Shiu mbetet burimi i vetëm për të mbajtur gjallë tokën

Toni Ujkaj

Uji është burimi më esencial i jetës dhe ekzistencës njerëzore, është i domosdoshëm në çdo moment dhe në çdo periudhë të vitit, por më së shumti nevoja për të ndihet gjatë muajve të nxehtë e përvëlues të verës.
Pikërisht kur nevoja për ujë është kaq e madhe në këtë periudhë të vitit, vuajtja nga mungesa e tij është një problematikë që prej dekadash rëndon shumë fshatra të Malësisë. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë fare ujësjellës, as sis tem të ndërtuar, as tubacione të vendosura, as ndonjë projekt të përfunduar që do ta zgjidhte këtë hall të përhershëm.
Në shumë biseda me banorë të disa fshatrave, shprehjet janë gjithnjë të njëjta, të ngarkuara me shqetësim dhe zhgënjim. Ata pyesin me të drejtë se pse janë të harruar, pse janë lënë pas dore, sikur të mos ishin pjesë e së njëjtës bashkësi, të së njëjtës shoqëri.
Nevoja për ujë është diçka bazike dhe jetike që duhej t’ua kishin siguruar çdo amvisërie, në çdo kohë, në çdo vend. Sot që flasim për zhvillim, për investime dhe për politika afatgjata, ende ka fshatra që nuk kanë fare ujësjellës, ku banorët detyrohen të mbështeten në autobot, i cili edhe ai herë pas herë pëson defekte.
Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë gjendje është fakti se pjesa më e madhe e familjeve në këto zona jetojnë me bujqësi dhe blegtori. Si mund të kenë ata “guxim” (edhe pse të detyruar) të mbjellin arat e tyre, si të investojnë në tokë kur e dinë se edhe për të ujitur mbjelljet varen nga ndonjë pikë shiu, pra janë krejtësisht në mëshirë të fatit.
Sot që jetojmë në epokën moderne, kur teknologjia ka përparuar dhe në shumë vende që synojnë zhvillimin infrastrukturor flitet për bujqësi të avancuar dhe sistem vaditjeje moderne, është e pakuptueshme që ende ka banorë që presin shirat për të mundur të vadisin tokën apo për të mbushur një fuçi me ujë, vetëm për të vaditur një kopsht të vogël me dy-tri perime të stinës.
Në fshatrat e Trieshit si Poprati, Korita dhe shumë të tjerë, autoboti është i vetmi shpëtim, i vetmi mjet që i lidhë këta banorë me një nevojë elementare për mbijetesë. Por edhe kjo zgjidhje është e përkohshme, jo gjithmonë e mjaftueshme dhe nuk garanton furnizim të qëndrueshëm, pavarësisht përpjekjeve për të përmbushur nevojat më urgjente të banorëve.
Mirëpo është e pazakontë që banorët e këtyre zonave të vazhdojnë të jetojnë me pasiguri për një nevojë kaq jetike. Mungesa e ujit nuk është vetëm një çështje infrastrukture, por një problem që kërkon më shumë vëmendje, kujdes dhe planifikim të përgjegjshëm për të përfshirë të gjithë qytetarët në të njëjtën përkujdesje publike.
Në vendet e zhvilluara, fshatrat malore zhvillohen edhe përmes ndërtimit të ujësjellësve. Janë pikërisht ata që i japin jetë bujqësisë, blegtorisë, turizmit rural dhe çdo iniciative tjetër të qëndrueshme. Pa ujë nuk ka prodhim, nuk ka ekonomi vendore, nuk ka jetë normale familjare.
Në Malësi, ndër shumë shkaqe të tjera, edhe mungesa e ujit ka ndikuar në shpërnguljen e shumë familjeve dhe në boshatisjen graduale të fshatrave. Sepse pakkush do të investojë në një vend ku mungojnë kushtet më themelore për jetë, ku çdo përpjekje mbijetese varet nga moti apo nga ndonjë burim i rastësishëm.
Nuk mund të ketë zhvillim rural pa ujë. Ujësjellësit janë gur themeli i çdo përpjekjeje për të nxjerrë nga izolimi këto zona.
Është për të ardhur keq se deri më sot nuk është ndërmarrë një nismë serioze dhe afatgjate për të zgjidhur këtë problem të kahershëm. Banorët e këtyre fshatrave meritojnë të jetojnë me dinjitet, me kushte të barabarta dhe me mundësi reale për të jetuar dhe punuar në vendin e tyre.
Zhvillimi i një vendi nis me ujin. Pa zgjidhjen e furnizimit me ujë të pijshëm dhe për nevoja të tjera jetësore që lidhen me mbijetesën në këto zona, çdo investim tjetër është i paqëndrueshëm dhe nuk e ndal as zbrazjen e vendit, as zbehjen e jetës në këto fshatra që ende kanë çfarë të ofrojnë.
Përveç shumë fshatrave malore të Malësisë që vuajnë mungesën e ujit të pijshëm dhe mungesën e një infrastrukture të qëndrueshme ujësjellësi, disa fshatra rurale si Rakiqi kanë shprehur disa herë shqetësimet e tyre (veçanërisht gjatë temperaturave përvëluese të verës) dhe kanë protestuar për periudha të gjata pa ujë dhe për cilësinë e dobët të rrjetit. Kjo tregon se ky problem nuk është i kufizuar vetëm në zonat malore, por ka prekur një gamë më të gjerë vendesh rurale.

Të fundit

më të lexuarat