Proskripcioni në arsim

Shtrohet pyetja se si mund të drejtohet një institucion edukativo-arsimor nga një individ i cili punën e bazon në inatet personale dhe pozitën e sheh si mundësi për të fituar autoritet duke ushtruar dhunë psikike, si edhe, në fund të përdorë proskripcionin, në mënyrë që të kënaqë egon dhe të shërojë komplekset e veta?!

Mark Junçaj

Në kohën e Romës antike, në veçanti nga koha e Kornelie Sules dhe më pas, kanë qenë të njohura proskripcionet (lat. proscripturio = përndjekje) ose ndryshe mund ta quajmë edhe lista e zezë. Në këtë rast e kanë pësuar keq të gjithë ata të cilët janë trajtuar si kundërshtarë apo kundërshtarë potencialë.
Kjo praktikë e vendosur para më se dy mijë viteve ka vazhduar gjatë gjithë historisë dhe nuk është çrrënjosur kurrë. Të gjithë sunduesit, në veçanti ata laikë, zhdukjen e atyre që kanë menduar ndryshe e kanë parë si mënyrë për të ruajtur pushtetin, pasi që për ta vetëm ruajtja e fronit kishte rëndësi. Kjo mënyrë e të menduarit të sunduesve ka pasur shumë sukses, sidomos në vendet ballkanike, pasi që, duket se nuk kanë qenë dhe nuk janë në gjendje të pranojnë mendimin ndryshe, si dhe mospajtimin me vendimet e caktuara.
Mirëpo, çka është edhe më keq, kjo praktikë nuk ka qenë karakteristikë vetëm e diktatorëve dhe e sundimtarëve gjakpirës, shpesh edhe me karakteristika psikopatike, por ka depërtuar edhe tek institucionet e ndryshme, duke përfshirë, fatkeqësisht, edhe sistemin edukativo-arsimor. Sistemi edukativo-arsimor duhet të jetë vend ku do të duhet të punojnë dhe drejtojnë vetëm profesionistët dhe jo njerëzit që vuajnë nga komplekset e ndryshme. Mirëpo, një pjesë e njerëzve “të arsimuar”, mediokër, profesionalisht të papërgatitur, përfundojnë ndonjë “fakultet” me sukses që lë hapësirë për të dyshuar, por që u lejon të marrin ndonjë copë letër, që fatkeqësisht quhet diplomë dhe në tregun e lirë e të pakontrolluar nga institucionet kompetente, kalon si ajo diploma e atij që është djersitur të vijë deri tek ajo. Për më keq, shpesh ndodh që këta me atë copë letre (“diplome”) ia zënë vendin atij që e meriton.
Mirëpo, fatkeqësia e shoqërisë shqiptare nuk mbaron me kaq, pasi që të njëjtit kanë edhe ambicie që të bëhen “dikush”, sepse nisen nga mendimi se nëse emërohen në krye të ndonjë institucioni janë bërë një personalitet i rëndësishëm në mjedisin e vet. Për të arritur qëllimin, shpesh janë të gatshëm që të bëjnë tregti të ndryshme, në veçanti me partitë politike, ashtu që pranojnë të bëhen edhe militantë të tyre, me të vetmin qëllim që të realizojnë ëndrrën e tyre shumëvjeçare, e në rastin e institucioneve edukativo-arsimore – të arrijnë deri te kolltuku i drejtorit të shkollës.
Fatkeqësisht, kur arrijnë në postin e shumëdëshiruar, fillojnë larjen e hesapeve me ata, të cilët i konsiderojnë armiq, dhe çka është edhe më keq, shpesh duke u thirrur në njëfarë drejtësie, e cila, gjithçka është por vetëm drejtësi jo.
Duke pasur mbështetjen e partive shqiptare apo të ndonjë partie tjetër, së cilës i shërbejnë si militantë dhe nga të cilët kanë premtimin se “nuk mund t’u bëjë askush asgjë”, atëherë, pasi që nuk kanë vlera morale, duke u thirrur në ligj, të parët e shkelin ligjin herë pas here, çka e dëshmojnë rastet e ndryshme, sidomos inspektimet e shumta dhe rastet gjyqësore, të cilat tregojnë se ligji dhe rregullat janë shkelur nga ai i cili e drejton institucionin. Mirëpo, situata nuk ndryshon pasi që drejtuesi mendon se ka të drejtë, ndër të tjera edhe të shkelë ligjet dhe rregullat e ndryshme, sepse ndoshta i duket vetja si ndonjë perandor apo sulltan, i cili nuk gabon dhe nuk mund të ekzistojë mundësia që e ka shkelur ligjin, por inspektorët dhe gjykatësi kanë gabuar, pasi që vetë drejtuesi thirret në ligj.
Shtrohet pyetja se si mund të drejtohet një institucion edukativo-arsimor nga një individ i cili punën e bazon në inatet personale dhe pozitën e sheh si mundësi për të fituar autoritet duke ushtruar dhunë psikike, si edhe, në fund të përdorë proskripcionin, në mënyrë që të kënaqë egon dhe të shërojë komplekset e veta?!
A thua institucionet publike janë pronë private që dikujt ia ka lënë trashëgim gjyshi apo janë e mirë kolektive?
Po partia politike që e emëron dhe e mbron një person të tillë në krye të një institucioni, a e ka vendosur për ta shkatërruar apo për të ndikuar në përmirësimin e tij? Me sjelljen dhe mbështetjen pa kushte, a thua për partitë politike arsimi nuk ka rëndësi fare?
Duhet potencuar se arsimi edhe kështu ka probleme të shumta, duke filluar nga rënia e interesimit të nxënësve për mësim, pastaj mospërkushtimi i mësimdhënësve deri tek diplomat false, përzierja e politikës në arsim etj. Por, nëse nuk veprohet dhe nuk iu vihet freri dukurive negative, gjendja në arsim nuk do të ndryshojë dhe do të vazhdojë rënien e lirë, ashtu që shoqërisë, në këtë rast asaj shqiptare në Malin e Zi, i dërgohet një mesazh i shëmtuar: “Nuk ka rëndësi dija, nuk ka rëndësi atdhedashuria, nuk ka rëndësi përkushtimi, nuk ka rëndësi vlera, por rëndësi ka vetëm bindshmëria ndaj padronit politik dhe se në institucionet edukativo-arsimore drejtori mund të ketë rolin e diktatorit që e zbaton proskripcionin.”

Të fundit

më të lexuarat