Reformë zgjedhore gjysmake

Miratimi i këtyre ndryshimeve mund të cilësohet vetëm reformë zgjedhore gjysmake pasi që nuk përfshin edhe listat e hapura dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit të Komunës, si parakushte për një sistem zgjedhor demokratik

Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar të premten (25 korrik 2025) me votat e deputetëve të pozitës dhe opozitës propozimligjet për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale dhe Ligjin për financimin e subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore, që përcaktojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të njëjtën ditë, profesionalizimin e komisioneve zgjedhore dhe rritjen e kuotës së përfaqësimit gjinor (të femrave) në listat zgjedhore.
Për propozim ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve kanë votuar 67 deputetë, për Ligjin mbi vetëqeverisjen lokale 68 deputetë, kurse për Ligjin mbi financimin e subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore 69 deputetë.
Në bazë të ndryshimeve të miratuara, “zgjedhjet e përgjithshme lokale mbahen njëkohësisht në të gjitha komunat çdo katër vjet, të dielën e dytë të qershorit”, ndërsa është përcaktuar që zgjedhjet e para lokale të mbahen më 13 qershor 2027.
Miratimi i këtyre ndryshimeve është përshëndetur nga shumica e forcave politike në vend dhe përfaqësuesit e disa institucioneve ndërkombëtare, megjithatë kjo reformë zgjedhore mund të cilësohet gjysmake pasi që nuk përfshin edhe listat e hapura dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit të Komunës, si parakushte për një sistem zgjedhor demokratik.
Nënkryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Zdenka Popoviq nga Demokratët e Malit të Zi e ka konsideruar historik vendimin me të cilin përcaktohet ligjërisht detyrimi që të paktën 40 për qind e kandidatëve në listat zgjedhore të jenë femra.
“Ky vendim historik përfaqëson një hap të madh përpara për demokracinë tonë, por edhe një mesazh të qartë se Mali i Zi mbështet parimet e barazisë, drejtësisë dhe përfaqësimit të të gjithë qytetarëve”, ka thënë ajo pas miratimit të ndryshimeve ligjore nga Kuvendi i Malit të Zi.
Sipas saj, kjo reformë nuk është vetëm një hap formal, por një fitore thelbësore për të gjitha gratë që luftuan për dekada për një zë të barabartë në jetën politike të Malit të Zi.
“Si nënkryetare e Kuvendit, por edhe si një grua që ka qenë pjesë e këtij udhëtimi për një kohë të gjatë, besoj se ky ligj është themeli i një Mali të Zi të ardhshëm më gjithëpërfshirës dhe të drejtë”, ka thënë Popoviq.
Megjithatë, nga Ministria e Administratës Publike, si iniciatore e ndryshimeve të legjislacionit zgjedhor, kanë deklaruar se pa lista të hapura dhe përfaqësim të pakicave, nuk ka reformë të vërtetë zgjedhore.
“Jemi të kënaqur që disa nga idetë e parashtruara në Konceptin e Ligjit për Zgjedhjet Lokale më në fund kanë dalë në dritë – para së gjithash mbajtja e zgjedhjeve lokale në një ditë të vetme, profesionalizimi i organeve zgjedhore, por edhe rritja e kuotave gjinore në zgjedhje”, ka deklaruar ministri Marash Dukaj, duke përkujtuar se ekipi i Ministrisë që ai drejton ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përparim përmes iniciativave para Kuvendit që para dy vitesh, si dhe përmes vetë Konceptit të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.
“Disa nga propozimet tona janë njohur dhe janë pranuar nga Komisioni për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore i Kuvendit, pavarësisht kundërshtimeve të shumta që janë shfaqur në kohën e dorëzimit të Konceptit në adresë të ministrisë sonë. Megjithatë, mundësia për realizimin e një reforme zgjedhore të thellë dhe gjithëpërfshirëse, që do të mundësonte demokratizim të plotë të procesit zgjedhor, në përputhje me praktikat më të mira, standardet demokratike dhe respektimin e rendit kushtetues, nuk është shfrytëzuar në masën e nevojshme”, ka thënë ai.
Dukaj ka thënë se edhe pas këtyre ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjeve, të miratuara nga Kuvendi i Malit të Zi, qytetarët kanë mbetur të privuar nga të drejtat thelbësore demokratike – të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes listave të hapura, të zgjedhin drejtpërdrejt kryetarin e komunës dhe zëvendësin e tij etj.
Ai ka ngritur edhe problemin e rregullimit të listës zgjedhore.
“Përveç kësaj, reforma nuk mund të jetë e plotë pa një rregullim të thelluar të listës zgjedhore, e cila prej vitesh shkakton mosbesim te qytetarët dhe aktorët politikë. Pa këtë hap të rëndësishëm, çdo proces zgjedhor mbetet nën hijen e kontestimeve”, ka thënë ai.
Sipas Dukajt, gjithashtu, është e domosdoshme të përfshihen masa afirmative për popujt pakicë, të cilat garantojnë përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë politike të të gjitha komuniteteve në jetën demokratike të vendit, në përputhje me standardet evropiane.
“Kujtojmë domosdoshmërinë e miratimit të një Ligji të ri dhe reformues për vetëqeverisjen lokale, të cilin MAP tashmë e ka përfunduar. Ndryshimet parciale nuk janë të mjaftueshme dhe ne do të angazhohemi për ndryshimin e instituteve themelore të pushtetit lokal”, ka thënë ai, duke shtuar se qëllimi i kësaj ministrie është decentralizimi i thellë i komunave, me besim të qytetarëve në institucione.
Ministri i Administratës Publike ka përfunduar se “inkurajon fakti se Komisioni do të vazhdojë punën e tij, në mënyrë që ky proces thelbësor të përmbyllet në një mënyrë që i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe parimeve të demokracisë kushtetuese”.

I. Kallaba

Kryetari Jakov Millatoviq: Zgjedhjet në qershor 2027, vendim i gabuar

Kryetari i Malit të Zi, Jakov Millatoviq e ka konsideruar gabim dhe shqetësues vendimin që zgjedhjet lokale të mbahen më 13 qershor 2027.
“Është një veprim i gabuar. Në vend që të gjitha forcat të përqendrohen në të ardhura, promovim dhe mysafirë – vëmendja do të jetë e drejtuar në fushatat politike. U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë përgjegjësi”, ka thënë ai.
Kryetari i Malit të Zi mendon se zgjedhjet duhet të mbahen në periudha që nuk e rrezikojnë sezonin, në fillim të pranverës ose vjeshtës.
“Sezoni turistik duhet të jetë një kohë për punë, rritje dhe të ardhura, jo për përçarje politike. Është koha që turizmi të bëhet ai që meriton të jetë – përparësia strategjike e Malit të Zi”, ka deklaruar Millatoviq.

Të fundit

më të lexuarat