Stili që ndërrohet natën

Toni Ujkaj

Kohëve të fundit nëpër media, qofshin të shkruara, online apo audiovizuale, mund fare lehtë të vihet re një fenomen, nëse mund ta quaj kështu, ku shumë gazetarë/e, si të thuash për krye nate, kanë ndërruar stilin e të shkruarit dhe të të folurit, qoftë në tekstet gazetareske që shkruajnë për botim, qoftë në frazat që përdorin në edicione radiofonike dhe televizive.
Pse bie ky ndryshim në sy dhe në vesh? Sepse publiku, sidomos ai që prej vitesh ka lexuar artikuj dhe ka dëgjuar komunikimin e një gazetari të caktuar në radio dhe televizion, tashmë e ka brumosur në mendje stilin dhe fjalorin e tij. Dhe kur papritmas vëren një ndryshim në mënyrën si shkruan apo si flet, është e pamundur të mos e ndiesh. Pra, kemi një ndryshim stili në të shkruar dhe në interpretim që nuk kalon pa u vërejtur.
Po pse këta gazetarë/e dhe këto media janë shndërruar në diçka tjetër që ndoshta për dekada nuk kanë qenë? A mos vallë nuk po përdorin më trurin e tyre, ose më saktë, nuk po e vënë në punë për të menduar, perceptuar e krijuar, por ia kanë lënë dikujt tjetër? A mund të jetë ky “dikush tjetër” pikërisht aplikacioni i famshëm që tashmë ka gjetur përdorim të gjerë në shoqërinë globale, e që quhet ChatGPT?
Që nga koha kur ky aplikacion është krijuar dhe vendosur në përdorim publik, është thënë se ai do ndihmojë dhe lehtësojë punën në shumë sfera të jetës. Por askund nuk është thënë se do ta zëvendësojë njeriun si krijesë. Fuqia e mendimit dhe krijimtaria janë dimensione të pazëvendësueshme. Dhe nëse e lejojmë teknologjinë që t’i bëjë të gjitha idetë dhe mendimet në vend të neve, kjo do të thotë humbje e kreativitetit dhe e aftësisë për të menduar vetë.
Një njeri që e quan veten intelektual, që është formuar me mund dhe dije nëpër shkolla, nuk mund t’ia lejojë vetes që t’ia dorëzojë trurin e vet një aplikacioni, i cili në shumë raste mund të jetë edhe i padobishëm, ose në raste të tjera të të dezinformojë, të të japë rekomandime të gabuara, ose të të nxjerrë krejt jashtë kontekstit.
Dhe çfarë është më e keqja, ku mbetet lezeti dhe dallimi nëse të gjithë e përdorin këtë aplikacion si “shpëtimtarin” e tyre? Sidomos gazetarët. Sepse me këtë lloj gjuhe dhe stili që hasim tashmë gjerësisht nëpër media, nuk mund të dallosh më gazetarin e vërtetë, atë që me përkushtim dhe punë ndër vite ka krijuar një profil dhe autoritet te lexuesi, nga ai që ndoshta dje ka filluar të merret me gazetari, e që ende në artikuj dhe kronika nuk ka treguar ndonjë aftësi të spikatur në këtë fushë.
Sot, pas një kohe shumë të shkurtër, si me magji, transformohet në një figurë tjetër, thuajse është gazetari/ja më i/e mirë në treg.
Po si ndodh kjo? Për krye nate, si i thonë fjalës, apo mos vallë pikërisht ky aplikacion që përmenda më lart ka hyrë aq thellë në punën e tyre, saqë ata nuk e përdorin më për pak ndihmë a ndonjë detaj, por duket sikur ia kanë dorëzuar tërësisht trurin dhe mendimin, duke mos dashur më të lodhen vetë fare?
Kjo është diçka që me të vërtetë të brengos. Sepse lexuesi, dëgjuesi apo shikuesi nuk arrin më dot të bëjë dallimin mes një gazetari që është formuar ndër vite me stilin dhe përkushtimin e tij, dhe atij që, si me komandë, duket se është shndërruar në një “gjeni” nga nata në mëngjes.
Më e keqja është kur një pjesë e publikut nuk arrin ta kuptojë këtë ndryshim, nuk e identifikon se çfarë ka ndodhur me një gazetar apo një media në një kohë shumë të shkurtër. Edhe më keq është kur kjo lloj gazetarie, që nuk ka bazë reale, madje edhe mund të marrë lëvdata nga publiku i gjerë.
Dhe kjo është bërë kaq e dukshme, sepse ka gazetarë, por jo vetëm, që në gjithë jetën e tyre të punës nuk e kanë botuar kurrë një opinion, dhe as të kenë pasur guximin të shfaqin një mendim autorial, madje as një tekst të thjeshtë gazetaresk. E sot janë përhapur të tillët, si të ishte epoka e tyre që lulëzon.
Prandaj publiku duhet të dijë të çmojë e të vlerësojë ato media dhe ata gazetarë që kanë dhënë kontribut të çmuar në çdo zhanër gazetaresk, në çdo fushë të jetës, në kohën kur nuk ekzistonte inteligjenca artificiale.
Ky aplikacion, edhe nëse të jep disa përfitime në fillim, në thelb të bën të padobishëm e përtac, dhe në fund të fundit, të shndërron në një lloj roboti që nuk merr më mundin të mendojë vetë, të japë ide, të kuptojë botën dhe realitetin përmes syve dhe përvojës së vet.
Dhe çfarë vlere ka atëherë intelekti i një gazetari, formimi i tij, librat që ka lexuar, nëse gjithçka ia dorëzon një makinerie që mendon për të dhe në vend të tij?
Në përmbyllje, dua të ndaj një mendim se, teknologjia mund të jetë ndihmë, por ajo nuk e zëvendëson kurrë përvojën, njohuritë dhe pasionin që na formojnë.
Ne duhet të mbetemi besnikë ndaj mendjes sonë, të vazhdojmë të mësojmë nga librat, të thellohemi në punën tonë dhe të ruajmë atë që na bën unikë në profesion. Kjo është rruga për të fituar respektin dhe besimin e publikut, që asnjë aplikacion nuk mund ta zëvendësojë.
Ndërsa ata që sot shfaqen si figura të mëdha, e që deri dje nuk kishin lënë ndonjë gjurmë të veçantë në gazetari dhe as në fusha të tjera, mund të krijojnë përkohësisht përshtypjen e një profili të formuar, por kjo nuk zgjat shumë. Sepse publiku, ndonëse jo gjithmonë reagon menjëherë, ka kujtesë dhe ndjeshmëri për autenticitetin.
Dhe në fund, besimi i publikut nuk fitohet lehtë, veçanërisht kur ai është mësuar të njohë autenticitetin dhe të dallojë diçka kur nuk buron më nga vetë individi.

Të fundit

më të lexuarat