
.
Iluzioni im ka qenë se Mali i Zi i vogël do të zhvillohet vrullshëm dhe shpejt, se do të jetë inkluziv dhe do të ofrojë barazi, se do mundësojë zhvillim dhe mirëqenie ekonomike, pranim për atë që jemi, do të krijojë kushte për fqinjësi të mirë, integrime të shpejta dhe kultivojë vlera që nuk bazohen mbi grupe të interesit dhe individë të fuqishëm. Njëzet vjet pas pavarësisë së Malit të Zi, është e pamundur të flitet për një histori suksesi pa përmendur një të vërtetë të pakëndshme – shqiptarët kontribuuan në ndërtimin e këtij shteti, por në këmbim morën margjinalizim, mosbesim dhe në shumë raste trajtim të padrejtë institucional. Shqiptarët jam i bindur se nuk votuan për ripërtëritjen e shtetit të humbur në vitin 1918, sepse asnjë nostalgji romantike nuk i lidhë ata me Malin e Zi të Krajl Nikollës, pushtuesit të trojeve shqiptare, por shqiptarët votuan në referendum që Mali i Zi të shkëputet e të prishen planet serbomadhe dhe shpërbërjen e asaj doktrine që vazhdon të gjykohet e dënohet në Tribunalin e Hagës. Në saje të këtij vendimi, Republika e Kosovës mos të mbahet peng duke e bërë të varur fatin e saj ndaj një shteti të dështuar, i cili nuk meritonte të ekzistonte e as të reformohej.
Referendumi i vitit 2006 nuk do të kishte të njëjtin rezultat pa votën shqiptare. Ky është një fakt i njohur dhe i dokumentuar, por ajo që pasoi ishte një realitet që bie ndesh me çdo premtim për barazi dhe integrim. Vendimi i shqiptarëve që në masë të votojnë në referendum për pavarësi, u konvertua si vendim qytetar, e asisoji shkarkoi veten shteti nga çdo obligim dhe përgjegjësi që të analizojë dhe punojë në përmirësimin e statusit të tyre kombëtar. Në vend të partneritetit, shqiptarëve iu ofrua një model i përjashtimit të heshtur, ku roli i tyre historik pranohet vetëm kur është i nevojshëm, por anashkalohet sapo bëhet fjalë për ndarjen reale të pushtetit dhe të drejtave, ku shteti nuk arrin të gjenerojë barazi, siguri, pranim. Ndoshta kjo është paaftësi e tyre apo ndoshta edhe e jona që të krijojmë sensibilitetin e duhur për nevojat tona, duke u tërhequr dhe nguruar t’u vihet në dijeni se e kaluara jonë lidhet me Shkodrën e jo me Cetinën dhe se shteti qytetar nuk krijohet mbi bazat e së kaluarës së një etnie të caktuar, sepse Cërnojeviqët e Petroviqët për ne nuk nënkuptojnë asgjë dhe nuk zgjojnë asnjë ndjenjë. Se ne nuk votuam ringjalljen dhe vazhdimësinë e një shteti mesjetar sllav, ortodoks e me tipare pansllaviste, por për një shtet modern evropian, që ka shumë të kaluara e ndoshta vetëm një të ardhme.
Malazezët kanë shpenzuar dy dekada për të dëshmuar ekzistencën e kombit të vet të atakuar shpeshherë ashpër nga kontestuesi kryesor, fqinji i tyre verior, duke humbur orientimin e fokusin nga shteti qytetar, gjithëpërfshirës dhe integrues. Mali i Zi themelet i ka mbi qytetarin e jo në poemat e Njegoshit e bëmat e serdarëve e vojvodëve në iluzionin për shtrirje gjithandej, sa kohë që i ndihmonte Rusia e nuk e ndalte Austro-Hungaria.
Askush nuk ua mohon e as nuk kemi takat që malazezët t’i kultivojnë vlerat e veta etnike e gjuhësore, por ama është dashur më fort dhe qartë të punohet në shtetin qytetar, i cili bazohet në barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit dhe në sundimin e ligjit, ku askush nuk është mbi të, që garanton të drejtat dhe liritë themelore, siguron pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje përmes demokracisë, duke siguruar autonomi për njësitë e vetëqeverisjes lokale. Vende me traditë dhe histori shumë të pasur, kur nuk kanë pasur mundësi të ballafaqohen me të kaluarën janë shkëputur nga ajo. Si shembull për këtë mund të shërbejnë Austria, Turqia, Rusia, Italia e shumë shtete të tjera që nuk e mohojnë se janë bijtë e atyre etërve, por jo edhe të asaj trashëgimie shtetërore.
Neve, pa i hapur sytë mirë e pa u tha boja në letër, na u servua një kupë e hidhur, si rasti i “Fluturimit të Shqiponjës”, që mbetet një njollë e rëndë në ndërgjegjen institucionale të shtetit. Arrestimet e shqiptarëve në këtë operacion nuk u perceptuan si akt drejtësie, por si demonstrim force ndaj shqiptarëve etnikë të cilët vetëm para disa muajsh kishin treguar lojalitet politik. Mesazhi ishte i qartë – se besimi nuk shpërblehet, por vihet në provë. Kjo ndikoi që shqiptarët ta perceptojnë shtetin si mekanizëm represiv, selektiv, që ua tregon vendin të gjithë atyre që sipas tyre “çohen peshë”. Edhe sikur shqiptarët të kishin tentuar rrënimin e rendit kushtetues, operacioni do të duhej të ishte më diskret dhe i kujdesshëm, sepse dhuna dhe pasojat e atij operacioni lëkunden mirëbesimin, duke e ditur se besimi ndaj institucioneve krijohet me kohë, kurse rrënimi i besimit shkaktohet me një gjest, e rikthimi i besimit kurrë nuk është i lehtë, do shumë prova dhe garanci.
Në aspektin e kuadrit ligjor, retorika për mbrojtjen e pakicave ka qenë e zhurmshme, por rezultatet konkrete janë minimale, ligjet ekzistuese zbatohen në mënyrë selektive ose mbeten në letër. Shembulli më flagrant është saga e pafundme e malësorëve, ku një kërkesë legjitime për vetëqeverisje u zvarrit për vite me radhë, duke u kthyer në simbol të mungesës së vullnetit politik për t’i trajtuar shqiptarët si subjekt të barabartë, duke ua mohuar atyre të drejtën kolektive bazë që reflektohet në vetadministrim.
Këto dy dekada, edhe më shqetësuese është qasja ndaj identitetit. Mohimi ose relativizimi i prejardhjes ilire të shqiptarëve nuk është thjesht debat akademik, por pjesë e një narrative që synon të zbehë autoktoninë dhe legjitimitetin historik të tyre në këto troje. Ndërkohë, heronjtë dhe figurat kombëtare shqiptare mbeten jashtë kanonit zyrtar, si të padëshiruar në një shtet që pretendohet të jetë gjithëpërfshirës. Shkollat dhe institucionet vazhdojnë të mbajnë emërtime ideologjike komuniste dhe komunizmi nuk ishte vlerë. Instrumentalizohet një ideologji me qëllim bllokues për shqiptarët; sa herë shqiptarët shtrojnë një kërkesë, dalin grupe bllokuese që e ideologjizojnë dhe e lidhin kërkesën me epizode nga e kaluara historike.
Në planin politik, pakica e vetme kombëtare e cila është edhe pakicë gjuhësore ballafaqohet me mungesën e përfaqësimit të garantuar. Kjo nuk është rastësi, por rezultat i një sistemi që nuk i jep hapësirë reale pakicave kombëtare, në numër më të vogla, për të ndikuar në vendimmarrje. Shqiptarët mbeten të fragmentuar dhe të nënpërfaqësuar, ndërkohë që vendimet që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre merren pa peshën e duhur të zërit të tyre.
Në terren, realiteti është edhe më i ashpër. Zonat tradicionale shqiptare përballen me ndryshime demografike që nuk mund të konsiderohen thjesht procese natyrore. Ndjenja e shpërnguljes së heshtur dhe e zëvendësimit gradual është reale dhe e përhapur, ndërsa institucionet që duhet ta adresojnë këtë fenomen mbeten pasive.
Gjuha shqipe, ndonëse e njohur formalisht në përdorim zyrtar aty ku shqiptarët janë shumicë apo edhe mbi 5%, vazhdon të trajtohet si shtesë dhe jo si komponent i barabartë i jetës institucionale. E njëjta logjikë ka ndjekur edhe çështjen e flamurit kombëtar shqiptar, i cili u desh të kalojë nëpër filtra të shumtë ligjorë për t’u pranuar, sikur të ishte një element i huaj dhe jo pjesë e realitetit të këtij shteti, sepse shqiptarët simbolet kombëtare i kanë mjet identifikues e ndërlidhës me të kaluarën e asessi totem pretendimesh.
Në fund, bilanci i këtyre njëzet viteve është i qartë dhe i pakëndshëm. Shqiptarët në Malin e Zi ishin faktor vendimtar për krijimin e shtetit, por nuk janë trajtuar si faktor i barabartë në ndërtimin e tij. Kjo nuk është vetëm padrejtësi historike, por edhe një dështim i modelit demokratik që shteti pretendon të përfaqësojë. Pa një ndryshim të thellë dhe të sinqertë të kësaj qasjeje, çdo përvjetor i pavarësisë do të shoqërohet jo me krenari të përbashkët, por me kujtesë të hidhur për një mundësi të humbur. Për të kapërcyer pritat dhe ngërçet, Mali i Zi e ka të lehtë shumë – thjesht duhet të marrë frymë dhe të inhalohet me sinqeritet duke i hapur mushkëritë, mendjen, zemrën, sytë nga vlerat përendimore dhe të kapet për ato shtylla ku i ka bazamentet Bashkimi Evropian.
