Cili dotë jetë epilogu?

Derisa nga kabineti i Presidentit të Malit të Zi kanë thënë se Millatoviq ia ka kthyer Kuvendit të Malit të Zi në rishqyrtim Ligjin mbi plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme për arsye juridike, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj pretendon se kjo është bërë për qëllime personale, e që si pasojë përfundimtare ka dëmtimin e Komunës së Tuzit

Mosdekretimi nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i Ligjit mbi plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme, i miratuar nga Kuvendi i Malit të Zi, është bërë shkak i përplasjes së tij me zëvendëskryeministrin për politikë ekonomike, njëherazi ministër i Ekonomisë, Nik Gjeloshaj, i cili vjen nga radhët e Forumit Shqiptar.
Kjo përplasje ka degraduar në akuza personale, aq sa nga kabineti i Presidentit Jakov Millatoviq kanë deklaruar se zëvendëskryeministri Gjeloshaj e ka kërcënuar atë (Millatoviqin) dhe kanë kërkuar nga kryeministri Millojko Spajiq shkarkimin e Gjeloshajt.
Derisa nga kabineti i Presidentit të Malit të Zi kanë thënë se Millatoviq ia ka kthyer Kuvendit të Malit të Zi në rishqyrtim Ligjin mbi plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme për arsye juridike, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj pretendon se kjo është bërë për qëllime personale, e që si pasojë përfundimtare ka dëmtimin e Komunës së Tuzit.
Në arsyetimin e tij, Millatoviq ka theksuar se ka vendosur ta kthejë ligjin në Kuvend për shkak të shkeljeve kushtetuese në dokument, paqartësive ligjore dhe mundësisë që 22.000 fermerë t’i humbasin lehtësimet tatimore.
Me ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvendin e Malit të Zi, parashikohet që qeverisjet vendore të kenë kompetenca më të mëdha në përcaktimin e vlerës së tatimit mbi pasuritë e paluajtshme.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj ka pretenduar se Millatoviq ka refuzuar të dekretojë ligjin për shkak të “lidhjeve të tij si kumbari me Nebojsha Vuksanoviqin, ish-kryetarin e Bordit të Drejtorëve të kompanisë ‘Plantacionet’, me qëllim përfitimin personal për vete dhe për të”.
Vuksanoviq, ish-anëtar i Partisë Popullore Socialiste, tani punon në Presidencën e Malit të Zi, nga e cila kanë mohuar se ai është kumbara i Millatoviqit, derisa kanë thënë se është angazhuar si ndihmës në zyrën e Presidentit.
Në thelb të përplasjes së dy pushtetarëve të lartë qëndron kontesti ndërmjet Komunës së Tuzit dhe kompanisë “13 Korriku – Plantacionet” (Plantazhe) lidhur me llogaritjen e taksës së pasurisë së paluajtshme mbi tokën bujqësore. Ka vite që lidhur me këtë kontest ato zhvillojnë procese gjyqësore në gjykatat e Malit të Zi. Pas pavarësimit të Komunës së Tuzit, pjesa më e madhe e pronës së kompanisë “Plantacionet” bën pjesë në territorin e kësaj komune.

Mesazhet
Për të dokumentuar, sipas tyre, kërcënimet ndaj Presidentit Jakov Millatoviq, nga zyra e tij kanë publikuar mesazhet që ai ka shkëmbyer me zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj, i cili i ka shkruar se ka bërë gabim të madh “duke shfrytëzuar pozitën e Presidentit për interesa të kumbarës së tij. Nuk duhej të ishe futur në këtë punë, prandaj prit një reagim nga shqiptarët në të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim”.
Në vazhdimin e bisedës dhe mesazhin e Presidentit se le të flasë kështu (në këtë mënyrë) me ata që është mësuar, por jo me të, Gjeloshaj i ka thënë Millatoviqit: “Do ta marrësh përgjigjen që meriton”.
Kjo nuk është hera e parë që Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq ia kthen për rishqyrtim Kuvendit ligjet dhe marrëveshjet e miratuara prej tij. Kujtojmë se ai nuk e ka dekretuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Prokuroria ka njoftuar se ka formuar lëndën dhe nisur hetimet lidhur me këtë rast, pas paraqitjes së tij në polici nga zyra e Presidentit të Malit të Zi.
Përplasja ndërmjet Presidentit Jakov Millatoviq dhe zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj ka hasur në reagime të ndryshme. Në mbështetje të Gjeloshajt janë deklaruar nga koalicioni Forumi Shqiptar, Komuna e Tuzit dhe shoqatat që tubojnë shqiptarët nga Malësia në diasporë.
Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, nuk është deklaruar deri tani rreth kësaj përplasjeje dhe kërkesës për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Gjeloshaj nga Presidenti Jakov Millatoviq. Ky i fundit e ka përsëritur kërkesën drejtuar kryeministrit për shkarkimin e Gjeloshajt, prandaj pritet se cili do të jetë epilogu i kësaj përplasjeje të paprecedent.

I. Kallaba

Reagimi i Komunës së Tuzit

Komuna e Tuzit ka përshëndetur miratimin njëzëri të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme nga Kuvendi i Malit të Zi.
“Me këtë vendim është shfuqizuar ligji i miratuar më 30 dhjetor 2021, i cili kishte vetëm një qëllim – të dobësonte financiarisht dhe të pengonte zhvillimin e Komunës së Tuzit.
Shpreh mirënjohje të sinqertë për të gjithë deputetët që kanë njohur këtë padrejtësi dhe kanë mbështetur ndryshimet me të cilat ndalet dëmi politikisht i motivuar ndaj Komunës së Tuzit, pas së cilit qëndronte Nebojsha Vuksanoviq me bashkëpunëtorët e tij”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Ndërkohë, lidhur me mosdekretimin e këtij ligji nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ai ka thënë se kemi të bëjmë me presion institucional që i tejkalon kufijtë e veprimit ligjor dhe kushtetues, dhe që, në vend që t’u shërbejë qytetarëve, potencialisht favorizon struktura të ngushta interesash.
Përkundër kësaj, Gjelaj ka thënë se do të vazhdojnë të këmbëngulin për miratimin e përsëritur të Ligjit, në përputhje me ligjin dhe vullnetin e Kuvendit.
“Lufta për autonominë institucionale dhe financiare të Komunës së Tuzit nuk është çështje politike por është çështje parimi, përgjegjësie dhe e së ardhmes së gjithë qytetarëve”, ka porositur ai.

Të fundit

më të lexuarat