Në Qendrën e Komunitetit Shqiptar në Stetën Ajlënd (Staten Island) të Nju-Jorkut, Shoqata “Kraja” mbajti të dielën (1 shkurt 2026) Kuvendin e rregullt zgjedhor, ku kryetar i ri për një mandat dyvjeçar u zgjodh aktivisti i njohur i komunitetit krajan në SHBA, Sulejman Vela.
Ai ishte kandidati i vetëm për kryetar, duke u votuar njëzëri me votim të hapur nga anëtarët pjesëmarrës të Kuvendit.
Gjatë fjalimit të tij domethënës dhe frymëzues pas zgjedhjes kryetar, Vela i falënderoi të pranishmit për votën e tyre, mbështetjen dhe besimin e treguar për ta udhëhequr Shoqatën “Kraja” në dy vitet e ardhshme.
Ai u zotua se do të punojë me përkushtim dhe përgjegjësi morale e humanitare për Krajën, krajanët dhe jo vetëm.
Sulejman Vela ka lindur në fshatin Bes(ë) të Krajës (Shestanit), në një familje me tradita atdhetare dhe komunitare. Si shumë bashkëvendës të tij, ai emigroi në SHBA, përkatësisht në Nju-Jork, ku filloi punë dhe krijoi familjen e tij të mrekullueshme. Pas disa vitesh punë, hapi biznesin e vet duke arritur një sukses të madh me punën e tij profesioniste dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë një biznesmen i dalluar në komunitet. Ai dallohet me punët dhe humanizmin e tij, jo vetëm në komunitetin krajan por edhe më gjerë. Bamirësia, humanizmi, ndihmat dhe kontributet janë motoja e jetës së tij. Ai di ta shtrijë dorën edhe aty ku ndoshta të tjerët nuk marrin guximin, vetëm në mënyrë që ai i cili ka nevojë ta ndiejë veten në mesin e të mirëve. Bamirësitë dhe humanizmi i tij shtrihet dhe i tejkalon kufijtë edhe përtej trevës nga ai vjen – Kraja.
I edukuar familjarisht dhe shpirtërisht për vepra të mira, për Sulejmanin këto janë inspirim i vlerave humanitare. Ai thotë se “duhet t’u ndihmojmë të varfërve, t’i tregojmë paqen gjithkujt, të përhapim në mes njerëzve dashurinë, respektin, të kultivojmë të mirën dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin”.
Sulejman Vela pason në krye të Shoqatës “Kraja” kryetaren e deritashme Venera Gjenashaj.
H. Alaj
