Në ambientet e Muzeut Etnografik në Draginë, të premten mbrëma (12 qershor 2026) është përuruar libri “Ana e Malit – nga lashtësia deri sot”, një botim shkencor që përmbledh kumtesat e sesionit shkencor të mbajtur më 12 prill 2025 në Ulqin, në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të Shoqatës “Ora”.
Në praninë e përfaqësuesve institucionalë, personaliteteve të jetës publike, dashamirëve të librit dhe kulturës, studiuesit vlerësuan se ky botim përbën një ndër kontributet më të rëndësishme të viteve të fundit për dokumentimin dhe studimin e historisë, kulturës, gjuhës dhe identitetit të Anës së Malit.
Përurimi i librit është organizuar në kuadër të manifestimit “Pranvera në Anën e Malit”, duke çelur siparin e edicionit të sivjetshëm (20-të) të këtij manifestimi.
Mbrëmjen e moderoi Ismet Kallaba, i cili rikujtoi rrugëtimin dydekadësh të manifestimit “Pranvera në Anën e Malit” dhe rëndësinë e tij në promovimin e vlerave kulturore e historike të kësaj treve shqiptare.
Botimi përfshin punimet e 18 studiuesve nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova, të cilët trajtojnë aspekte të ndryshme të historisë, arkeologjisë, gjuhësisë, demografisë, etnologjisë, kulturës dhe potencialit zhvillimor të Anës së Malit.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti, theksoi se promovimi i këtij libri përfaqëson një moment të rëndësishëm për komunitetin e Anës së Malit dhe për të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë së saj historike e kulturore.
Një nga folësit kryesorë të mbrëmjes ishte akademiku Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në vlerësimin e tij për librin, ai theksoi se ky botim përfaqëson shumë më tepër sesa një përmbledhje kumtesash shkencore.
“Ky vëllim është një dëshmi e gjallë e kujtesës historike të Anës së Malit dhe një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare. Ai dëshmon se trashëgimia kulturore dhe identiteti i një komuniteti ruhen jo vetëm përmes traditës gojore, por edhe nëpërmjet kërkimit shkencor, dialogut akademik dhe botimeve që mbeten si referencë për brezat e ardhshëm. Ana e Malit përfaqëson një laborator të pasur kërkimi për historianët, arkeologët, gjuhëtarët dhe studiuesit e trashëgimisë kulturore, ndërsa ky botim e rikthen atë në qendër të interesimit shkencor shqiptar”, ka thënë ai, duke vlerësuar punën e Shoqatës “Ora”, të cilën e ka konsideruar si një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile, institucioneve lokale dhe komunitetit akademik në funksion të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kombëtare.
Një analizë të detajuar të përmbajtjes së librit paraqiti profesori Begzad Baliu nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në fjalën e tij, ai e cilësoi botimin si një nga veprat më të rëndësishme kolektive kushtuar Anës së Malit në vitet e fundit.
“Ky vëllim ndërton një panoramë të gjerë dhe shumëdimensionale të Anës së Malit, duke e trajtuar atë përmes qasjeve arkeologjike, historike, onomastike, etnolinguistike, antropologjike, demografike dhe zhvillimore. Rëndësia e tij qëndron në faktin se e paraqet këtë trevë jo si një periferi historike, por si një hapësirë me vazhdimësi të gjatë kulturore dhe historike, me vlerë të veçantë jo vetëm për shqiptarët e Malit të Zi, por për të gjithë albanologjinë”, theksoi ai.
Sipas tij, libri krijon një bazë të rëndësishme dokumentare për studiuesit e ardhshëm dhe njëkohësisht hap horizonte të reja kërkimore mbi historinë, gjuhën, kulturën dhe transformimet shoqërore të kësaj treve.
Studiuesi Dr. Haxhi Shabani vlerësoi kontributin shumëvjeçar të Shoqatës “Ora” në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Anës së Malit, duke kujtuar brezin e të rinjve që më shumë se tri dekada më parë sfiduan rrethanat e kohës për të kërkuar dije dhe arsimim.
“Dua të kujtoj atë grup vajzash dhe djemsh, të cilët para më shumë se 30 vitesh thyen kufirin shqiptaro-shqiptar për të marrë dije. Sot, shumë prej tyre janë pjesë e brezit që ka ndërtuar qytetari, institucione dhe iniciativa me vlerë të jashtëzakonshme për komunitetin tonë. Përmes Shoqatës ‘Ora’, ata kanë arritur të organizojnë aktivitete që kanë rikthyer në vëmendjen tonë historinë dhe pasuritë e Anës së Malit, duke e vendosur sërish Shasin dhe vlerat e kësaj treve në qendër të interesimit publik dhe shkencor”, u shpreh ai.
Sipas Shabanit, vetë botimi i librit “Ana e Malit – nga lashtësia deri sot” dëshmon pjekurinë dhe profesionalizmin që ka arritur Shoqata “Ora” gjatë veprimtarisë së saj.
“Fakti që sot po promovojmë një tjetër vepër shkencore kushtuar Anës së Malit tregon se Shoqata ‘Ora’ ka ndërtuar tashmë një standard serioz profesional. Në shumë raste ajo po kryen një punë që, për fat të keq, do të duhej të bëhej nga institucione të specializuara. Ky libër dëshmon qartë se Ana e Malit ka një llojllojshmëri të jashtëzakonshme pasurish historike, kulturore, gjuhësore dhe njerëzore, të cilat meritojnë të studiohen, të dokumentohen dhe të promovohen edhe më tej”, përfundoi ai.
Edhe studiuesi Dr. Eduart Caka nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndau vlerësimet e tij për rëndësinë e veprimtarive shkencore dhe kulturore që organizohen në Ulqin dhe veçanërisht në Anën e Malit.
Ai shprehu shqetësimin për tkurrjen e aktiviteteve kulturore shqiptare në disa zona, duke vlerësuar rolin që Ulqini vazhdon të luajë në ruajtjen e identitetit kombëtar.
“Sot shohim se aktivitetet kulturore shqiptare dhe veprimtaria e shumë shoqatave në hapësira të ndryshme kanë ardhur duke u zvogëluar. Në këtë kontekst, Ulqini mbetet një nga qendrat më të rëndësishme ku vazhdon të ruhet dhe të promovohet trashëgimia jonë kulturore. Mund të them se ai përfaqëson një nga pikat më të forta të rezistencës kulturore shqiptare në Mal të Zi, një vend ku traditat, kujtesa historike dhe identiteti ynë vazhdojnë të kultivohen dhe të transmetohen te brezat”, ka thënë ai.
Në fund, Caka vlerësoi punën e Shoqatës “Ora”, duke theksuar se nisma të tilla nuk kanë vetëm vlerë shkencore, por edhe rëndësi të veçantë për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe forcimin e identitetit kulturor të shqiptarëve në Mal të Zi.
Gjatë përurimit u lexuan edhe përfundimet e sesionit shkencor “Ana e Malit – nga lashtësia deri sot”, ku u nënvizua nevoja për vazhdimin e studimeve të thelluara mbi këtë zonë, si dhe rëndësia e projekteve konkrete për zhvillimin e potencialeve të saj kulturore, turistike dhe ekonomike.
Në përfundimet e sesionit shkencor theksohet se Ana e Malit përfaqëson një hapësirë me vazhdimësi të pandërprerë historike dhe kulturore, ndërsa sfidat aktuale, si migrimi, shpopullimi dhe zhvillimi ekonomik kërkojnë angazhim të vazhdueshëm të institucioneve dhe komunitetit.
Organizatorët falënderuan Komunën e Ulqinit, Organizatën Turistike të Ulqinit, Fondin Humanitar “Trojet Tona” dhe sponsorët e shumtë që mbështetën realizimin e manifestimit dhe botimin e librit.
Pas pjesës akademike, të pranishmit vazhduan mbrëmjen nën tingujt e grupit muzikor vendas “Espressivo Band” dhe koktejin me gatime tradicionale vendore, të përgatitura nga pronarët e Muzeut Etnografik – Draginë.
D. Teliqi
