Të rinjtë nga Ulqini dhe Tivari ndërtuan ura mirëkuptimi

Protagonistët kryesorë të aktivitetit ishin nxënësit e shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, të cilët me energjinë, kreativitetin dhe angazhimin e tyre dëshmuan se të rinjtë janë forca më e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie më të hapur dhe më solidare. Përveç programit artistik dhe kulturor, nxënësit përgatitën edhe një tryezë të pasur me specialitete tradicionale, duke prezantuar frymën e mikpritjes që e karakterizon Ulqinin dhe komunitetin lokal

Të martën mbrëma (19 maj 2026) në Ulqin u mbajt manifestimi “CrossKultura Fest”, aktivitet i organizuar nga Organizata Joqeveritare “Horizonti i Ri”, në kuadër të projektit “CrossKultura – horizont i mirëkuptimit”, i realizuar me mbështetjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave. Projekti, i cili për disa muaj me radhë ka bashkuar të rinjtë nga Ulqini dhe Tivari, synon promovimin e dialogut ndërkulturor, forcimin e bashkëpunimit dhe krijimin e urave të reja të mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve.
Në këtë manifestim morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe lokale, përfaqësues të shoqërisë civile, drejtues institucionesh publike, mësimdhënës dhe nxënës nga Ulqini dhe Tivari, si dhe shumë personalitete të tjera të jetës publike dhe shoqërore.
Mbrëmja u karakterizua nga një atmosferë gjithëpërfshirëse, ku përmes muzikës, valleve tradicionale dhe prezantimeve kulturore u promovuan vlerat e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë. Protagonistët kryesorë të aktivitetit ishin nxënësit e shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, të cilët me energjinë, kreativitetin dhe angazhimin e tyre dëshmuan se të rinjtë janë forca më e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie më të hapur dhe më solidare.
Përveç programit artistik dhe kulturor, nxënësit përgatitën edhe një tryezë të pasur me specialitete tradicionale, duke prezantuar frymën e mikpritjes që e karakterizon Ulqinin dhe komunitetin lokal.
Në fjalën e tij, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave Fatmir Gjeka theksoi rëndësinë e ndërtimit të urave të besimit dhe mirëkuptimit në një kohë sfidash globale dhe ndarjesh shoqërore.
“Në kohën e sfidave globale dhe ndarjeve në rritje brenda shoqërive, përgjegjësia jonë e përbashkët është të ndërtojmë ura besimi, respekti të ndërsjellë dhe solidariteti. Pikërisht për këtë arsye, ngjarje të tilla kanë rëndësi të veçantë, sepse dëshmojnë se dallimet janë forcë e çdo shoqërie demokratike”, deklaroi ai.
Gjeka e cilësoi Ulqinin si një shembull autentik të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërmjet kulturave, feve dhe identiteteve të ndryshme.
“Ulqini përfaqëson një shembull të rrallë të një mjedisi ku prej shekujsh kultivohet toleranca, bashkëjetesa dhe mirëkuptimi mes kulturave dhe komuniteteve të ndryshme. Ky qytet dëshmon se interkulturalizmi nuk është vetëm një koncept kulturor, por një vlerë reale mbi të cilën mund të ndërtohet një e ardhme e përbashkët”, u shpreh ai.
Ministri theksoi gjithashtu se rruga evropiane e Malit të Zi nuk matet vetëm me reforma institucionale, por edhe me aftësinë për të ndërtuar një shoqëri ku secili qytetar dhe çdo komunitet ndihen të barabartë dhe të respektuar.
Kryetarja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Ivana Popoviq, tha se aktivitete të tilla janë të rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes komuniteteve dhe për promovimin e vlerave që e karakterizojnë Ulqinin.
“Ulqini gjithmonë ka qenë qytet i hapur për të gjithë dhe shembull i bashkëjetesës. Të rinjtë janë ata që duhet ta vazhdojnë këtë frymë dhe ta forcojnë edhe më tej kulturën e dialogut, respektit dhe bashkëpunimit”, deklaroi ajo.
Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sella, vlerësoi rolin e organizatave rinore dhe të sektorit civil në krijimin e një shoqërie më aktive dhe më gjithëpërfshirëse.
“Kur të rinjtë bashkohen rreth ideve pozitive dhe vlerave të përbashkëta, atëherë ndërtohet një komunitet më i fortë dhe më solidar. Aktivitetet si ‘CrossKultura Fest’ tregojnë se kultura dhe bashkëpunimi janë rruga më e mirë drejt mirëkuptimit dhe zhvillimit të shoqërisë sonë”, tha ai.
Drejtoresha e shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim”, Ardita Kovaçeviq, vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe rëndësinë e aktiviteteve që promovojnë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet të rinjve.
“Jemi krenarë me nxënësit tanë, të cilët edhe këtë herë treguan kreativitet, përgjegjësi dhe gatishmëri për të ndërtuar ura komunikimi dhe miqësie. Shkolla jonë do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që promovojnë tolerancën, kulturën dhe bashkëjetesën”, theksoi ajo.
Përfaqësuesit e organizatës “Horizonti i Ri” theksuan se projekti “CrossKultura – horizont i mirëkuptimit” ka krijuar hapësira të reja komunikimi dhe bashkëpunimi mes të rinjve nga Ulqini dhe Tivari, duke ndihmuar në ndërtimin e urave të besimit dhe afrimit mes komuniteteve.
“Ky projekt ka dëshmuar se të rinjtë kanë dëshirë të bashkëpunojnë, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të ndërtojnë një shoqëri më të hapur e më tolerante. ‘CrossKultura Fest’ është vetëm një shembull i energjisë dhe kreativitetit që të rinjtë posedojnë kur u jepet hapësira e duhur”, u tha gjatë aktivitetit.
Projekti realizohet në partneritet me OJQ “Këndi i Tolerancës”, në kuadër të thirrjes publike “Mali i Zi – vend i ndërkulturës: Përmes ndërkulturalizmit drejt kohezionit social dhe shoqërisë gjithëpërfshirëse”, të shpallur nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave.
“CrossKultura Fest” u vlerësua si një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave dhe të rinjve, duke treguar se kultura mbetet ura më e fortë e mirëkuptimit dhe afrimit mes njerëzve.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat