
Në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, të mbajtura më 11 maj 2025, që ishin të 11-at pas ardhjes së demokracisë, të drejtë vote kanë pasur 3 713 761 qytetarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Për herë të parë kanë pasur mundësi të votojnë 114 642 qytetarë, ndërsa për herë të parë në Shqipëri votoi edhe diaspora, një proces që është realizuar përmes postës. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më shumë se 245 mijë persona janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë proces.
Për 140 vende në Parlament kanë garuar 2046 kandidatë përmes 11 listave zgjedhore, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të mbyllura dhe të hapura. Në tërë vendin kanë qenë 5225 qendra votimi.
Në saje të të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e 11 majit 2025 kanë votuar 1 570 921 qytetarë apo 42.21%. Nga 12 qarqet, pjesëmarrje të lartë në votime ka pasur ai i Dibrës me 50.10%, ndërsa më të ulët i Vlorës 31.47%, nga del se votuesit shqiptarë nuk janë të motivuar të marrin pjesë në votime, që paraqet çështje për qasje të veçantë.
Fitore bindëse e Partisë Socialiste
Në saje të rezultateve të publikuara, Partia Socialiste mori 856 318 vota apo 53.3% dhe arriti që të sigurojë 83 mandate, duke realizuar një fitore bindëse, ndërsa Partia Demokratike me 529 435 vota apo 32.9% dhe mori 50 mandate deputetësh. Në Parlament me 3 deputetë do të përfaqësohet edhe Partia Socialdemokrate, e cila ka fituar 49 890 vota (3.1%), ndërsa për të parën herë në Parlament do të jenë edhe partia Mundësia me 2 deputetë (49 006 vota apo 3.0%), koalicioni Nisma – Shqipëria Bëhet me 1 deputet (64 268 vota apo 4.0%) dhe Bashkë me 1 deputet (24 621 vota apo 1.5%). Ndërsa sipas qarqeve, PS ka fituar në nëntë, ndërsa PD në tre qarqe (Shkodër, Lezhë e Kukës).
Defektet e ligjit zgjedhor
Ligji zgjedhor aktual është rezultat i kompromisit apo pazareve të dy partive politike – PD e PS, duke filluar nga viti 2008 dhe verifikuar më 27 korrik 2024. Kemi të bëjmë me një ligj zgjedhor, i cili vendin e ka ndarë në 12 zona zgjedhore që janë përmes qarqeve, ku edhe votat ndahen sipas tyre, në vend që të kemi një njësi zgjedhore me sistem proporcional, duke përcaktuar pragun zgjedhor për subjektet politike.
Lista e mbyllur dhe ajo e hapur
Kodi zgjedhor ekzistues është një sistem proporcional rajonal me dy lloj listash – atë të mbyllur dhe të hapur, nga del se kemi të bëjmë me dy kategori të deputetëve: ata të cilët nuk votohen nga elektorati dhe ata të tjerët të cilët votohen drejtpërdrejt nga qytetarët. Duke marrë parasysh se Shqipëria nuk është një njësi zgjedhore, por përbëhet nga 12 të tilla, sipas qarqeve, andaj edhe votat ndahen sipas tyre, e jo sipas totalit kombëtar të votave.
Deputetët e favorizuar
Në saje të definimit të përcaktimit të kandidatëve në listën e mbyllur, fjalën kryesore e kanë kryetarët e partive politike, ku ata vendosin se cilët individë do të jenë kandidatë për deputetë, nga del se ata do të jenë të favorizuar, ndërsa e kundërta është me kandidatët nga lista e hapur, të cilët qytetarët i votojnë drejtpërdrejt. Nga një veprim i tillë del qartë se kandidatët në listën e hapur duhet të angazhohen për vota dhe mbrojtjen e tyre, për të arritur objektivin personal dhe atë partiak.
Partitë e reja, pa peshën e duhur
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, për të parën herë morën pjesë edhe disa parti të reja, të cilat arritën të marrin deputetë, duke qenë pjesë e skenës politike në Shqipëri. Por, nga paraqitja e tyre kishte dyshime për mundësinë dhe rolin e tyre në këtë sistem i cili është bërë sinonim i pushtetit nga PS dhe opozita e PD.
Në saje të mungesës së infrastrukturës partiake, këto parti politike nuk prodhuan debat politik, duke ofruar numër të kufizuar individësh, pa shpërndarje të gjerë territoriale, ku megjithatë arritën rezultate që nuk mund të nënçmohen. Kështu Mundësia fitoi 2 deputetë (49 006 vota apo 3.0%), Nisma – SHB 1 deputet (64 268 vota apo 4.0%) dhe Bashkë 1 deputet (24 621 vota apo 1.5%). Gjithsej janë 137 895 vota, ku nëse i shtohen edhe 20 864 vota të Koalicionit Euroatlanik, që nuk ka fituar mandat të deputetit, atëherë gjithsej janë 158 759 vota, numër i cili nuk mund të nënçmohet.
Ka pasur vërejtje se dalja e tillë, të ndarë, i ka dëmtuar ata, sepse po të bashkoheshin në një listë zgjedhore do të fitonin dyfishin e numrit të deputetëve, por siç duket kanë dashur të provojnë veten para votuesit.
Mashtrimi me mandate
Në saje të këtij ligji zgjedhor, ku vendi është i ndarë në 12 qarqe, ku edhe votat ndahen sipas tyre, vota deformohet, sepse nuk tregon vullnetin politik të qytetarëve të cilët kanë marrë pjesë në procesin e votimit. Mandatet nuk pasqyrojnë votën popullore, por shtrembërimin që sistemi bën mbi votën.
Në rastin konkret kemi të bëjmë me mashtrimin e mandateve, sepse deformohet vullneti i qytetarëve të cilët kanë marrë pjesë në votim. Nëse i analizojmë votat e PS-së, del se kjo parti ka marrë rreth 10 mandate për të cilët nuk kanë votuar qytetarët, por falë ndarjes proporcionale rajonale që është rezultat i paktit Rama-Berisha nga viti 2008.
Po ashtu kemi diferenca të mëdha në lidhje me votat për mandatin e deputetit. Kështu PS e cila fituar 83 mandate, del qartë se 1 mandat të deputetit e ka fituar me 10 317 vota, ndërsa e kundërta është për partitë e vogla. Në rastin konkret Nisma-SHB, edhe pse ka fituar 64 268 vota ka fituar vetëm 1 deputet (!), ndërsa Mundësia 49 009 vota ka fituar 2 deputetë etj., që është rezultat i ndarjes në vendit në 12 zona zgjedhore. Andaj këto të dhëna janë të mjaftueshme për të kuptuar se duhet të ndryshohet Kodi zgjedhor, që Shqipëria të jetë një njësi zgjedhore, me pragun elektoral dhe me lista të hapura. Model në këtë aspekt mund të shërbejë ligji zgjedhor i Kosovës, që është më i avancuari në nivel evropian.
Rinimi me deputetë të rinj
Në saje të rezultateve të zgjedhjeve, në Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025, Partia Socialiste sjell 53 deputetë të rinj nga 83 mandate (rreth 63.8%), ndërsa koalicioni PD-ASHM ka vetëm 14 deputetë të rinj nga 50 (28%). Nga një përzgjedhje e tillë e kandidatëve për deputetë del se kemi një paradoks praktik, ku më i “rinuar” është pushteti sesa opozita, kurse është dashur të jetë e kundërta. Por, opozita në këtë aspekt nuk i ka bërë llogaritë e duhura me emërimin e kandidatëve për deputetë në listën e mbyllur, sepse të tillët, si të njohur me të kaluarën e tyre, nuk kanë qenë motiv për t’u votuar nga elektorati i tyre votues, që është një ndër shkaqet e humbjes së PD-së në këto zgjedhje.
Listat e hapura – iluzion!
Ndonëse opinioni i gjerë në Shqipëri ka kohë që kërkon lista të hapura, për të votuar kandidatët e preferuar e jo listat partiake, një ide e tillë mbetet iluzion, sepse pakti PS-PD, mbetet pengesë e vazhdueshme. Kujtojmë se Kodi zgjedhor aktual është meritë e marrëveshjes apo pazareve politike në mes këtyre dy subjekteve politike nga viti 2008, i plotësuar më 27 korrik 2024. Në bazë të këtij kodi zgjedhor vetëm 44 nga 140 deputetë u zgjodhën realisht nga qytetarët përmes votës preferenciale, ndërsa 96 të tjerët hynë në Kuvend nga renditja e mbyllur, e hartuar paraprakisht nga partitë dhe shefat e tyre. Nga një përbërje e tillë del se rreth 69% e deputetëve të Kuvendit nuk janë zgjedhur nga qytetarët, por janë emëruar fitues nga partitë, përpara zgjedhjeve.
Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me një sistem për të ruajtur pushtetin me çdo kusht, andaj ndryshimin e Kodit zgjedhor e vlerësojmë si kusht për mbijetesë politike dhe të demokracisë pluraliste.
Votat preferenciale
Në vendet demokratike, vota me lista të hapura, apo siç quhet preferenciale, është dukuri normale. Vetëm në këtë mënyrë qytetari ka mundësi të votojë dhe të zgjedhë kandidatin e preferuar. Kësaj here në Shqipëri për këtë kategori kemi pasur listën e hapur, e cila ka qenë gjysmake, sepse edhe votimi ishte i kufizuar për një numër të vogël kandidatësh. Në listën e hapur të Partisë Socialiste, në Tiranë Blendi Gonxhe është kandidati më i votuar në të gjithë Shqipërinë, duke marrë 24 802 vota, i ndjekur nga Erion Braçe me 23 864 vota.
Ndërsa nga Partia Demokratike vota preferenciale ka shkuar për Jorida Tabakun, e cila ka marrë 20 565 vota. Tabaku ndodhej në listën e hapur të PD-së në Tiranë, ku ishte në nje garë të fortë me Ilir Alimehmetin, i cili nuk arrit të futej dot në Parlament.
Duhet thënë se kandidatët e partive në listat e mbyllura, të cilët ishin të preferuarit e kryetarëve të partive politike, po të kishte qenë votimi me lista të hapura, një numër i vogël i tyre do të kishte kaluar, që kishte qenë vlerësimi real nga votuesi.
Votimi i diasporës, risi e zgjedhjeve parlamentare
Risi e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri ishte se për herë të parë votoi edhe diaspora. Fillimisht për të marrë pjesë në votim janë paraqitur 245 935 votues, ndërsa kanë marrë pjesë në votim gjithsej 194 889 qytetarë shqiptarë nga diaspora apo 79.24% e tyre. Ndryshe nga interesi relativisht i ulët brenda vendit, në diasporë interesi për të votuar është shumë i lartë.
Duke marrë parasysh se emigrimi i shqiptarëve nga Shqipëria ka qenë më i madh në Greqi dhe Itali, është e qartë se nga këto dy vende ka ardhur numri më i lartë i votave. Kështu zarfet me vota të mbërritura sipas shteteve ishte: Itali 72 800, Greqi 52 942, Gjermani 20 318, SHBA 16 500, Mbretëria e Bashkuar 11 764 dhe Franca 3 830.
Ndërkohë, sa i përket qarqeve, numri më i lartë i votave të mbërritura i përket Tiranës me 41 748, ndjekur nga Fieri me 25 949, Durrësi me 19 699 vota, Elbasani 19 237, Korça 16 049, Vlora 15 516, Shkodra 13 343, Berati 12 117, Lezha 11 584, Dibra 7 339, Gjirokastra 6 531 dhe Kukësi 2 800.
Cekim se votat e diasporës janë numëruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe është llogaritur sikur qytetari të kishte votuar në qarkun ku ai ka banuar në Shqipëri.
Mundësi e vonuar e diasporës
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit janë të parat në skenën pluraliste në Shqipëri që ia mundësuan diasporës të marrë pjesë në votime. Në saje të fushatës në Itali e Greqi, që u mbajtën për herë të parë, partitë politike kanë pritur që të mbështetën masivisht në zgjedhjet e 11 majit. Ndonëse pritshmëria ka qenë më e madhe, pjesëmarrja në votime e 194 mijë votuesve nuk duhet të nënçmohet, sepse ata kanë shprehur vullnetin e tyre për herë të parë në zgjedhjet parlamentare. Është çështje tjetër se si kanë votuar, ku në saje të rezultateve më së shumti është votuar PS, madje rreth 70%, që mbetet çështje për analizë. Por, numri i votave prej 194 mijë është shifër e lartë, sepse po të konkurronte diaspora me një listë të veçantë, ata mund të fitonin rreth 15-17 deputetë, duke qenë subjekt i rëndësishëm në skenën politike. Por, asnjë parti politike kësaj here në listat e tyre të mbyllura nuk ka vendosur asnjë kandidat për deputet nga diaspora, nga del se ata kësaj here kanë qenë vetëm votues, të cilët kanë votuar sipas ndërgjegjes së tyre.
Deputetët nga diaspora, obligim politik
Diaspora duhet të propozojë vetë kandidatët për deputetë e jo duke iu lënë këtë mundësi partive, sepse ata i njohin më mirë individët për përfaqësim. Por, fillimisht për këtë çështje duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, që të ndryshojë qasja për përfaqësimin e diasporës në skenën politike në Shqipëri.
Pasi diaspora mori pjesë për të parën herë në zgjedhjet e 11 majit, kjo çështje duhet të analizohet e diskutohet, me konsensus e pa paragjykime. Sepse diaspora përveçse ka mundësi të votojë, edhe ajo mund të zgjidhet, sikurse qytetarët në Shqipëri.
Bazuar në përvojën pozitive të vendeve të ndryshme evropiane, mendoj se fillimisht për diasporën duhet të rezervohen disa vende në Kuvend. Numri i deputetëve do të përcaktohej në bazë të përqindjes së numrit të votuesve në vendin përkatës në diasporë. Angazhimi i diasporës do ta prezantonte Shqipërinë në arenën ndërkombëtare me pasion e angazhim profesional, në favor të integrimit dhe imazhit ndërkombëtar.
Avancimi i diasporës duke qenë pjesëmarrëse në skenën politike do të nderonte çdo subjekt politik, duke lënë anash xhelozinë e egoizmin partiak, por duke vlerësuar kontributin e diasporës në demokratizimin e vendit si dhe investimet e realizuara në vendlindjet e tyre apo më gjerë. Sepse diaspora është ndërgjegjja e kombit.