Vazhdim i shmangies së përballjes me të vërtetën historike

Mali i Zi ka të drejtë ta festojë historinë e vet, por jo ta paraqesë atë si përvojë të njëjtë për të gjithë. Pa njohjen e padrejtësive historike, pa një ballafaqim të sinqertë me të kaluarën dhe pa vendosjen e barazisë reale në territoret shqiptare, këto festa mbeten simbol i një historie të njëanshme. Historia nuk kërkon zbukurim, por ajo kërkon guxim, dhe guximi fillon me pranimin se ajo që për njërin ishte pavarësi, për tjetrin mund të ketë qenë një formë tjetër e okupimit

Haxhi Zeneli

.

Çdo shtet ka të drejtë të festojë pavarësinë dhe historinë e vet. Por historia bëhet e rrezikshme kur festohet pa u treguar e vërteta e plotë, sidomos kur ajo përfshin popuj të tjerë që kanë paguar çmimin e asaj “pavarësie”. Pikërisht këtu lind nevoja për reflektim, sepse rasti i shqiptarëve në ish-republikat e ish-Jugosllavisë mbetet ende i patrajtuar ashtu siç e kërkon historia e vërtetë.
Shtrohet pyetja thelbësore: A u çliruan shqiptarët në tërësi në ato procese historike apo ndodhi diçka tjetër? Historia shënon dhe nuk harron, pavarësisht përpjekjeve për ta shtrembëruar apo fshehur.
Sot kemi mundësi ta dimë të vërtetën edhe falë teknologjisë së ashtuquajtur Inteligjencë Artificiale. Duhet theksuar qartë: ajo nuk shpik histori, por mbështetet në të dhëna, fakte dhe burime të dokumentuara ndër dekada. Dhe këto të dhëna sot flasin hapur. Kjo e vërtetë, ndonëse e dokumentuar, mund të mos e bëjë krenar askënd që për vite me radhë i ka servirur popullit të vet një histori të cunguar apo të pavërtetë, duke krijuar një narrativë mitike për kombin e tyre.
Ata që dikur besonin se e vërteta nuk do të dilte kurrë në dritë për shqiptarët, sot duhen të përballen me realitetin. Informacionet që dikur fshiheshin nga publiku, sot janë gjithnjë e më të vështira për t’u mbajtur të fshehta. Dikur, për këto të vërteta, shqiptarët ndëshkoheshin me burg ose edhe me eliminim fizik. Prandaj lind pyetja: Kë do të ndëshkojnë tani ata që e shtrembëruan historinë e vërtetë? Me kë do të përballen, kur faktet janë të hapura për të gjithë?
Fatkeqësisht, disa ende nuk e kanë kuptuar se koha ka ndryshuar. Ata vazhdojnë me të njëjtin mentalitet të periudhës së komunizmit, pa guximin për ta pranuar të vërtetën mbi shtypjen e shqiptarëve, marrjen e tokave, kolonizimin, përpjekjet për asimilim dhe eliminim.
Një shtet që synon paqe të qëndrueshme dhe stabilitet duhet të përballet me të kaluarën, së bashku me të gjithë qytetarët e tij. Pranimi i gabimeve historike nuk e dobëson shtetin; përkundrazi, e forcon atë. Vetëm kështu mund të arrihet pajtimi i vërtetë dhe shqiptarët të ndihen pjesë e barabartë.
Të bazuara në të dhënat historike mbi ngjarjet që lidhen me shqiptarët në Mal të Zi, këto zhvillime përbëjnë një shembull domethënës në Ballkan, ku “pavarësia” e një shteti u shoqërua me padrejtësi ndaj shqiptarëve dhe mohimin e të drejtave të tyre. Për këto çështje dikur nuk guxohej të flitej, sepse shteti i atëhershëm eliminonte çdo zë kritik.
Le ta kujtojmë historinë e hidhur të viteve ’80, e cila është një shembull tipik i ndëshkimit të mësuesve dhe profesorëve tanë në Ulqin pas vitit 1981. Pas demonstratave në Kosovë, klima politike ndaj shqiptarëve u ashpërsua ndjeshëm në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë. Çdo mendim jashtë kornizës ideologjike konsiderohej akt armiqësor dhe ndëshkohej.
Në këtë kontekst, si pasojë e Seminarit të Arsimit, të organizuar në vitin 1981 në Ulqin, u ndëshkuan disa mësues dhe profesorë shqiptarë. Nga Gjimnazi i Ulqinit u përjashtuan dhe u dënuan me burg profesorët Bajram Rexha, Qazim Rexha, Tahir Pereziqi, Mejreme Maraj dhe Mehmet Bardhi, ndërsa në vitin 1984 të njëjtit fat iu nënshtrua edhe profesori Ibrahim Ceka.
Në Anën e Malit, nga shkolla fillore në Katërkollë u pushuan nga puna gjithashtu mësuesit Mehdi Alaj, Idriz Kallaba, Rexhep Kokaj dhe Kadri Doda. Disa prej tyre u përballën jo vetëm me humbjen e vendit të punës, por edhe me ndjekje politike, presione dhe pasoja të rënda për familjet e tyre.
Ky nuk ishte një rast i izoluar, por pjesë e një politike të qëllimshme për të heshtur dhe frikësuar elitën arsimore shqiptare, e cila shihej si bartëse e vetëdijes kombëtare. Në Jugosllavinë komuniste, sidomos pas vitit 1981, mendimi i lirë për shqiptarët nuk tolerohej, ndërsa të arsimuarit që vinin nga Universiteti i Kosovës në gjuhën shqipe trajtoheshin si rrezik politik.
Heshtja institucionale për këto ngjarje vazhdon edhe sot. Nuk ka pasur një proces serioz ballafaqimi me të kaluarën, as marrje përgjegjësie.
13 korriku 1941, në festat zyrtare të Malit të Zi, paraqitet si dita e kryengritjes antifashiste. Lufta kundër fashizmit ishte e drejtë, por për shqiptarët çështja nuk përfundon aty. Pas viteve 1944-1945, ata nuk fituan lirinë kombëtare, edhe pse ishin pjesë e përbashkët e luftërave për liri. Përkundrazi, pasoi një periudhë e represionit komunist, e shoqëruar me ekzekutime pa gjyq, burgosje politike dhe ndalim të simboleve kombëtare. Kjo klimë kulmoi edhe me Masakrën e Tivarit, një ngjarje që edhe sot mbetet objekt debatesh dhe shpesh shmanget një përballje e plotë me të vërtetën historike.
Në këtë mënyrë, shumë shqiptarë e përjetuan kalimin nga një pushtim në një formë tjetër sundimi. E njëjta ndjesi reflektohet edhe në trajtimin e “çlirimit” të Ulqinit dhe qyteteve të tjera shqiptare. Më 26 nëntor 1944, pushtuesi fashist u largua, por menjëherë pas kësaj shqiptarët u përballën me një regjim që i trajtoi si element armiqësor. Patriotë shqiptarë u eliminuan ose u shpallën “armiq të popullit”, ndërsa historia e tyre u fshi tërësisht dhe askush nuk guxonte ta diskutonte, madje në shumë raste as sot.
Në të kundërt, emrat e atyre që urdhëruan krime u përjetësuan në hapësira publike. Kjo e bën të pashmangshme pyetjen: A mund të quhet çlirim një realitet ku viktimat heshten dhe vrasësit nderohen?
Në vitin 2006, gjatë referendumit për pavarësinë e Malit të Zi, shqiptarët luajtën rol vendimtar duke mbështetur krijimin e shtetit me shpresën për liri dhe barazi. Megjithatë, zhvillimet e mëvonshme treguan se pavarësia nuk solli automatikisht të drejta të barabarta politike dhe kulturore.
Mali i Zi ka të drejtë ta festojë historinë e vet, por jo ta paraqesë atë si përvojë të njëjtë për të gjithë. Pa njohjen e padrejtësive historike, pa një ballafaqim të sinqertë me të kaluarën dhe pa vendosjen e barazisë reale në territoret shqiptare, këto festa mbeten simbol i një historie të njëanshme. Historia nuk kërkon zbukurim, por ajo kërkon guxim, dhe guximi fillon me pranimin se ajo që për njërin ishte pavarësi, për tjetrin mund të ketë qenë një formë tjetër e okupimit.
Prandaj, nëse shqiptarët duhen pranuar si pjesë përbërëse e shtetit, atëherë duhet të ekzistojë reciprocitet dhe respekt për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e tyre.

Të fundit

më të lexuarat