Dëshmi e veprimtarisë patriotike

Përmes bisedave me pjesëtarët e gjallë të grupit “Jehona e Krajës” dhe të familjarëve të anëtarëve që kanë ndërruar jetë, pastaj bashkëveprimtarëve të tyre nga Kosova, si Selatin Novosella e Elmi Reçica, autori përpiqet të rrëfejë dhe dokumentojë veprimtarinë e këtij grupi

Në organizim të Shoqatës “Kraja”, të dielën mbrëma (30 nëntor 2025), në prani të një numri të madh të bashkatdhetarëve nga treva e Krajës, por edhe nga Ana e Malit, në Qendrën e Komunitetit Shqiptar në Staten Island u shfaq premiera e dokumentarit “Flamurtarët e Eho Jehonës së Krajës – Zëri që nuk hesht kurrë”.
Dokumentari është realizuar nga gazetari Bekim Adili nga Kërçova, punonjës në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me mbështetjen e Shoqatës “Kraja”. Ai i kushtohet “Jehonës së Krajës”, këtij grupi që u formua në vitet ’80 të shekullit të kaluar, pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, si formë e rezistencës dhe ndërgjegjësimit të popullatës vendase kundër shtypjes dhe padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve në Malin e Zi nga pushteti i kohës.
Autori i dokumentarit ka rrëfyer se si i ka lindur ideja për realizimin e tij.
Ai ka thënë se shkak për këtë është bërë mbesa e tij, e martuar në një familje krajane.
“Kur e njoha Krajën tuaj dhe tonën, atë bukuri peizazhi… Dhe përveç bukurisë, mësova edhe për atdhedashurinë, e cila ju karakterizonte të gjithë juve”, ka filluar Adili rrëfimin e tij, për të vazhduar se përmes veprimtarit Ali Perashi, pjesëtar i grupit “Jehona e Krajës”, siç ka thënë ai, “një njeriu të heshtur që mezi i nxirrja fjalët”, ka kuptuar realisht historinë, jo vetëm të “Jehonës së Krajës”, por të vetë Krajës.
“Dhe duke bashkëbiseduar, më intrigonte me ato çfarë ai thoshte, vërejta se brenda botës së tij ka një histori – histori e cila lidhej jo vetëm me veprimtarinë dhe sakrificën e tij, por edhe të disa veprimtarëve dhe të vetë historisë së Krajës”, ka thënë gazetari.
Ai ka thënë se shpreson që dokumentari do t’u pëlqejë, por ka shprehur vullnetin për të pranuar sugjerimet dhe për ta përmirësuar atë.
Në emër të Shoqatës “Kraja”, të pranishmëve u është drejtuar nënkryetari Hysen Kraja, i cili i ka cilësuar pjesëtarët e grupit “Jehona e Krajës” burra të cilët e kanë ngritur Krajën në piedestalin më të lartë të historisë sonë kombëtare.
“Prandaj këtyre njerëzve ne nuk mund t’u dalim hakut kurrë, nuk mund t’ua shlyejmë borxhin kurrë, por së paku çfarë mund të bëjmë është një nderim… dhe t’ju premtojmë se vuajtjet dhe sakrificat e tyre nuk do t’i harrojmë kurrë”, ka thënë ai.
Kraja ka thënë se në kohën kur këta heronj kanë vepruar, jo gjithkush e shihte robërinë siç e shihnin këta.
“Shumica e shqiptarëve, për fat të keq, në epokën e ish-Jugosllavisë nuk ishin të lirë. Këta sakrifikuan gjithçka vetëm për të dëshmuar që ajo liri nuk ishte asgjë tjetër, vetëm një fasadë false, prapa së cilës fshihej një projekt i shfarosjes së shqiptarëve. Dhe këta sakrifikuan gjithçka duke mos kërkuar asgjë”, ka theksuar ai.
Përmes bisedave me pjesëtarët e gjallë të grupit “Jehona e Krajës” dhe të familjarëve të anëtarëve që kanë ndërruar jetë, pastaj bashkëveprimtarëve të tyre nga Kosova, si Selatin Novosella e Elmi Reçica, autori përpiqet të rrëfejë dhe dokumentojë veprimtarinë e këtij grupi.
Aktiviteti është hapur me tingujt e këngës “Nazire Cura” të këngëtarit Blerim Marshiqi, shoqëruar nga fëmijët e grupit “Barbana” të shkollës shqipe “Mëso shqip”.
Të pranishëm në shfaqjen e premierës së filmit dokumentar ishin dy anëtarët e grupit “Jehona e Krajës” – Ali Perashi dhe imami Jusuf Boli, të cilëve së bashku me ideatorin dhe autorin e dokumentarit, gazetarin Bekim Adili, në fund të aktivitetit Shoqata “Kraja” u ka ndarë mirënjohje për kontributin e tyre atdhetar.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat