Disa qindra bashkatdhetarë që jetojnë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë tubuar në Hotelin “Hilton” në Staten Island, të premten mbrëma (28 nëntor 2025), në festën e përvitshme të kremtimit të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, të organizuar nga shoqatat “Ana e Malit” dhe “Kraja”.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Shoqatës “Kraja”, Venera Gjenashaj, ka falënderuar të pranishmit që, siç ka thënë ajo, “kanë ardhur për të festuar një ditë krenarie, historie dhe uniteti”.
“Sot nderojmë guximin dhe qëndrueshmërinë e popullit shqiptar, si dhe flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe, që përfaqëson identitetin tonë. Gjithashtu duam të shprehim një falënderim të sinqertë për të gjithë mbështetësit dhe të ftuarit tanë. Prania dhe përkrahja juaj kanë shumë vlerë për komunitetin tonë. Le ta shfrytëzojmë këtë moment për të reflektuar mbi trashëgiminë tonë, për të vlerësuar vlerat që na bashkojnë dhe për të shijuar këtë rast të veçantë së bashku. Jemi mirënjohës që jeni me ne”, ka thënë ajo, duke uruar Festën e Flamurit.
Kryetari i Shoqatës “Ana e Malit”, Albert Salaj, ka thënë se kjo mbrëmje është festë e bashkimit, e traditës dhe e krenarisë sonë kombëtare.
“Sot jemi mbledhur për të festuar ditën më të shenjtë të historisë sonë – 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ditë na kujton rrugën e gjatë të popullit tonë, sakrificat, atdhedashurinë dhe përkushtimin e brezave që luftuan për identitetin dhe lirinë tonë”, ka thënë ai.
Salaj ka thënë se “si komunitet në mërgatë, ne e kemi detyrë ta ruajmë këtë trashëgimi dhe ta përcjellim me krenari nga brezi në brez. Bashkimi ynë është forca jonë më e madhe”.
Në mesin e personaliteteve të jetës politike dhe publike nga vendlindja dhe diaspora shqiptare në SHBA, në këtë manifestim kanë marrë pjesë edhe ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, i shoqëruar nga sekretari shtetëror i kësaj ministrie, Astrit Hoxha.
Në fjalën përshëndetëse, ministri Gjeka ka vlerësuar rolin dhe kontributin e diasporës sonë në SHBA, qoftë në vendin ku ata jetojnë, por edhe në vendlindje.
Në programin e manifestimit kanë marrë pjesë fëmijët e shkollës “Mëso shqip” dhe grupit të valltarëve “Barbana” që vepron në kuadër të saj, të cilët kanë recituar vargje me motive atdhetare dhe luajtur valle karakteristike të trevave nga vijnë – Ulqini, Ana e Malit dhe Kraja, duke sjellë një copë të vendlindjes në SHBA. Po ashtu edhe këngëtarët vendas Vesel Pelinku, Valdet Luka, Sead Asllani, Lirije Dedvukaj dhe këngëtarë të ftuar nga Kosova, të cilët me këngët e tyre i kanë argëtuar të pranishmit.
Gjatë manifestimit, i cili është përshkuar nga ndjenja e unitetit dhe krenarisë kombëtare, për disa aktivistë që kanë kontribuar në jetën e komunitetit shqiptar në Nju Jork janë ndarë mirënjohje nga zyra e kongresistes Nicole Malliotakis dhe e kryetarit të Bashkisë së Staten Island, Vito Fossella.
i. k.
