Në vigjilje të shënimit të Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, në ambientet e Librarisë “Ulqini”, të hënën mbrëma (20 prill 2026) në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” u mbajt një mbrëmje letrare e veçantë, në qendër të së cilës ishte promovimi i vëllimit më të ri poetik të autores Rozafa Shpuza “Vetimat e shuejnë inatin n’Bunë”.
Ky aktivitet mblodhi artdashës, krijues dhe përfaqësues të jetës kulturore, duke reflektuar mbi poezinë bashkëkohore shqipe. Përmes vargjeve në gegërisht, autorja sjell një univers të ndjeshëm poetik, ku ndërthuren kujtesa, qyteti dhe përjetimet intime, duke ndërtuar një lidhje të fortë me Shkodrën dhe simbolikën e lumit Buna.
Mbrëmja u hap me leximin nga aktori i Teatrit “Migjeni”, Astrit Fani, të një poezie të librit, e cila vendosi tonin emocional të aktivitetit dhe pasqyroi thelbin e veprës.
Në vijim, drejtoresha e Librarisë “Ulqini”, Arlinda Osmani, në fjalën e saj përshëndetëse vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla, duke theksuar se “ky libër është një dëshmi se kultura jonë ndërtohet mbi ura të përbashkëta. Gjuha dhe kujtesa na lidhin natyrshëm përtej kufijve”.
Një moment i veçantë i kësaj mbrëmjeje ishte fakti se autorja Rozafa Shpuza zgjodhi Ulqinin për të realizuar promovimin e parë të këtij libri, vetëm pak kohë pas botimit, duke e sjellë atë për herë të parë para publikut pikërisht këtu. Ky veprim u interpretua si një dëshmi e lidhjeve kulturore mes Ulqinit dhe Shkodrës.
Në këtë kuadër u theksua se janë pikërisht iniciativat individuale të artistëve dhe njerëzve të kulturës ato që po mbajnë gjallë këtë bashkëpunim, duke bërë shpesh atë që institucionet nuk po arrijnë ta realizojnë me të njëjtin intensitet.
Mbrëmja u udhëhoq nga kryetari i shoqatës “Art Club”, njëherësh gazetar, Ismet Kallaba, i cili në hapje, duke e prezantuar autoren, u shpreh se Rozafa Shpuza nuk është e panjohur për publikun e Ulqinit.
“Para disa vitesh, në Muzeun në Kalanë e Ulqinit është bërë promovimi i një libri të saj. Po ashtu, në Muzeun Etnografik në Draginë është mbajtur një takim letrar me rastin e Ditës Botërore të Poezisë. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e jurive në aktivitete të ndryshme artistike, si në fushën e fotografisë, ashtu edhe në atë të letërsisë dhe recitimit. Ajo është një artiste shumëdimensionale dhe mjaft aktive në jetën kulturore, jo vetëm në Shkodër por në mbarë hapësirën shqiptare”, tha ai.
Gjatë fjalës së saj, autorja Rozafa Shpuza ndau qasjen ndaj gjuhës dhe krijimit.
“Ndihem shumë e nderuar që jam sonte këtu mes jush. Kam shumë miq në këtë qytet, njerëz që i kam takuar në aktivitete të ndryshme letrare dhe artistike. Ju falënderoj që keni ardhur sonte për të ndarë këtë mbrëmje me mua. Ky është promovimi i parë i këtij libri, i cili është botuar para një muaji, dhe jam shumë e lumtur që po e ndaj për herë të parë pikërisht në Ulqin. Ende nuk e kam promovuar në qytetin tim, në Shkodër, sepse aty gjithçka kërkon një organizim më të madh. Ndërsa këtu gjithçka është më e qetë, më e afërt dhe më e ndjerë”, ka thënë ajo në fillim.
Shpuza ka treguar se shkruan në gegërisht, sepse ajo është gjuha e shpirtit të saj.
“Është gjuha që kam trashëguar dhe që më jep mundësinë të shprehem më saktë dhe më ndjeshëm. Shkodra ka një traditë të pasur letrare në këtë dialekt dhe unë e ndiej si përgjegjësi ta vazhdoj këtë rrugë. Ky libër është i mbushur me kujtime, me imazhe dhe me fragmente jete. Shpesh nisem nga fotografia dhe më pas ajo shndërrohet në poezi. Poezia për mua kërkon kohë, ndjeshmëri dhe një lidhje të brendshme me lexuesin. Shpresoj që të paktën një varg apo një poezi nga ky libër t’ju prekë dhe t’ju sjellë një emocion”, është shprehur ajo.
Në vijim të mbrëmjes, profesoresha Drita Gushta foli rreth krijimtarisë së autores, duke theksuar se vepra e saj përfaqëson një poezi urbane, të ndërtuar mbi detaje të vogla të jetës së përditshme që shndërrohen në simbole poetike.
Ajo nënvizoi se Shkodra në poezinë e Rozafës nuk paraqitet si një imazh monumental, por si një hapësirë intime, e përbërë nga kujtime, rrugë, oborre dhe fragmente të jetës së përditshme, duke krijuar një “topografi emocionale” të qytetit.
Mbrëmja u pasurua me interpretime poetike nga aktori i Teatrit “Migjeni”, Astrit Fani, si dhe nga nxënëset e shkollës së mesme në Ulqin, Harisa Mehmeti dhe Mervana Muçaj, të cilët sollën emocione të veçanta përmes recitimit të vargjeve të përzgjedhura.
Në bashkëbisedimin me moderatorin e përurimit dhe të pranishmit, autorja foli për procesin e saj krijues dhe për mënyrën se si fotografia dhe poezia ndërthuren natyrshëm në punën e saj, duke theksuar se shpesh një imazh shndërrohet në pikënisje për një tekst poetik. Ajo u ndal gjithashtu te lidhja e saj e fortë me Shkodrën dhe sfidat e të shkruarit në një traditë të pasur letrare.
Mbrëmja u përmbyll me bashkëbisedim, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla në forcimin e jetës kulturore dhe lidhjeve ndërmjet Ulqinit dhe Shkodrës.
Rozafa Shpuza ka lindur në Shkodër, një qytet që ka lënë gjurmë të thella në krijimtarinë e saj. Ajo është poete, fotografe dhe kuratore. Arti i saj lëviz natyrshëm mes fjalës dhe imazhit, duke krijuar një univers të veçantë shprehës.
Është autore e pesë librave: “Kohë ikonash”, “Anipse”, “Grizhlat”, “Nana i qindiste kryq dimnat” dhe “Vetimat e shuejnë inatin n’Bunë”, botuar nga shtëpia botuese “Fiorentia” në Shkodër.
Poezitë e saj janë vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare në konkurse letrare. Ajo ka ekspozuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Prej vitesh drejton Galerinë “Oda”, një hapësirë që është kthyer në pikëtakim për artistë të shumtë, përfshirë edhe ata shqiptarë në Malin e Zi.
D. Teliqi
