Kufijtë

Një debat shterp, që akoma s’po prodhon asgjë, që ngre vetëm pyetje, të cilat kërkojnë përgjigjet e fshehura të dokumenteve që kurrë s’i pamë dhe që rrjedhimisht në mungesë të tyre nxjerr përfundime, të qena apo paqena, qoftë si rezultat nevoje për të larë hesapet politike, por edhe së drejtës për të kërkuar llogaridhënie. Cila do qoftë, të dyja burojnë nga një e drejtë legjitime, që në demokraci përbën parimin themelor. Qytetarët e prekur kanë të drejtën të kuptojnë se ç’po ndodh me vendbanimet e tyre, kurse oponentët politikë atë detyrë kanë, të shfrytëzojnë pakënaqësitë e lindura për garë politike

Rina Muhaj

Podgorica dhe Tuzi më në fund kanë arritur në përfundim të procesit të definimit të kufijve. Podgorica dhe Tuzi kanë pezulluar procesin e definimit të kufijve. Territori i komunës së Tuzit është mbrojtur dhe ka mbetur i pandryshuar. Territori i komunës së Tuzit është shitur dhe është zvogëluar. Vendbanimet ku jetojnë shqiptarët duhet të jenë pjesë e komunës së Tuzit. Vendbanimet ku jetojnë edhe joshqiptarë nuk duhet të jenë pjesë e komunës së Tuzit. Kreu i një bashkësie lokale ka nënshkruar peticion që të jenë pjesë e Podgoricës. Kreu i po së njëjtës bashkësi lokale ka nënshkruar peticion që të jenë pjesë e Tuzit.

“Ardhacakë”, “tregtarë tokash”, “zgjerim territorial”, “tkurrje territoriale”, “projekt antikombëtar”, “tradhtarë e patriotë”; dhe në fund një thirrje për “kapërcim”.
Gjithsesi, një debat i pakapërcyeshëm.
Një debat shterp në fakt. Që akoma s’po prodhon asgjë, që ngre vetëm pyetje, të cilat kërkojnë përgjigjet e fshehura të dokumenteve që kurrë s’i pamë dhe që rrjedhimisht në mungesë të tyre nxjerr përfundime, të qena apo paqena, qoftë si rezultat nevoje për të larë hesapet politike, por edhe së drejtës për të kërkuar llogaridhënie. Cila do qoftë, të dyja burojnë nga një e drejtë legjitime, që në demokraci përbën parimin themelor. Qytetarët e prekur kanë të drejtën të kuptojnë se ç’po ndodh me vendbanimet e tyre, kurse oponentët politikë atë detyrë kanë, të shfrytëzojnë pakënaqësitë e lindura për garë politike. Ky debat iu shpall luftë tregtarëve të tokave, shpall projekt antikombëtar ushtrimin e një të drejte elementare njerëzore (shitblerjen e pronës private), dhe për t’i vënë vulën gjithë këtij absurdi – një dorëheqje e shpall si triumf kombëtar. Në këtë debat flitet për kufij.


Kufijtë janë vija imagjinare. Të padukshme në hapësirë. Megjithatë, shpeshherë, të skalitura fort në ndërgjegje. Kufiri mbase është gardhim i konstrukteve shoqërore që kërkojnë të drejtën e një shtrirjeje të mbrojtur. Aty ku pushon kjo shtrirje, vendoset një kufi që kujton fillimin e një tjetre, i cili përcakton raportin ndërmjet dy shtrirjeve, ndërveprimin ndërmjet tyre, apo idenë e përkatësisë së tyre. Në fakt, ideja e përkatësisë formësohet pikërisht nga vendosja e kufirit. Ndonjëherë ai vjen si shprehje e nevojës për të mbrojtur një përkatësi ekzistuese, por po kështu shpesh formëson edhe idenë e një përkatësie të re që gradualisht fillon të ndërtohet. Në këtë mënyrë, kufiri po aq sa është vetvetiu ndarës, është edhe përbashkues, dhe po aq sa është mbrojtës, është edhe përjashtues. Sado i paperceptueshëm të jetë, ai ka një fuqi të jashtëzakonshme të ndërthurë paradokset: të ndajë të njëjtën dhe të bashkojë të ndryshmen.
Kufiri, ndonëse në të drejtën ndërkombëtare ka parimet, normat dhe procedurat e definimit të tij, ai në jo pak raste është vizatuar nga duar të panjohura të huaja, që kanë përcaktuar fatin e popujve të vegjël pa dëshirën e tyre. Vendosja e vijave mbi harta kësisoj nuk ishte gjithmonë në funksion të mbrojtjes apo organizimit të konstrukteve shoqërore, por më shumë rezultat i ekuilibrave politikë. Si të tillë, kufijtë janë të kontestuar, janë të ndryshueshëm, të përshtatshëm, nuk janë kategori të ngurta statike, por të valëzuara, fluiditeti i të cilëve përcaktohet nga dinamikat e reja shoqërore të krijuara. Historikisht, kufijtë marrin rëndësi të shtuar në komunitetet që janë të pozicionuar buzë vijave kufitare. Vetë ideja e përkatësisë dhe e së ardhmes së tyre mund të navigojë shpesh në të dyja anët e kufirit. Të qenit “brenda” apo “jashtë” kufijve bëhet përcaktues i fatit të tyre.
Kur kufijtë bëhen temë e pakicave nacionale, fitojnë një dimension veçanërisht më të ndjeshëm. Kjo mbase kanë qenë pikërisht kufijtë ata që u dhanë atyre statusin “pakicë”. Në diskursin e të drejtave të tyre, kurdo flitet për përkufizime kufijsh, aspekte demografike të pakicave territoriale, (pra, pakicave që kanë një territor të definuar të shtrirjes etnike), ka një koncept që njihet si ethnic gerrymandering, që në gjuhën shqipe nuk mund t’i gjej përkthim me një fjalë. Ai gjithsesi nënkupton “manipulim kufijsh” me qëllim që të krijojnë një fragmentizim etnik. Gerrymandering si praktikë besohet se lindi për herë të parë në Amerikë më 1812, i aplikuar atëherë kryesisht në terma politikë dhe partiakë, që nënkuptonte vijëzimin e kufijve të distrikteve zgjedhore në atë mënyrë që të mundësohej dominimi i një partie politike mbi tjetrën. Të shtyrë nga qëllimi për të mbajtur pozicionet e konsoliduara të pushtetit dhe për të minimizuar mbështetjen e oponentëve, kjo mënyrë jodemokratike e përcaktimit të kufijve shpesh përshkruhet si proces ku “elitat politike zgjedhin votuesit e tyre, në vend që votuesit të zgjedhin elitat politike”.
Po e njëjta vijë logjike u ndoq edhe karshi pakicave raciale e etnike. Për të zbehur fuqinë politike të këtyre komuniteteve, vijat e distrikteve zgjedhore çanë në mes shtrirjet territoriale të tyre, në mënyrë që vota e tyre të shpërndahej në sa më shumë pjesë, dhe kësisoj fuqia dhe prania e tyre politike të zbehej.
E drejta rajonale evropiane mbi mbrojtjen e pakicave nacionale e ka trajtuar me kujdes këtë dukuri. Konceptualisht e gjejmë të përmendur në Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, në Raportin Sqarues të saj. Neni 16 i saj ndalon masat që ndryshojnë përbërjen e popullsisë në zonat e banuara nga pjesëtarë të pakicave kombëtare, të cilat synojnë të kufizojnë ushtrimin e të drejtave të pakicave, dhe një nga masat që përmend është edhe ndryshimi i kufijve administrativë. Gjithsesi jo gjithherë. Siç vëren Raporti Sqarues, masat mund të jenë plotësisht legjitime dhe të kenë ndikim në kufizimin e ushtrimit të tyre, por ato s’janë të ndaluara. Kufiri i mjegullt ndërmjet “synimit” dhe “ndikimit” për të kufizuar ushtrimin e të drejtave të pakicave këtu bëhet vështirë i identifikuar.
Ndalime dhe ngurrime të ngjashme ka edhe Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare. Në Nenin 7b, Karta kërkon që ndarjet “ekzistuese” ose “të reja” administrative të sigurojnë respekt të zonave gjeografike të banuara nga pakicat në mënyrë që të mos pengojnë promovimin e gjuhës së pakicave në fjalë. Megjithatë, në Raportin Sqarues, Karta pranon që ndarjet administrative territoriale nuk mund të marrin parasysh gjithnjë vetëm elementin gjuhësor dhe si të tilla nuk mund të ndjekin vetëm vijat gjuhësore. Ajo në parim i dënon ndarjet territoriale që fragmentojnë një komunitet gjuhësor dhe e bëjnë të vështirë përdorimin ose mbijetesën e një gjuhe. Por në rastet kur vijat territoriale nuk mund të ndjekin zonat gjuhësore, ajo kërkon që palët të paktën të kujdesen që efekti i kësaj ndarjeje të jetë neutral dhe të mos ketë ndikim negativ mbi gjuhën. Në favor të kësaj shkon edhe Konventa Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, e shumëcituar në diskursin publik në vend. Në nenin 5 Konventa shumë qartë vëren që ndryshimi i kufijve nuk mund të ndodhë pa konsultim paraprak me komunitetin lokal, konsultim i cili mund të bëhet edhe me referendum nëse për këtë e parasheh ligji. Siç vëren pastaj në Raportin Shpjegues, nëse këtë nuk e parasheh ligji, mund të përdoren forma të tjera të konsultimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
Thënë përmbledhtazi, të tri këto instrumente juridike, bashkë me udhëzime normative si Rekomandimet e Lundit të OSBE-së, na çojnë drejt një pajtimi unanim: definimi apo ridefinimi i kufijve administrativë në zonat e banuara nga pakicat ka një kriter i cili kërkon të ketë vendin e barasvlershëm me të gjitha kriteret tjera gjeografike, administrative dhe ekonomike kur bëhen organizimet territoriale – të marrë parasysh çështjen e të drejtave të pakicave.


Në debatin mbi kufijtë, flitet edhe për të drejtat e pakicave. Por ndonëse ato përbëjnë subjektin kryesor të temës, narrativa e ndërtuar mbështetet më së shumti në Ligjin për Organizim Territorial, i cili për hir të së vërtetës është neutral ndaj aspekteve të tilla. Nëse ligjit të brendshëm i mungojnë nuanca kontekstualizimi me realitetin lokal, që në këtë rast do të duhej të nënkuptonte një qasje më të hapur, më fleksibël dhe më të ndjeshme ndaj diversitetit të strukturës demografike, debati do të duhej të mbështetej në të drejtën ndërkombëtare publike. Duke qenë palë kontraktuese e akteve të sipërpërmendura, ato janë pjesë integrale e të drejtës së brendshme, kanë fuqi juridike detyruese dhe kanë epërsi ndaj legjislacionit nacional. Dhe kur ligji i brendshëm humb rrugën e drejtësisë, ka gjithmonë një rrjet ndërkombëtar juridik për t’u mbështetur, i cili aplikohet përtej “kufijve”.
Në debatin mbi kufijtë ka një gjuhë dhe terminologji të shthurur, që nuk i shërben aspak këtij diskursi. Komuna e Tuzit nuk është komunë monoetnike, nuk mund të jetë dhe as nuk ka pse të jetë. Identitetet e përziera, ndryshimet demografike janë realitet dhe “ardhacakët” janë qytetarë të barabartë të saj. Propozimet mbi kufijtë nuk duhet të definohen vetëm në bazë të kriterit etnik dhe të klasifikojmë banorët gjoja mbi baza të kalkulimeve nacionale (lexo: elektorale), duke i ndarë ata në shqiptarë dhe joshqiptarë (lexo: votues dhe kundërshtarë politikë), ata që i sollën dëm apo të mira Komunës së Tuzit (lexo: mbështesin ose kërcënojnë balancat e pushtetit).
Njëkohësisht, propozimet mbi kufij nuk kanë pse ndjekin as vijat tribale, të llojit “Fundnat i takojnë Kuçit”. Fiset janë kategori të vjetëruara të strukturave shoqërore para shtetërore dhe s’kanë bazë juridike në organizimet e shoqërive moderne. “Tregtarët e tokave” nuk mund të privohen nga e drejta për të qenë qytetarë aktivë dhe në vend të kategorizimit si të padenjë, politika shqiptare do të duhej të merrej më shumë me shkaqet rrënjësore që kanë çuar në shitje, dhe të mbajë barrën e kontributit direkt apo indirekt në të. Kufijtë territorialë nuk duhen të “zgjerohen”. Në vend të kësaj do të duhej të zgjeronim kufijtë tanë mendorë dhe të arsyetojmë se kufijtë përshtaten në atë mënyrë që sigurojnë qasje në të drejta të barabarta dhe kushte të barabarta të ushtrimit të tyre. Vendbanimet e kontestuara nuk mbrohen me logjikën e romantizimit historik të betejave të shekullit XIX, ku Luhari bëhet “Shkodra e vogël” e lirikave epike “50 për 4”, kurse Ledina gardian i Grudës që qëndruan në front të betejave të kohës. Të gjitha vendbanimet në fjalë, pa përjashtim, nuk përzgjidhen për shkak të kontributit historik, por për shkak se në vise të tilla tradicionalisht jetojnë shqiptarët të cilët kërkojnë të gëzojnë të drejtat e tyre legjitime.
Debati mbi kufijtë, më shumë se çdo gjë tjetër, kërkon të mbështetet në evaluimin e një studimi të impaktit, analizë fizibiliteti, vlerësim të rreziqeve dhe efekteve anësore që do të kishte në vendbanimet dhe popullsinë e prekur. Këto studime do të duhej të japin përgjigje të qarta mbi ndikimin që kufiri do të kishte në pjesëmarrjen e banorëve në jetën ekonomike, politike, kulturore dhe sociale; mbi rrezikun e fragmentimit apo shkrirjes graduale etnike në kuadër të kryeqytetit; mbi mundësinë reale të ushtrimit të së drejtës së identitetit dhe mbrojtjes nga asimilimi, veçanërisht në raport me pragun prej 5% për përdorimin zyrtar të gjuhës amtare në njësinë e vetëqeverisjes lokale; mbi masat që do të garantonin të paktën një efekt neutral; mbi rrezikun e nën-përfaqësimit politik; përdorimin e gjuhës amtare në komunikimin me organet lokale, ruajtjen e toponimeve dhe qasjen në arsim; si dhe mbi efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve publike në zonat periferike.
Autorët e debatit të kufijve ndoshta i kanë përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve, ndoshta të asnjërës. Në çdo rast ata kanë për detyrë të dëshmojnë që përcaktimi i kufijve nuk do të ndjekë logjikën e ethnic gerrymandering. Vetëm atëherë mund të shpallim triumf kombëtar.

Të fundit

më të lexuarat