
Zeta, një komunë në juglindje të Malit të Zi, votoi në fillim të muajit maj një rezolutë për anulimin e njohjes së Kosovës në territorin e saj komunal.
Vendimi i Kuvendit të Komunës së Zetës për të miratuar një deklaratë mbi “tërheqjen e njohjes së Kosovës” nuk ka rëndësi formalo-juridike në marrëdhëniet ndërkombëtare, sepse njohja e shteteve nuk është kompetencë e komunave, por e pushtetit qendror. Megjithatë, simbolika politike e këtij veprimi është shumë më e rëndësishme sesa pesha e tij juridike. Ajo tregon se çështja e Kosovës, edhe pas më shumë se një dekade, nuk është mbyllur, as në rajon dhe as në vetë Malin e Zi. Përkundrazi, ajo vazhdon të mbetet një pikë e ndjeshme identitare dhe gjeopolitike rreth së cilës përplasen vizione të ndryshme mbi historinë dhe të ardhmen e Ballkanit.
Por, ndërsa në Mal të Zi vëmendjen e tërhoqi vendimi simbolik nga Zeta, një krizë shumë më serioze po zhvillohet brenda vetë Kosovës. Atje prej muajsh po grumbullohen bllokada politike, paqëndrueshmëri institucionale dhe përplasje të hapura mes strukturave politike shqiptare. Pamundësia e formimit të një Kuvendi funksional, ndarjet e thella mes partive kryesore dhe spekulimet rreth presidencës së Vjosa Osmanit, tregojnë se problemi i Kosovës sot nuk është vetëm pozita ndërkombëtare, por edhe kriza e brendshme e një sistemi që ende nuk ka ndërtuar institucione të qëndrueshme.
Paradoksi qëndron në faktin se pikërisht në momentin kur Kosova përpiqet të paraqitet si një shtet i konsoliduar, zbulohet se sa e brishtë është ndërtesa e saj politike. Një shtet që ende varet nga prania ushtarake ndërkombëtare, nga mbështetja e SHBA-së dhe NATO-s, mbështetja financiare nga jashtë dhe mbrojtja diplomatike e fuqive të mëdha, vështirë se mund t’ia lejojë vetes një paralizë të zgjatur institucionale.
Përveç kësaj, Kosova nuk e ka të zgjidhur raportin me Serbinë dhe nuk është ende anëtare e OKB-së. Megjithatë, aktorët e skenës politike kosovare duket sikur nuk janë të vetëdijshëm se sa e ndjeshme është pozita e saj ndërkombëtare dhe sa paqëndrueshmëria e brendshme mund të hapë çështjen e vetë mbijetesës së shtetit.
Kosova sot nuk qëndron pezull vetëm mes interesave ndërkombëtare të fuqive të mëdha, por edhe mes ambicieve të brendshme, egoizmave të politikanëve dhe luftës së tyre për pushtet. Në një rajon çfarë është Ballkani, ky nuk është rrezik i vogël. Veçanërisht në situatën kur raportet globale ndryshojnë shumë shpejt.
