
Me rastin e festave të ndryshme, në çdo qytet është bërë praktikë dekorimi i tyre me flamuj nga shërbimet e qeverisjes lokale. Vendosja e flamujve, si shtetëror dhe të pjesëtarëve të popujve që jetojnë në ato mjedise, është e rregulluar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Malit të Zi. Por në këtë aspekt individë të ndryshëm, në kundërshtim me etikën qytetare, i kanë dhënë vetes autorizim për çështje që nuk janë kompetencë e tyre.
Incidenti në Tuz
Pikërisht në lidhje me këtë çështje, mediat informuan se në prag të festimeve për Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, më 21 maj, në Tuz është shënuar një incident lidhur me vendosjen e flamujve në hapësirat publike. Sipas informacioneve nga terreni, disa ditë më parë një grup individësh nga Tuzi kanë vendosur flamujt e Malit të Zi në qendër të qytetit, në hapësira publike. Ndërkaq, kur autoritetet e Komunës së Tuzit kanë tentuar të vendosin flamujt zyrtarë, ashtu siç bëhet çdo vit, përfshirë edhe flamurin shqiptar krahas atij malazez, një grup individësh ka penguar vendosjen e tyre. Në vendngjarje ka mbërritur edhe policia.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në opinionin publik dhe interpretime të ndryshme politike.
Ngjarje të tilla kanë nxitur debat edhe më herët në Malësi. Kjo nuk konsiderohet hera e parë që individë vendas, shqiptarë të asimiluar, shfaqin kundërshtim ndaj pranisë së flamurit shqiptar në aktivitete publike në Tuz.
Çështja e tillë, ndonëse mund të trajtohet e izoluar, ka peshë të veçantë në raportet shoqërore në Malësi, përkatësisht në Tuz, sepse kemi të bëjmë me veprime të cilat i irritojnë qytetarët dhe që mund të ndikojnë në raportet shoqërore në këtë mjedis.
Shqiptarët e asimiluar
Në saje të rrethanave shoqërore e politike, në veriun e hapësirës etnogjeografike shqiptare, në të kaluarën një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve janë përfshirë në procesin e asimilimit. Historikisht dihet se nga shek. XVII, krahina e Kuçit, e cila ishte e banuar me shqiptarë katolikë, filloi të asimilohet në aspektin fetar në ortodoksë e më pas edhe në aspektin gjuhësor, duke përfunduar me atë kombëtar. Një dukuri e tillë i ka përfshirë më parë shqiptarët edhe në krahinën e Plavë-Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Peshterit etj.
Një dukuri e tillë në këto mjedise mori përmasa të mëdha pas viteve 1912/1913, ku në saje të ndryshimeve të pushtetit shqiptarët e përkatësisë fetare islame u asimiluan gjuhësisht e me të edhe në aspektin kombëtar. Se si ka evoluar përkatësia kombëtare në disfavor të shqiptarëve, dëshmohet nga regjistrimi i vitit 1908/1909, ku në Rozhajë këtë vit ishin 86.5% shqiptarë, në Plavë 82.6% dhe në Tuz 100%. Por nga ajo kohë situata ka ndryshuar në disfavor të shqiptarëve, ku në të gjitha këto qytete, duke përjashtuar Tuzin, shqiptarët u asimiluan në myslimanë sllavishtfolës e më pas në boshnjakë, duke u bërë popullsi shumicë.
Por procesi sociologjik i asimilimit të popullsisë shqiptare ka vijuar edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën e sistemit socialist, ku ideologjia komuniste në mënyrë perfide ka mbështetur asimilimin, ku të dhënat nga regjistrimet e popullsisë dhe kontaktet e drejtpërdrejta me këtë popullsi dëshmojnë një konstatim të tillë.
Individët albanofobë në Tuz
Nuk është befasi nëse themi se dukuria e albanofobisë në Malësi është e pranishme, në veçanti në Tuz, ku deri më tash në opinion është manifestuar në disa raste. Si duket, kemi të bëjmë me një grup të indvidëve të cilët jetojnë jashtë realitetit shoqëror, duke harruar se jemi në pluralizëm, ku të gjithë qytetarët duhet të realizojnë në praktikë të drejtat e tyre qytetare e kombëtare. Dhe të tillët janë pjesëtarë të komunitetit sllavishtfolës me përkatësi fetare islame (myslimane), ndërsa për nga origjina janë shqiptarë të asimiluar. Por, rasti i paraqitjes së tyre në opinion nuk është i rastësishëm, sepse duke qenë afër pushtetit në të kaluarën atyre iu pengon çdo e arritur e shqiptarëve në Malësi e sidomos nga konstituimi i komunës së pavarur për territorin e Malësisë me seli në Tuz.
Origjina nuk mund të mohohet
Pasi territori i Malësisë është i vogël dhe njihen pothuajse të gjithë në detaje për nga përkatësia familjare e fisnore, është dëshmi e mjaftueshme për të përcaktuar origjinën e tyre. Ndonëse është e drejtë e çdo individi që të deklarohet sipas dëshirës se vet në aspektin kombëtar, gjuhësor e fetar, origjina nuk mund të mohohet dhe të shlyhet me gomë, sepse argumentet janë të qëndrueshme.
Individët e tillë, në vend që të heshtin duke dëshmuar tolerancë dhe kulturë qytetare, me veprimet e tyre dëshmojnë albanofobi, që paraqet çështje për hulumtim të veçantë. Atyre u pengon çdo gjë që ka të bëjë me identitetin shqiptar, si komuna e pavarur e Malësisë, gjuha shqipe, emblema e re e Klubit të Futbollit “Deçiq” dhe së fundi edhe flamuri shqiptar.
Përfundim
Duke marrë parasysh se në Malësi, përkatësisht në komunën e Tuzit, pushtetin lokal e kanë shqiptarët përmes subjekteve të tyre politike, incidentet e tilla mbesin njollë e individëve apo të sponsorëve të tyre, të cilët pasi i kanë humbur privilegjet nga e kaluara, tentojnë të prezantohen në opinion si shpëtimtarë të shtetit. Por, të arriturat e Komunës së Tuzit janë dëshmi e punës dhe funksionalitetit të qeverisjes lokale, në favor të të gjithë qytetarëve, sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare.
Nuk ka dilemë se të asimiluarit janë specie e veçantë me komplekset e tyre, andaj me këtë kategori të qytetarëve nuk ia vlen të trajtohen çështjet identitare. Sepse çështjet e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Malësi, si në tërë Malin e Zi, në viset e tyre autoktone janë ekskluzive të tyre e jo të të tjerëve, që janë përcaktuar me kushtetutë e ligje, që janë në favor të barazisë qytetare e kombëtare në Mal të Zi, si mjedis specifik shumënacional, shumëgjuhësor e multikulturor, si asnjë vend tjetër në Evropën Juglindore.
