Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Ulqin organizoi të hënën një aktivitet festiv kushtuar nxënësve më të vegjël të shkollave shqipe në komunën e Ulqinit dhe nxënësve të shkollës së Krajës.
Programi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë festive, duke sjellë gëzim, argëtim dhe emocione për fëmijët pjesëmarrës. Aktiviteti u pasurua me interpretimet e korit të Gjimnazit Publik, si dhe me recitime, valle dhe pika të ndryshme artistike të përgatitura nga nxënësit e shkollave fillore, të cilët shfaqen talentin dhe kreativitetin e tyre para të pranishmëve.
Në fillim të aktivitetit, të pranishmit i përshëndeti konsulli i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Ulqin, Arben Doçi, i cili në fjalën e tij vuri në pah rëndësinë e kësaj dite dhe historinë e saj.
“Pse pikërisht më 1 Qershor dhe çfarë përfaqëson kjo ditë? Kjo është një pyetje që meriton përgjigje, sepse fëmijët nuk duhet të reshtin kurrë së bëri pyetje dhe së kërkuari dije. Kjo ditë lindi si nevojë për të mbrojtur fëmijët nga puna e rëndë dhe trajtimi i padrejtë, duke u shndërruar me kalimin e kohës në simbol të të drejtave dhe mirëqenies së tyre”, tha ai.
Duke folur për zhvillimin historik të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Doçi theksoi se përpjekjet për mbrojtjen e fëmijëve kanë qenë të vazhdueshme gjatë dekadave.
“Luftërat e shumta shkatërrimtare dhe veçanërisht dy luftërat botërore lanë pas shumë fëmijë jetimë e të pastrehë. Pikërisht për t’u ardhur në ndihmë atyre, kjo ditë mori përmasa ndërkombëtare dhe u shënua për herë të parë në mënyrë të organizuar, më 1 qershor të vitit 1950. Sot, specialistët e mbrojtjes së fëmijëve i kushtojnë vëmendje të veçantë shëndetit, arsimit, sigurisë dhe mirëqenies së tyre. Megjithatë, miliona fëmijë në botë vazhdojnë të përballen me varfëri, uri, sëmundje, fatkeqësi natyrore dhe forma të ndryshme shfrytëzimi. Prandaj kjo ditë na kujton se përgjegjësia për mbrojtjen e fëmijëve mbetet gjithmonë aktuale”, u shpreh ai.
Në vijim, konsulli i përgjithshëm u ndal edhe te mesazhi që përcjell poezia “Harabeli” e poetit të madh shqiptar Dritëro Agolli, duke e lidhur atë me dashurinë për vendlindjen dhe reflektimin mbi fenomenin e emigrimit.
“Harabeli është ndër të paktët zogj që nuk shtegton. Ai zgjedh të mos e braktisë folenë e vet, pavarësisht stuhive apo dimrit. Në poezinë e Dritëro Agollit kjo zgjedhje e vogël shndërrohet në një kambanë dashurie për atdheun. Por ajo na shtynë edhe të reflektojmë mbi kohën në të cilën jetojmë, kur shumë të rinj largohen për të ndërtuar jetën e tyre në vende të tjera. Do të dëshiroja që së bashku me mësuesit dhe prindërit tuaj të kërkonit përgjigje për pyetjen: a do të shtegtojë edhe harabeli një ditë prej ditësh?”, tha Doçi.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai i ftoi fëmijët të vazhdojnë të mësojnë dhe të zhvillojnë talentet e tyre, duke recituar vargje nga krijimtaria e Dritëro Agollit kushtuar fëmijëve.
Në emër të institucioneve arsimore pjesëmarrëse, të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i shkollës fillore “Bedri Elezaga”, Mustaf Bardhi, i cili shprehu mirënjohjen për organizimin e aktivitetit dhe rëndësinë që ka përkushtimi ndaj fëmijëve dhe arsimit shqip.
Ai theksoi se 1 Qershori është një ditë që u kujton të gjithëve përgjegjësinë për të krijuar kushte sa më të mira për edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj.
“Kam kënaqësinë e veçantë t’ju përshëndes në këtë ditë të bukur kushtuar fëmijëve – 1 Qershorit, festës së buzëqeshjes, gëzimit dhe shpresës. Fëmijët janë pasuria më e çmuar e çdo familjeje dhe e çdo shoqërie. Ata janë e ardhmja jonë, frymëzimi ynë dhe arsyeja pse ne punojmë çdo ditë për një arsim më cilësor dhe një jetë më të mirë. Në këtë ditë të veçantë, u uroj të gjithë fëmijëve shëndet, lumturi, suksese në mësime dhe një fëmijëri të mbushur me dashuri, lojë dhe ëndrra të bukura. Një falënderim i veçantë për Konsullatën e Shqipërisë në Ulqin, për organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve që u kushtohen fëmijëve dhe forcimit të lidhjeve tona kulturore e kombëtare”, u shpreh ai.
Ndërsa drejtori i shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krajë, Sami Doda, shprehu falënderimet e tij për Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Ulqin për organizimin e këtij aktiviteti festiv, që bashkoi nxënës, mësues dhe prindër në festimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Ai vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme, duke theksuar se fëmijët janë vlera më e çmuar e shoqërisë sonë dhe se çdo përpjekje për mirëqenien e tyre është një investim për të ardhmen. “Ju falënderoj përzemërsisht për këtë organizim të mrekullueshëm që na bëri bashkë për të festuar ditën e më të dashurve dhe më të çmuarve tanë – fëmijëve. Çdo fëmijë meriton dashuri, përkujdesje, edukim dhe arsimim cilësor, sepse në duart e tyre ndodhet e ardhmja e familjeve tona, e komunitetit tonë dhe e kombit tonë. Kjo ditë na fton jo vetëm të festojmë, por edhe të reflektojmë e të ndërgjegjësohemi për detyrimin që kemi për t’u ofruar brezave të rinj kushte sa më të mira për zhvillim, dije dhe ruajtjen e vlerave njerëzore e kombëtare. Të dashur fëmijë, besoni në ëndrrat tuaja, punoni me përkushtim dhe mos u dorëzoni kurrë para vështirësive, sepse çdo hap drejt dijes është një hap drejt suksesit. Ju jeni drita e së ardhmes sonë dhe krenaria më e madhe e këtij vendi”, tha drejtori Doda në fjalën e tij përshëndetëse.
Aktiviteti u ndoq me interes nga nxënësit, mësuesit, prindërit dhe të ftuarit, të cilët vlerësuan organizimin dhe mesazhet e përcjella në këtë festë kushtuar fëmijëve. Përmes programeve artistike, lojërave dhe aktiviteteve të ndryshme, 1 Qershori u shndërrua në një ditë të veçantë gëzimi dhe bashkëpunimi, duke riafirmuar rëndësinë që ka kujdesi dhe investimi në edukimin e brezave të rinj.
D. Teliqi
