Plavë – Në organizim të Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë “Husein Bashiq” – Plavë, të premten mbrëma (12 qershor 2026), kllapa e popullarizuar muzikore e Podgoricës QKI Pop Kor ka shfaqur premierën e koncertit të vet me program të begatë të zhanreve ritmike muzikore në këtë qytet.
Koncerti është mbajtur në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, në prani të një numri të konsiderueshëm adhuruesish të muzikës korale nga Plava me rrethinë dhe më gjerë.
Pas hapjes solemne të koncertit dhe prezantimit të kllapës muzikore nga Podgorica dhe të drejtorit të Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, Gzim Hajdinaga, nga moderatorja – vashëza simpatike, në gjuhën malazeze dhe shqipe, publiku i pranishëm pati rastin të dëfrehet dhe kënaqet me repertorin e zgjedhur dhe të përzier të interpretuar dhe ekzekutuar në mënyrë të njohur emotive, për rreth një orë e 20 minuta, i cili prej vitesh ka bërë për vete dashamirët e këndimit koral në gjithë vendin dhe rajonin.
Kori i cili vepron prej vitit 2017 dhe tubon anëtarët e gjeneratave dhe profesioneve të ndryshme, ka mbajtur më se 160 koncerte nëpër Mal të Zi, por edhe në Gjermani, Itali, Austri, Shqipëri, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci, ndërsa në koncertin në Plavë prezantoi një pjesë të repertorit të vet të begatë – këngë tradicionale dhe hite evergrin – në gjuhën malazeze, shqipe dhe angleze, në aranzhmane moderne.
Në këtë mënyrë, Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi vazhdon të mbështesë dhe organizojë programe që promovojnë multikulturalizmin, krijimtarinë artistike dhe lidhshmërinë e bashkësive. Përmes programit të begatë dhe të llojllojshëm, ajo afirmon vlerat e multikulturalizmit, respektit të ndërsjellë të larmisë kulturore, duke krijuar hapësirë për takime të traditës, artit dhe krijimtarisë bashkëkohore.
Në fund të koncertit, drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Gzim Hajdinaga ka falënderuar kllapën muzikore QKI Pop Kor për shfaqjen e programit të begatë për publikun e pranishëm.
Sh. Hasangjekaj
