Një përjetim i këndshëm artistik

Përgjatë tërë librit, lexuesi do të ketë një përjetim të këndshëm artistik, që jo vetëm të ofron kënaqësi por edhe njohuri nga e tashmja e Ulqinit dhe nga e kaluara jonë e lashtë. Nëpërmjet gërshetimit mjeshtëror të realitetit dhe fiksionit, reales dhe imagjinares, pasqyrohet lashtësia e kësaj treve në kontekst të së shkuarës sonë, mbi të cilën është ndërtuar e tashmja, shpesh duke mbuluar ato gjurmë të asaj lashtësie

Sulejman Dërmaku

Dikur ndër ne libri pothuajse ishte i rrallë, porse vlerësohej tepër. Një libër i dhuruar ishte dhurata më e çmuar që mund t’i bëhej dikujt…
Pavarësisht nga fakti që arritjet teknologjike kanë përparuar shumë, shpesh, sidomos ndër mosha të reja, duke e lënë librin në margjina, për të mos thënë në harresë, për mua prore libri ka mbetur dhurata më e çmuar. Prandaj, kur Hajro Ulqinaku më thirri të pinim kafe, duke theksuar se do të më dhuronte një libër, u gëzova tej mase. Rrugës përsiatja se ç’libër mund të më dhuronte, ngaqë në takimet e kohëve të fundit nuk më kishte folur për ndonjë botim të tij të ri…

Mrekullia e librit
Meqë nuk ishte larg lokali ku do të takoheshim, nuk pata nevojë të hamendësoja gjatë. Sapo u ula, nxori jo një por disa libra. Kureshtja e bëri të veten, në ballë të kopertinës lexova emrin e autorit: Gazmend Çitaku. U gëzova edhe më shumë, sepse Gazmendin, ndonëse nuk e kisha takuar asnjëherë, e njihja si një emër në letrat tona, sidomos si autor të fotografisë artistike…
Patjetër që, për ta shuar kureshtjen e parë, aty për aty ua hodha një sy fluturimthi të gjithë titujve: Aventurat e Dorartit (2026), Bota nënujore e Valdanosit (2026), Pema hyjnore (katalog për ekspozitën tematike të fotografisë) (2025) dhe Ullishta (fotografi artistike të Gazmend Çitakut, me tekst të Joan Arvanitasit) (2025). Pasi kërkova falje, i lashë anash, e falënderova Hajron, por me telefon edhe Gazmendin, porse mezi prisja të shkoja në shtëpi dhe në qetësi t’i hyja leximit…
Së pari u mrekullova me katalogun “Pema hyjnore”, që përbëhej nga fotografi të autorit Çitaku, bërë në ullishtat e trevës së Ulqinit. Ndonëse ekspozita kishte ndodhur në vitin 2025, organizuar nga Galeria Oda në Shkodër, m’u bë se edhe unë qesh njëri ndër vizitorët e shumtë të saj. Bëhej fjalë për ullirin, këtë pemë, në pamje, siç thotë autori, “me trung më të shëmtuar…”, por në thelb aq fisnike, me lëng e fruta të shëndetshme, aq jetëgjatë. Ajo bart mbi vete jo shekuj po mijëvjeçarë, siç është Ulliri ilir, që llogaritet të ketë moshë 2350 vjeç. Është ky Druri i shenjtë i Mesdheut, të cilit, autori Çitaku, me fotografi e fjalë, i thur ode të merituar. Fisnikëria e tij është dëshmuar ndër mote, që nga lashtësia, duke dhuruar, duke heshtur dhe duke duruar. Kjo është mrekullia e librit, i thashë vetes… Prandaj, nuk është thënë rastësisht: një fotografi më shumë se një mijë fjalë!
Veç ullirit dhe nëpërmjet ullirit, kësaj peme fisnike, në përmbledhjen e tregimeve Aventurat e Dorartit autori e shpie lexuesin në kohë të shkuara, të periudhës së Ilirisë. Që në fjalën hyrëse lexuesin e paralajmëron se nuk do të ketë në duar “thjesht një përmbledhje tregimesh” (dedikuar fëmijëve dhe të rinjve, porse, them unë, me kënaqësi do t’i lexojnë të gjitha moshat), veçse “një makinë kohe, një hartë thesari dhe një ftesë e hapur për të zbuluar sekretet që fshihen në çdo gur, krua dhe dallgë të qytetit tonë të lashtë, Ulqinit”.

Dekodimi i mistereve të kohëve të lashta
Dhe vërtet, përgjatë tërë librit, lexuesi do të ketë një përjetim të këndshëm artistik, që jo vetëm të ofron kënaqësi, por edhe njohuri nga e tashmja e Ulqinit dhe nga e kaluara jonë e lashtë. Nëpërmjet gërshetimit mjeshtëror të realitetit dhe fiksionit, reales dhe imagjinares, pasqyrohet lashtësia e kësaj treve në kontekst të së shkuarës sonë, mbi të cilën është ndërtuar e tashmja, shpesh duke mbuluar ato gjurmë të asaj lashtësie.
Leximi i çdo tregimi ofron një udhëtim specifik virtual, duke eksploruar jo vetëm tokën, por edhe detin. Bota nënujore e Valdanosit, çdo lexues e kredh në thellësi të detit, pasi të ketë mësuar për mitin e qytetit antik të ullirit Oleotopolis, për të bredhur në parajsën nënujore të Valdanosit, ku do të ndeshë mbi pesëdhjetë lloje të ndryshme të peshqve.
“Bëhuni rojtarë të historisë suaj” është urtia që në libër del në formë porosie për lexuesit…
Shëtitjet nëpër kohë të mistershme të historisë, duke i zbërthyer ato nëpërmjet shtegtimeve të Dorartit, të atit dhe shokëve të tij në det, ullishta e treva të Anës së Malit, Krajës, Shasit… në plotni e përmbushin këtë porosi. Të gjitha këto shëtitje pastaj sikur bëhen një metaforë specifike zbërthyese e atyre kohëve të mistershme të historisë. Për këtë një ndihmesë mbase është edhe vetë emri i ulqinakëve të vegjël, të vetëquajtur “Ilirët”. Kodi i mistereve të kohëve të lashta përgjatë tregimeve dekodohet edhe nëpërmjet emrave të vendeve (toponimeve) të periudhës së Ilirisë, siç është Kroni i mbretëreshës Teutë etj., tumave të shumta ilire, Shasit, Krajës…
Fëmijët përbrenda tregimeve ecin mbi histori dhe zbërthejnë historinë e lashtë të Ilirisë e të ilirëve, duke qartësuar edhe në këtë mënyrë të shkuarën tonë të largët, shpesh të mohuar nga dashakëqij…
Aventurat e Dorartit dhe shokëve të tij, çdo lexuesi, jo vetëm fëmijës e të riut, do t’i ofrojnë një udhëtim magjik imagjinar, begatuar me fantazinë e bujshme të botës së njeriut, përgjithësisht, e të fëmijës posaçërisht, ku me mjeshtëri gërshetohen mitet, legjendat dhe arkeologjia me rrjedhat e historisë së lashtë të Ilirisë…
Nëpërmjet aventurave të grupit Ilirët, edhe lexuesit të cilët kurrë nuk e kanë vizituar Ulqinin do ta njohin atë deri në hollësi, mbase më mirë se edhe ata të cilët kanë qenë shpesh në Ulqin, e u ka mbetur enigmë e pazbërthyer historia e tij e lashtë, siç e njoha dhe e zbërtheva edhe unë më mirë se nga vizitat që i kam bërë këtij qyteti të krenarisë sonë.

Të fundit

më të lexuarat