Studiuesit e vetëshpallur

Çfarë ndodh me të vetëshpallurit si studiues të arkitekturës, arkeologjisë, etnografisë, historisë, artit, historisë së artit, muzeologjisë që kapen e merren, e pastaj humbin e përhumbin në kompleksitetet e narracioneve të terminologjive profesionale? Mendjeshitja e tyre, fatkeqësisht po merr hov në shkrimet e tyre që temat të cilat i trajtojnë nuk kanë kurrfarë lidhjeje me njohuritë e tyre bazike-profesionale, prandaj as morale-etike. Pse? Sepse këndveprimi i tyre është i stacionuar, mbase, në tema të tjera që do të mund t’i trajtonin, mbase-mbase më mirë. Por, assesi të trajtojnë tema, bie fjala, për arkitekturë, trashëgimi kulturore e të gjitha nëntemat që lidhen me këto

Korab Kraja

(vijon nga numri i kaluar)
Është me të vërtetë “in risu veritas” se si një shëtitje aventureske bëhet temë e një konference shkencore. Por, para se të bëhej “reductio ad absurdum”, tema u shtjellua ngacmueshëm në gazetë, prandaj edhe iu hap shtegu i lirisë së fjalës në simpoziumet që, në të vërtetë, do të duhej të trajtoheshin tema që kanë fuqi rrëfyese dhe sens intelektual e shkencor. Se si një pseudostudiues mban ligjërata historie para doktorëve të shkencave të historisë dhe se si një pseudoarkeolog mban ligjërata arkeologjie para doktorëve të shkencave të arkeologjisë, e tregojnë më së miri buzagazet dhe tundjet mohuese të kokave të këtyre të fundit!
“Gothicus, Gothica, Gothicum”.
“Në të vërtetë, mund të konstatoj këtu para jush, se me këtë gur që zbulova në Shas, e vërtetova që kishat e Shasit janë gotike”. Heshtje nga të gjithë. Heshtjen e sallës e theu buçitja thirrëse me një konstatim të tillë. Veshët e dëgjuesve u ngacmuan thershëm. Ushtoj e tërë nëntoka gotike, e cila u zbulua zylokambershëm. Po mirë, u desh ai lloj guri të “zbulohej” në vitin 2024 dhe të prezantohej në vitin 2025, që të konstatohej që kishat e Shasit na qenkan të ndërtuara në stilin gotik! Nuk mjaftuan studimet e së kaluarës; nuk mjaftuan konstatimet e deritanishme; nuk mjaftuan edhe dy gurët e njëjtë që janë ende në portën hyrëse në rrënojën e Kishës së Shën Mërisë në Shas; nuk mjaftuan tërë ato elemente të veçanta dhe karakteristike të kishave; nuk mjaftoi konferenca shkencore e mbajtur në vitin 2008 që u mbajt pikërisht vetëm për historinë, gjeografinë, kulturën, arkeologjinë, arkitekturën dhe etnografinë e Shasit; madje, nuk mjaftoi vetë kisha si strukturë e tërësishme më vete që të dallohet që “kishat e Shasit janë gotike”!? Ashtu siç mbetën pa fjalë panelistët profesionistë, pafjalshëm mbetën edhe dëgjuesit të cilët para disa ditëve e lexuan shkrimin e “çuditshëm” mbi formën e çuditshme të një guri, çka në të vërtetë, aty nuk e bën këtë kapërcim zbulues të stilit arkitekturor të shekullit të dymbëdhjetë-gjashtëmbëdhjetë. Gurit nuk është që i vinte erë gotike, madje as prej gojës së gdhendur në atë gur nuk është që dilnin fjalë, fraza as rrëfime nga gotika, por dija universale për rastin e kontekstit të lokalitetit arkeologjik të Shasit nuk lejon një rrahagjoksizëm të tillë dhe as nuk duron futkotizma!
Sigurisht, që diçka shumë e zakonshme për kohën kur një element arkitektonik u ndërtua, do t’i duket e çuditshme, sepse tani gjëra të tilla thjesht nuk bëhen. Para 500 deri 900 vjetëve, dekorimet estetike që mbulonin kryesisht ndërtesat sakrale, ishin një vetëdije popullore që konkretizonin besimin dhe shpirtëroren. Si të thuhet, elementografia me simbolika ishte e shprehur në atë masë, saqë ndërtesa ishte e përfshirë me një përqindje shumë të madhe nga skulpturat e formave nga më të ndryshmet. Duke u bazuar në bestytninë dhe në shpirtëroren fetare, popujt u detyruan që ta shfaqnin atë në kulturën e tyre ndërtimore, duke e përcjellë ndërgjegjen e tyre kolektive të kulturës jetësore, pra në ndërtesa. Motive florale, antropomorfe, mitologjike, gjeometrike u bënë pjesë e pandashme e ndërtesave. Si duket, përditshmëria u konkretizua nga jeta në kulturën materiale. Gargojlët gotikë, kimerat gotike e madje edhe groteskët gotikë, sigurisht që do të duken të çuditshëm në kohën e sotme. Ashtu siç të çuditshme do të duken hudhrat e mbështjellura me leckë të kuqe mbi derën e shtëpisë, apo potkonjtë e kalit varur po mbi derë, pas 500 a 900 vjetëve, nëse do të mbijetojnë deri atëherë.
Në një kohë, pas postmoderniste dhe pas bashkëkohore, apo postbashkëkohore apo pas një rilindjeje të dytë, a të tretë a sado të vonuar që të jetë që populli do të rilindë përsëri me kulturën e tij, a sido që do të quhet epoka kur njerëzimi do të jetojë në atë kohë, edhe këto gjërat tona të përditshmërisë sonë kaq të thjeshta dhe të zakonshme, pa ndonjë interpretim me njohuri profesionale, me siguri që do të duken të çuditshme. Në fund të fundit, më mirë të çuditshme se të padëshmuara. Dhe, mbase edhe më mirë të çuditshme, por më me rëndësi për to të shkruhet shpejt. Prandaj, çfarë ndodh me të vetëshpallurit si studiues të arkitekturës, arkeologjisë, etnografisë, historisë, artit, historisë së artit, muzeologjisë që kapen e merren, e pastaj humbin e përhumbin në kompleksitetet e narracioneve të terminologjive profesionale? Mendjeshitja e tyre, fatkeqësisht po merr hov në shkrimet e tyre që temat të cilat i trajtojnë nuk kanë kurrfarë lidhjeje me njohuritë e tyre bazike-profesionale, prandaj as morale-etike. Pse? Sepse këndveprimi i tyre është i stacionuar, mbase, në tema të tjera që do të mund t’i trajtonin, mbase-mbase më mirë. Por, assesi të trajtojnë tema, bie fjala, për arkitekturë, trashëgimi kulturore e të gjitha nëntemat që lidhen me këto. Sepse, thirrja në shkrimet e tyre dhe referenca në shkrimet e tyre do të ishte një pësim i përmasave të mëdha në profesion. Janë të njohura rastet e referimeve në studiuesit e vetëshpallur dhe janë të njohura rastet kur disertacionet e tilla shpallen të pavlefshme. Sado që rehatia në shkrimet e tilla, që si duket as nuk kanë të ndalur nga shkruesit e tillë, ka marrë shtresë të konsoliduar në përpjekjet e shkencëbërjes, apo më saktë të thuhet, në përsëritjen e të tjerëve dhe në interpretimet sipas gjithologjisë së tyre, mjerisht po gjen hapësirë mediatike. Nuk është e çuditshme që librat e tyre të jenë përsëritje e librave që janë shkruar deri tani nga të tjerët e këta shpikës po i rishkruajnë me titull të ndryshuar. Personalisht, po pres një libër timin të dytë, por me titull dhe me autor njërin nga gjithologët. Do të ishte e befasishme po të shkruhej edhe për librin që ende nuk është botuar. Me rëndësi për ta është “që të zihet vendi i parë nga ata” dhe nuk ka rëndësi a ju vlen “pesë pare” libri dhe të mbetet pastaj si grumbull shtrese pluhuri nëpër depo. Pra, sado që “nieti” është i mirë, dëmi që këta persona të vetëshpallur studiues të historisë së arkitekturës, madje edhe të vetë arkitekturës, arkeologjisë e lëmive të tjera që aureola e tyre nuk i përthekon dot, është një dëm i madh që i lëshohet syve të lexuesve dhe referencave të studiuesve të vërtetë. Në të vërtetë, studiuesit e vërtetë i anashkalojnë papërfillshëm shkrimet e të vetëshpallurve!
Qysh kur filloi të bëhej arkitektura kaq e rëndësishme në diskursin intelektual në përditshmërinë e intelektualizmit në qytetin tonë? Sigurisht që këto vitet e fundit, kur u pa se edhe për arkitekturë mund të shkruhet. Prandaj, edhe një betejë më shumë duket përpara frontit të “qitahedhësve mbi mollë”. Edhe shkrimet që u bëhen interpetimeve arkitekturore, që në të vërtetë janë plagjiatura të librave të mëparshëm, mund të jenë edhe një shkas për reagim. Pikërisht, pak para se të përfundohet viti i parakaluar dhe një vit pas publikimit të librit “Kraja – Rehablitimi dhe promovimi kulturor. Vështrim historik, kulturor dhe arkitekturor”, në gazetën “Koha javore”, nr. 1086, ff. 18-19, do të publikohet një shkrim mbi shtëpinë krajane, i cili trajton arkitekturën e kësaj shtëpie. Dhe, po të lexohet ai shkrim, do të vërehet një strukturim i dobët dhe joprofesional. Të tillë e bën shkrimin, sepse autori nuk është profesionist i fushës së arkitekturës, prandaj bën shkarje elementare dhe esenciale në terminologjinë arkitektonike. Trajtimi i një teme të tillë, apo më mirë të thuhet ritrajtimi i një teme të tillë, duke e marrë hulumtimin dhe studimin disavjeçar nga libri i sipërpërmendur dhe të gjitha analizat që prezantohen në atë libër dhe përfundimet që ai libër i sjellë shkencërisht, me recencentë e redaktorë shkencorë, dhe duke e shfaqur si mendim a studim a hulumtim të vetin atë në një shkrim në gazetë, mua si autor i atij libri më duket sikur ta lexoj librin tim edhe një herë me një riinterpretim të keq! Në rastet e tilla, nëse autori do që të rreket aq fuqishëm me interpretimin e arkitekturës së shtëpisë në Krajë – mbase ka marrë shkas nga libri që ta bëjë edhe ai një shkrim për atë temë – më mirënjohës do t’i ishim sikur ai t’i bënte një interpretim jetesës në ato shtëpi tradicionale krajane dhe në këtë mënyrë ta plotësonte një boshllëk antropologjik dhe etnografik në interpretimin arkitektonik të shtëpisë në Krajë, sepse, në fund të fundit, këtë e ka jetuar dhe përjetuar ai.
Në të vërtetë, ky shkrim po përfundon me metafora, reagime, kritika dhe anekdota, por ky shkrim brenda vetes ka pasur edhe disa fjalë, ashtu siç u tha në fillim, që do të duken “të mençura” brenda tij. Është fjala për gjuhën e vdekur, që “intelektualët” e sotëm e ringjallen përsëri me urdhrin e tyre.
“Palma non sine pulvere”.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat