
Paraqitja e grupit kroat “Lelek” në festivalin evropian të muzikës, Eurosong, hapi një histori shumë më të thellë se çfarë domethënieje kishte vetë paraqitja muzikore. Tatuazhet dhe simbolet që mbanin anëtaret e grupit kroat shkaktuan debate në Ballkan: disa i konsiderojnë si simbole kroate, të tjerë se i përkasin traditës së Bosnjës, ndërsa të tretët flasin për një trashëgimi ilire.
Ndoshta pikërisht ky debat tregon sa të thella janë shtresat kulturore të Ballkanit.
Tatuazhi i grave është dokumentuar sidomos te popullsia katolike e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në disa pjesë të Dalmacisë gjatë periudhës së sundimit osman. Motivet më të zakonshme ishin kryqi, dielli, rozetat dhe ornamentet gjeometrike. Në traditën popullore ekzistonte bindja se tatuazhet e ruanin identitetin dhe religjionin. Mirëpo, këto motive duken shumë më të vjetra se mesjeta.
Kur shikohen gjetjet arkeologjike që u takojnë kulturave iliro/paleoballkanike të epokave të bronzit dhe hekurit të Ballkanit jugperëndimor (Glasinac – Mat Drilon) vërehen modele të ngjashme ornamentale: spirale, motive diellore, shenja gjeometrike dhe simbolet e tjera që kanë mbijetuar shekuj të tërë. Natyrisht, shkenca serioze duhet të jetë e kujdeshme. Nuk ekziston një zinxhir i pandërprerë provash që do të lejonte që tatuazhet e sotme të shpalleshin drejtpërdrejt “thjesht ilire”. Shumë prej këtyre simboleve kanë mbijetuar deri sot përmes kostumeve popullore, varrezave mesjetare (stećak), gravurave në dru, stolive të trupit, madje përmes motiveve të qilimave dhe furkave për tjerrje.
Megjithatë, ekziston diçka që nuk mund të injorohet: vazhdimësia kulturore e kësaj hapësire. Në Ballkan, simbolet shpesh mbijetojnë shumë më gjatë se shtetet, besimet dhe gjuhët. Një motiv mund të kalojë përmes epokës ilire, periudhës romake, mesjetës së krishterë, kohës osmane dhe shoqërisë moderne, duke ndryshuar kuptimet dhe format, por duke mbetur ende i dallueshëm. Pasi që mungon zinxhiri i vazhduar i provave të drejtpërdrejta historike, mjafton të konstatohet se trashëgimia e tillë i ruan elementet më të vjetra të simbolizmit iliro/paleoballkanik.
Prandaj, nuk është çudi që sot disa popuj konsiderojnë se kjo trashëgimi u takon pikërisht atyre. Kroatët e shohin këtë përmes traditës popullore katolike të tatuazhit. Në Bosnjë e theksojnë karakterin rajonal të këtij zakoni. Te shqiptarët ekzistojnë motive dhe tradita të ngjashme në krahinat veriore të cilat i ka përshkruar Edith Durham e të cilat shihen si një pjesë të vazhdimësisë antike ilire.
Ndoshta problemi qëndron pikërisht te nevoja moderne që gjithçka duhet t’i përkasë vetëm një kombi. E vërteta është shumë më komplekse sesa kufijtë e kombeve të sotëm.
Tatuazhet që i pamë në “Eurosong” nuk janë vetëm detaj folklorik apo zbukurim skenik. Ato në Ballkan nuk kanë lindur dje. Nën identitetet e sotme ekzistojnë shtresa të thella kulturore që i lidhin popujt më shumë sesa janë të gatshëm ta pranojnë. Ndoshta pikërisht për këtë arsye simbole të tilla zgjojnë kaq shumë emocione.
Kur një popull e sheh në një ornament të lashtë një pjesë të vetvetes, atëherë ai nuk e mbron vetëm historinë por edhe ndjenjën e identitetit.
