Në Shtëpinë e Kulturës në Ostros, të mërkurën mbrëma (13 maj 2026) u mbajt koncerti me këngë shkodrane, një mbrëmje artistike e organizuar me qëllim të gjallërimit të jetës kulturore në Krajë dhe ruajtjes së traditës së muzikës qytetare shqiptare.
Aktiviteti mblodhi këngëtarë, instrumentistë dhe humoristë, të cilët sollën për publikun një program të pasur artistik, ku të gjitha interpretimet u realizuan “live”.
Artistët pjesëmarrës u shoqëruan nga orkestra live e përbërë nga Nazmi Islami, Fatmir Hasa, Samir Dabi, Hil Dajani, Afrim Çobi dhe Safet Zeneli, të cilët me profesionalizmin e tyre i dhanë një atmosferë të veçantë koncertit dhe sollën tingujt autentikë të muzikës shkodrane.
Publiku pati rastin të shijojë këngë të njohura të muzikës shkodrane dhe popullore shqiptare, të interpretuara me profesionalizëm nga artistët pjesëmarrës.
Programin e hapi Edmir Lika, i cili me interpretimet e tij solli emocione dhe nostalgji te publiku i pranishëm, duke rikthyer atmosferën e muzikës tradicionale qytetare. Më pas, Ramazan Islami vazhdoi mbrëmjen me këngë të repertorit popullor dhe shkodran, të cilat u mirëpritën me duartrokitje nga publiku.
Atmosferën e pasuruan edhe momentet humoristike nga Bashkim Alaj dhe Shefqet Luca, të cilët me humorin e tyre krijuan çaste argëtimi dhe shumë të qeshura për të gjithë të pranishmit në sallë.
Në skenë performuan gjithashtu Egzona Salaj dhe Myzafer Koliqi, të cilët interpretuan këngë të njohura të muzikës popullore shqiptare. Gjatë koncertit u interpretuan edhe këngë të dashura për publikun, si: “Ani erdh behari”, “Metelikun ta kam falë”, “Po ta marr kangën me saze”, “Sa e bukur kenka Gjyla” dhe “Ti më je si një gonxhe”, duke sjellë emocione dhe duke mbajtur gjallë frymën e muzikës tradicionale shqiptare.
Publiku pati rastin të shijojë edhe interpretimet e Mjeshtrit të Madh Gëzim Salaj si dhe performancat e Luigjit dhe Viktorit, të cilët me repertorin e tyre ruajtën frymën autentike të këngës qytetare shkodrane.
Mbrëmja artistike vazhdoi me interpretimet e Blerim Marshiqit dhe Samir Veliqit, të cilët sollën këngë të njohura të repertorit popullor shqiptar, duke e bërë koncertin edhe më të ngrohtë e festiv gjatë gjithë mbrëmjes.
Në fund të koncertit, të gjithë artistët u bashkuan në interpretimin e këngës “Jetoj me këngën shkodrane”, duke përmbyllur me emocion një natë kushtuar muzikës dhe traditës shqiptare.
Gjatë koncertit u kujtua me respekt edhe i ndjeri Muhamet Berjashi, njohës i shumë instrumenteve dhe një zë i veçantë i muzikës popullore e asaj shkodrane. I dashur nga të gjithë, Muhameti mbetet një emër i respektuar në kujtesën artistike të Krajes.
Artistët falënderuan të gjithë ata që mbështetën realizimin e këtij koncerti: Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Bashkësinë Lokale të Ostrosit, restorantin “Primavera”, lulishten “PEONI” për dekorimin e skenës, si dhe Kadro Kurtin për ndriçimin profesional.
Ky koncert dëshmoi edhe një herë dashurinë që publiku krajan ruan për këngën shkodrane dhe rëndësinë e organizimit të aktiviteteve kulturore në trevën e Krajës.
D. Teliqi
