Në një atmosferë festive, të mbushur me emocione, krenari dhe art, shkolla fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë shënoi të premten mbrëma (15 maj 2026) Ditën e Shkollës, duke organizuar një aktivitet të pasur kulturor e artistik, ku morën pjesë nxënës, mësimdhënës, prindër, ish-nxënës, veteranë të arsimit dhe mysafirë të shumtë.
Holli i shkollës, i mbushur me të pranishëm, dëshmoi edhe një herë rëndësinë që kjo vatër arsimore ka për Anën e Malit. Programi artistik i përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit solli këngë, valle, recitime dhe aktrime, duke shfaqur talentin, përkushtimin dhe kreativitetin e brezave të rinj.
Në fjalën përshëndetëse, drejtori i shkollës, Mustaf Bardhi, foli për sukseset dhe arritjet e institucionit gjatë këtij viti shkollor.
“Ky vit ka qenë një vit plot punë, përkushtim dhe suksese për shkollën ‘Bedri Elezaga’. Gjatë këtij viti kemi realizuar dhe fituar projekte të ndryshme, të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies”, theksoi ai.
Drejtori Bardhi vlerësoi sukseset e nxënësve në gara të ndryshme shtetërore, duke nënvizuar se këto rezultate janë fryt i punës së përbashkët të stafit pedagogjik, nxënësve dhe prindërve.
“Këto arritje tregojnë se shkolla jonë po ecën vazhdimisht drejt zhvillimit dhe përparimit. Një krenari e veçantë për ne janë sukseset e nxënësve në garat republikane, ku kemi fituar shumë çmime dhe vlerësime”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij nuk munguan as falënderimet për të gjithë kontribuesit e jetës shkollore – mësuesit, nxënësit, prindërit, bashkëpunëtorët, pushtetin lokal dhe pushtetin qendror.
Një nga momentet prekëse të manifestimit ishte fjala e mësimdhënëses Arjeta Kurti, e cila i emocionoi të pranishmit me kujtimin për mësuesin e ndjerë Dritan Kurti.
“Secila gjeneratë ka veçantitë e veta, por kjo gjeneratë ndoshta është edhe më e veçantë. Për mua po, por edhe për ta, kjo ka qenë një periudhë e vështirë dhe e dhimbshme. Paralelja IX/1 humbi mësuesin e tyre, të ndjerin Dritan Kurti”, tha ajo mes emocionesh, duke shtuar se kishte marrë përsipër misionin për ta vazhduar rrugën e nisur nga kolegu e njëheri edhe bashkëshorti i saj.
Programi artistik vazhdoi me interpretime të shumta muzikore, valle tradicionale shqiptare, recitime kushtuar dijes dhe shkollës, si dhe skeçe artistike që u duartrokitën gjatë nga publiku.
Me këtë rast u shpall nxënësja më e mirë e shkollës – Beisa Sulejmani, nxënëse e klasës së nëntë, si dhe u ndanë mirënjohje për nxënësit e shkëlqyer të klasës IX. Po ashtu në ekran u prezantuan emrat e nxënësve të shkëlqyer të kësaj shkolle, sipas klasave.
Dita e Shkollës “Bedri Elezaga” edhe këtë vit dëshmoi se kjo shkollë mbetet një nga institucionet më të rëndësishme arsimore e kulturore jo vetëm të Anës së Malit por edhe në komunën e Ulqinit dhe më gjerë ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, duke ruajtur traditën, dijen dhe frymën e bashkimit ndër breza.
D. Teliqi
