Ali Gjeçbritaj
PLAGË
M’i kanë frikësuar delet
grigjën dhe ogiçin
i tërbuan,
këmbora nuk tingëllon
më si dikur,
nuk do ta vras ujkun
që më theri dashin,
por frkacakët
që mbjellin mjegull.
Në trupin tim
nuk kam plagë
nga armët,
ato m’i hapën
shokët e mi
që më thonin
se më donin.
Ulqin, gusht 2025
BUJARIA
Kemi vuajtur gjithmonë
gjumin të qetë s’e bëmë ndonjëherë
gjallë se gjallë në tokën tonë
nën qiellin e kaltër si përherë.
Këtu te ne miqtë gostiten
me bukë kripë e zemër të bardhë
me sofër shtruar pranë vatrës
e mikut dhe e Zotit shtëpia jonë.
I lumi unë, thotë plaku, zoti i shtëpisë
dhe gruaja zojë, shtëpia e saj
mes skamjes dhe varfërisë
me faqe të bardhë, trarët e shtëpisë.
I lumi unë që po arrij të vdes
nuk dua vajtim mbi arkivolin tim
në jetë kam pasë burrëri dhe besë
andaj nuk vdes, po ndërroj jetë.
Krajë, shtator 2025
VRASJE E BEKIMIT
Horizonti i heshtur
qielli në qetësi.
pemët që piqen
po mbyten.
Mbi çatitë e shtëpisë
nga oxhaku
deri dje dilte tymi
nga zjarri
i votrës së kullës.
Nga kusia me qumësht
varur në vargua
cipa e tamlit të vakët
vala i nxirrte mazë.
Sot
heshtja vrau lejlekun
e bekimet e nënave
i ka plagosur heshtja.
Arbnesh, shtator 2025
SHTËPIA
Kur nisa të hapë themelet
në një kënd të truallit
shpresova se do ketë shumë dritë.
Kur fillova shtëpinë, thera një dash
i gostita të gjithë fqinjët e miqtë me mish
dhe e hapa zemrën për të gjithë.
Në kulm vura dhe flamurin
që nga larg të shihet vendi ku jam
nuk vendosa portë në rrugën kryesore.
Shumë vjet kaluan me ngrohtësi
ku zëri i fëmijëve mbyti të keqen
e unë i ngazëllyer iu gëzova jetës.
Aspak nuk e kam llogaritur
se shtëpinë do ta mbulojë heshtja
e lamë vetëm pa asnjë mbështetje.
Shtëpia ime qëndron në Arbnesh
na pret derë e hapur të kthehemi
ëndrrat t’i shohim aty, jo larg saj.
Do kthehemi, do kthehemi të premtoj
do ta llogaris kohën e kthimit
me mjete matëse, rreze dielli.
Arbnesh, shtator 2025
UNË JAM AI
Unë jam ai djaloshi flokëbardhë
që të kam premtuar gjithçka
kur flokët e mi ishin të zi
e mbulonin qafë e veshë.
Sot jam prapë
ai djaloshi flokëzi
tash me krye të bardhë
si bora mbi shkëmbinj.
Prapë jam ai djaloshi
që lexonte Hygoin, Jeseninin
Fishtën, Migjenin e Naimin…
jam ai që të premtoi
se do të dashurojë deri në amshim.
Unë jam ai që u bëra burrë
u plaka me letra ndër duar
duke i shkruar vetëm besës
si Franz Kafka Milenës.
Tivar, dhjetor 2025
ZEMRA
U dashuruam me zemër dikur
iku rinia, na la
u dashuruam me shpirt
ngadalë po na iken edhe pleqëria
jemi plakur bashkë
tash zemrat nuk flasin si dikur
rrahin në heshtje
s’kanë nevojë për fjalë.
Pejë, janar 2026
UNË KAM SHUMË DASHURI
Kam pasë dikur pak, shumë pak
kam dhënë dikur shumë, shumë kam dhënë
e kam pasur zemrën plot, shumë plot
e kam ditur se çfarë do të thotë të kesh pak
të kesh shumë pak, të dhurosh mirësi.
Nuk kam pasur dikur titull, as nam
edhe atëherë e kam ditur sa sot,
mençuri kam pasë
jeta më ka mësuar shumë, më shumë
se mijëra libra që i kam lexuar pa fund.
Kam vuajtur për bukë, për ujë e liri
me shpirt më mirë kam qenë se sot gjithsesi
zemra e plagosur këtë mirë e di
të tjerëve mos t’u shkaktojë dhimbje
vuajtje e keqdashësi.
Krajë, janar 2026
NËNA
Nuk është thjesht pamje
është himni i jetës
është psalm i heshtur.
Ndër shekuj mbajti
djepin në shpinë
barrën e ditës
peshën e botës
besimin për jetën.
Mbi supe
nuk mbajti vetëm djepin
për të shkuar në gjini
mbajti edhe peshën
e kodit të pashkruar
të shpresës
të dashurisë
të durimit
të qëndresës.
Në djep ngarkuar
mbi shpatullat e saj
fëmija fjeti i mbështjellë
me pëlhurë të bardhë.
Aty fshihet poetika
poezia e nënës
këngë e përjetësisë.
Djepi mbi supet e saj
pasqyrë e shpirtit
pikturë ngadhënjimi
e betejës për jetën.
Historia jonë
shkruhet me hapin tënd
nënë je pavdekësi.
Pejë, janar 2026
NUK DUROJ DOT
Nuk i duroj dot gjërat që më shtrëngojnë
as sutjenat e gruas kur i heq me mërzi
as darkat e bezdisshme me moshatarët e mi
as gratë që kontrollojnë me sy shtrigash
pluhurat e mbetura në qoshe karrigesh.
Nuk i duroj dot vitet e pesëdhjeta
as të gjashtëdhjetat assesi
as gratë që me buzë të kuqe në rrugë
më japin buzëqeshje false mashtruese.
Nuk i duroj dot as moshatrët e mi
kur më thonë nuk qenke plakur fare
e unë u përgjigjem me mirësi
kur të ngrihesh, të mos kërcasë shpina.
Nuk i duroj dot ata që ecin pas teje
në sy të lavdërojnë e pas shpine të shajnë
nuk i duroj dot as ata që luajnë syrin
kur unë dëgjoj këngët e kohës sime.
Nuk i duroj dot ata që më thonë:
a i mbushe ende gjashtëdhjetë?
edhe pse e dinë shumë mirë
se i kam kaluar shtatëdhjetë
si unë edhe ata janë
e kemi kaluar të madhen pjesë
të kësaj bote të pabesë.
Istog, janar 2026
ULLIRI IM
Aty ku fshihet gjiri i xhevahirëve
natyra hapi portën magjike
për anijet velbardha
ku valët e kristalta
lëmojnë shikimet e rojeve besnike.
Për ty rruga gjarpëron
nuk njeh kohë
dy mijë rrathë trungu
skulpturë në shekuj
ku loja e diellit
luan me hijen
këngë e zanave
lashtësi në zgavrën tënde.
Në zemër peizazhi
ruhet fshehtësia
sfidë e kohës moderne
gjallë i ruan trungu dëshmitar
kohë që s’u pre kurrë.
Ulliri im
nuk mban mbi supe
peshën e misterit
me ujin e Kronit të Zanave
shuan etjen
nën dritën e hënës së plotë
e gjen veten.
Udhëtarë të lodhur
nga rrugë e gjatë
te ti ulliri im
kanë pikëndalesën.
Në Kronin e Detarëve
me ujë bucelat mbushin
nuset e detarëve
para nisjes për lundrim.
Me kurorë në kokë
ulliri im
dëgët e tua janë udhërrëfim.
Ulqin, mars 2026
(Poezi nga përmbledhja
në dorëshkrim “Rrugëtim”)
