme që drejtor i shkollës në Ulqin të zgjidhet dikush që nuk e flet gjuhën shqipe, gjë që sipas tij, nuk është respektim i multietnicitetit, por provokim institucional dhe shprehje e albanofobisë.
Por nga MASHI janë përgjigjur se zgjedhja e drejtoreshës së shkollës së mesme në Ulqin është bërë në përputhje me ligjin, duke hedhur poshtë akuzat e Gjeloshajt.
Sipas MASHI-t, deklaratat e Gjeloshajt për mosnjohjen e gjuhës shqipe nga drejtoresha Snezhana Zhivanoviq janë të pasakta.
Në deklaratën për media të MASHI-t thuhet se drejtorët e shkollave nuk zgjidhen mbi bazën e përkatësisë politike, nacionale apo ndonjë përkatësie tjetër, por mbi bazën e dijes, kompetencës, përvojës dhe rezultateve të arritura.
Kjo ministri thekson se janë plotësuar të gjitha kriteret dhe parametrat e përcaktuara me ligj dhe se drejtoresha e zgjedhur është renditur e para në testimin e kryer nga komisioni i ngritur nga MASH-i.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i Aleancës Shqiptare, Dr. Ilir Çapuni, i cili ka thënë se të drejtat e pakicave nuk janë kuotë politike, por detyrim ligjor i shtetit.
Sipas tij, emërimi i drejtoreshës së shkollës së mesme të kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” përfaqëson vazhdimin e një politike shqetësuese kadrovike të Qeverisë së Malit të Zi në Ulqin.
Ai mbështet zgjedhjen e drejtorëve në bazë të profesionalizmit, kompetencave dhe rezultateve, por vëren se kjo duhet të bëhet ekskluzivisht përmes një procedure të ligjshme dhe të zbatuar siç duhet.
“Profesionalizmi dhe respektimi i të drejtave të pakicave nuk janë kritere të kundërta – të dyja përfaqësojnë detyrim ligjor”, thuhet në reagimin e Çapunit.
Deputeti i Aleancës Shqiptare ka thënë se fakti nga biografia e kandidates se ajo zotëron gjuhën shqipe në nivelin B2 është relevant, por nuk jep përgjigje për të gjitha çështjet lidhur me ligjshmërinë e procedurës.
“Duhet të theksohet se në bazë të cilit dokumentacion dhe në çfarë mënyre është përcaktuar njohja aktive e gjuhës dhe shkrimit shqip, si dhe a është vlerësuar dhe në çfarë mënyre është vlerësuar mendimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar”, ka deklaruar Çapuni.
Ndërkaq nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi kanë theksuar se ashtu si edhe në të kaluarën, edhe tani nuk është marrë parasysh nga Ministria e Arsimit mendimi i KKSH-së për zgjedhjen e drejtorëve në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, por kjo “kërkohet vetëm si një procedurë formale, për të respektuar dispozitat ligjore. Ndërkohë, drejtuesit e shkollave emërohen nga Ministria sipas kritereve dhe preferencave të përcaktuara prej saj”.
Sipas KKSH-së, në rastin konkret janë anashkaluar dispozitat ligjore në fuqi.
Në deklaratën e saj, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave ka nënvizuar se vlerësimi i njerëzve mbi bazën e emrit, origjinës dhe përkatësisë së tyre kombëtare është i dëmshëm, sidomos kur kjo bëhet nga zyrtarët shtetërorë.
“Përkatësia kombëtare në vetvete nuk mund të jetë arsye as për të qenë i privilegjuar, as për diskriminim. Njëkohësisht, e drejta e komunitetit shqiptar për barazi, përdorim të gjuhës së vet, mbrojtjen e identitetit dhe realizimin e plotë të të drejtave të pakicave duhet të respektohet dhe mbrohet”, kanë deklaruar nga kjo ministri.
Në vazhdim të luftës politike, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj e ka ftuar ministren e MASHI-së, Angjella Jakshiq – Stojanoviq që së bashku të shkojnë në Ulqin për të vërtetuar nëse drejtoresha e re e shkollës së mesme e flet gjuhën shqipe, duke ofruar publikisht dorëheqjen nëse pretendimet e tij dalin të pasakta.
Reagimet dhe debatet kanë përçarë jo vetëm politikën dhe personelin arsimor, por edhe komunitetin, në mesin e të cilëve ka pasur të tillë që kanë kritikuar zgjedhjen e një drejtoreshe e cila nuk e flet gjuhën shqipe, që sipas tyre përbën shkelje të ligjit, por edhe të atillë që e kanë mbështetur zgjedhjen e një drejtoreshe nga komuniteti joshqiptar, me arsyetimin se Ulqini është një qytet shumetnik.
Kjo është hera e parë, pas gati rreth 30 vitesh, që në krye të shkollës së mesme në Ulqin zgjidhet drejtor një profesor joshqiptar.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat