Murtaja, deti dhe mekanizmat e mbrojtjes në Adriatik

Edhe pse shpërthimi i vitit 1761 nuk ishte pjesë e një pandemie të madhe evropiane, ai u trajtua me seriozitet maksimal për shkak të rolit strategjik të Ulqinit si port adriatik. Ky dokument e vendos Ulqinin në hartën e historisë evropiane të shëndetit publik dhe dëshmon se qyteti ishte një nyjë kyçe në rrjetet e qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe, në raste fatkeqe, edhe të sëmundjeve

Ulqini (Dulcigno) ishte një qytet bregdetar nën administrimin osman, por me ndikime të forta veneciane dhe me traditë të fuqishme detare. Lidhjet e tij tregtare dhe lundruese me portet italiane, si Ankona dhe Venecia, e bënin çdo shpërthim sëmundjeje në këtë qytet një kërcënim serioz për gjithë Adriatikun.
Këtë e dëshmon gazeta Giornale di Foligno, nr. 37, e vitit 1761, një fletë informative e rrallë e shekullit XVIII, e dokumentuar në katalogë antikuarë. Një pjesë e konsiderueshme e këtij botimi i kushtohet “infelice notizie” – lajmeve të pafatshme – mbi rishfaqjen e një sëmundjeje ngjitëse – murtajës, në Ulqin.
Sipas raportimeve që i mbërritën Konsultës së Shenjtë të Shteteve Papnore, sëmundja kishte marrë përmasa shqetësuese dhe po përhapej me rrezik të madh edhe për zonat fqinje. Përmendet rasti i Zubçit, një fshat i Antivarit (Tivari i sotëm), ku një i ri i larguar nga zona e prekur vdiq me shenja të qarta të murtajës, ndërsa familja e tij pësoi të njëjtin fat.
Megjithëse banorët e Lastës (Petrovacit të sotëm) tentuan t’i ruanin kufijtë e tyre, autoritetet papnore reaguan menjëherë. Konsulta e Shenjtë, duke vepruar si organ i posaçëm për shëndetin dhe me miratimin e drejtpërdrejtë të Papës, vendosi një karantinë 28-ditore (contumacia).
Kjo karantinë u aplikua për anijet, mallrat dhe personat që vinin nga Gjiri i Kotorrit (Bocche di Cattaro), Castel Nuovo (Herceg Novi), Ragusa (Dubrovniku) dhe brigjet e Shqipërisë Turke. Asnjë mjet lundrues apo person nuk lejohej të hynte në portet e shtetit kishtar pa përfunduar më parë karantinën në Ankonë ose Civita Vecchia.
Edhe pse shpërthimi i vitit 1761 nuk ishte pjesë e një pandemie të madhe evropiane, ai u trajtua me seriozitet maksimal për shkak të rolit strategjik të Ulqinit si port adriatik. Ky dokument e vendos Ulqinin në hartën e historisë evropiane të shëndetit publik dhe dëshmon se qyteti ishte një nyjë kyçe në rrjetet e qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe, në raste fatkeqe, edhe të sëmundjeve.

S. Flamuri

Të fundit

më të lexuarat