
Në ish-Jugosllavinë e Titos pakicat kombëtare kanë qenë të integruara në vallen e rrymës së ideologjisë jugosllave dhe komuniste. Në pajtim me logjikën e ndarjes së pushtetit në strukturat partiake, ka ardhur deri te krijimi i oligarkive të pakicave kombëtare, të cilat kanë qenë rojë e procesit të asimilimit ideologjik dhe i kanë paraprirë represionit kur ka qenë i nevojshëm. Vetë oligarkitë etnike në radhët e pakicave i kanë shuar të gjitha përpjekjet dhe orvajtjet e kundërshtimit ndaj asimilimit ideologjik, si dhe të pozicionimit relevant të pakicave në Jugosllavi (sytë ideologjikë për pakicën shqiptare, presupozoj se një gjë e tillë ka vlejtur edhe për pakicat e tjera, kanë qenë të mprehur, ndërsa kontrolli i ashpër ka qenë i pranishëm edhe atëherë kur te kultura e shumicës janë manifestuar tendenca më liberale). Në atë periudhë ka qenë e krijuar një ”demokraci totalitare”, në kuadër të partisë, e cila ka qenë ndërmjetësuese e kritereve nacionale. Do të duhej të harxhohej kohë dhe energji e madhe që të dëshmohet se si pakicat në njërën anë kanë qenë të barabarta, por njëkohësisht edhe të pabarabarta në kuadër të universit jugosllav, në anën tjetër.
Nuk kanë ekzistuar “pakicat kombëtare” por “kombësitë”, të cilat është dashur të prezantojnë një kategori më të lartë nga koncepti klasik i pakicave, por në anën tjetër është dashur të dallohen nga kombet, të cilat kanë qenë shtetformuese dhe elemente konstitutive. Një skemë e tillë ka mundur të ekzistojë vetëm në atë mënyrë që Partia Komuniste e ka futur entitetin e pakicës në tërësi në vallen e integrimit ideologjik, duke i bërë asaj një asimilim psikologjik dhe në vazhdimësi, duke e bërë rojë mbi lojalitetin që pakicat kombëtare të mos ndërrojnë ideologjinë jugosllave e marksiste mbi shoqërinë, sistemin dhe botëkuptimin e botës. Njëkohësisht ka qenë i ndaluar organizimi vertikal për pakicat kombëtare. Në një sistem të tillë, ku pakicat kanë poseduar vetëm “një vetëdije të paqartë të përkatësisë kombëtare” dhe ku janë bërë kategori ekzotike pa forcë e fuqi, që në mënyrë relevante të ndikojnë në rrjedhat e bashkësisë politiko-shoqërore, ato bëhen “interesante” në kuptimin folklorik, si në pikëpamje të rëndësisë politike, si dhe në mundësinë e definimit të kërkesave dhe të ambicieve të tyre. Një sistem i tillë ka mundësuar një barazi ideologjike midis pakicës dhe shumicës në kuadër të konceptit të jugosllavizmit mbikombëtar, apo të pushtetit të klasës punëtore dhe të internacionalizmit socialist.
Si janë zgjedhur përfaqësuesit e pakicave?
Popullata nacionale, e cila ka qenë dominuese në jetën politike të një bashkësie politiko-shoqërore, po ashtu ka qenë dominuese edhe në drejtimin e politikës së kuadrove. Në atë pikëpamje dhe kuptim, pjesëtarët e popullatës së tillë dominuese nacionale, nëpërmjet sendërtimit të politikës së kuadrove, shpeshherë i kanë sjellë pjesëtarët e kombeve të tjera pakicë në një pozitë të pabarabartë, meqenëse, parimisht, i kanë zgjedhur kuadrot sipas “shijes dhe arshinit të vet”, pra ata të dëgjueshmit dhe poltronët, kryesisht të paaftë dhe animus. Në këtë mënyrë i kanë realizuar dy qëllime: i kanë zgjedhur kuadrot nga pjesëtarët e kombësisë përkatëse, me çka është respektuar parimi i barazisë kombëtare, por, në anën tjetër, njëkohësisht i kanë sjellë njerëzit, të cilët e kanë luajtur lojën sipas rregullave të tyre që kanë qenë ”arbitër kryesor” në kanalizimin dhe artikulimin e politikës së kuadrove. E tillë ka qenë situata edhe në Mal të Zi.
Pjesëtarët e strukturave të pakicave nacionale me të drejtë kanë pyetur se, në qoftë se ekziston barazia nacionale, pse atëherë, ne parimisht na i zgjedhin kuadrot ata të cilët i takojnë një bashkësie tjetër nacionale dhe në atë drejtim kanë një pozitë dominuese në sendërtimin e politikës së kuadrove? Një revoltë e tillë ka qenë e pranishme te qytetarët e pakicave kombëtare, sepse sikurse është thënë, në opinionin publik, disa përfaqësues politikë të pakicave kanë shprehur dhe manifestuar një epsh të madh për realizimin e interesave të veta personale, ndërsa në anën tjetër shpeshherë e kanë harruar identitetin e vet kombëtar.
Kuadrot e tilla nuk kanë pasur kurajo politike, as njohje profesionale, kështu që ata më së shumti janë fshehur nën “hijen politike”. Mu për këtë arsye, kuadrot e tilla, varësisht nga mjedisi shoqëror se prej nga kanë ardhur, kanë përjetuar përbuzje, nënçmim, kritikë dhe qortim. Andaj, nga kjo parashtrohet pyetja: kuadrot e tilla, a kanë qenë në gjendje t’u përgjigjen nevojave dhe interesave të popullit përkatës?
Normalisht se jo. Por përkundër kësaj, situata nuk ka ndryshuar, meqenëse të njëjtit individë, në mënyrë të pandërprerë dhe në vazhdimësi janë zgjedhur përfaqësues politikë të pakicave.
I pranishëm ka qenë edhe një problem tjetër, që disa përfaqësues të pakicave, në veçanti të shqiptarëve në Mal të Zi, nuk ka qenë e mundur për t’i njohur se kush janë dhe se çka janë, meqenëse nuk kanë pasur emra kombëtarë. Ndërkaq, ata në situata të ndryshme nuk janë deklaruar si shqiptarë, por si pjesëtarë të kombeve të tjera ose janë deklaruar me kombësi si jugosllav. Kjo ka qenë si pasojë e një kulture të ulët politike dhe të kalkulimeve të ndryshme primitive. Natyrisht se e gjithë kjo ka shkuar në dëm të madh dhe në disfavor të zgjidhjes adekuate dhe të drejtë të statusit të shqiptarëve në Malin e Zi.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë të Shkencave dhe Arteve të Duklës)