Plavë/Guci – Drejtoritë e shkollave fillore “Hajro Shahmanoviq” – Plavë dhe “Xhafer Nikoçeviq” – Guci, para pak ditësh organizuan ekskursion të përbashkët disaditor për afro 100 nxënës të klasave të nënta bashkë me kujdestarët e tyre, të komunitetit shqiptar dhe boshnjak, të cilët vizituan qendra të ndryshme të rëndësishme kulturore, monumentale e artistike në trojet etnike shqiptare – Shqipëri dhe Kosovë.
Kështu, më 22 dhe 23 maj 2026, nxënësit nga Plava dhe Gucia, të shoqëruar nga kujdestarët e tyre vizituan monumente dhe vende historike në Shqipëri, kurse me 24 maj 2026 vizituan Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit në Prizren si dhe Memorialin e Familjes Jashari në Prekaz të Kosovës.
Ky organizim i rëndësishëm me vlerë të lartë i drejtorive të shkollave në fjalë për edukimin historik dhe forcimin e lidhjeve të ndërsjella ndërmjet të rinjve, është mundësuar nga Fondacioni Plavë-Guci, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”, mbështetur materialisht nga Fondacioni “Lukaj”, për mbulimin e një të tretës së shpenzimeve të këtij ekskursioni, si dhe nga bashkëvendësit dhe aktivistët e mirëfilltë të mërgatës shqiptare në SHBA, të cilët vazhdimisht kontribuojnë për të mirën dhe prosperitetin e çështjes kombëtare dhe përkrahjen e parezervë të brezave të rinj.
Me këtë rast, kontributet financiare për realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm janë dhënë nga mërgimtarët: Xhevat Goçaj, Ben Çelaj, Ben Sinanaj, Alban Prelvukaj (nga 2000 dollarë), Nazmi Ahmetaj (1 000 dollarë), Ismet Dedushaj, Qazim Dedushaj, Bruno Selimaj, Bislim Ahmetaj, Ram Selimaj dhe Fazli R. Gjonbalaj (nga 500 dollarë) dhe Ram Balidemaj, Esad Vuçetaj, Max Hoti, Shpend Haxhaj dhe Gjelosh Vukdedaj (nga 200 dollarë).
Ky aktivitet me peshë dhe vlerë të madhe konsiderohet një hap i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kulturor dhe historik të të rinjve të Plavës dhe Gucisë, duke u ofruar atyre mundësinë që nga afër të njohin historinë, sakrificën dhe trashëgiminë kombëtare shqiptare.
Sh. Hasangjekaj
