Skënderbeu eksperimental nuk është art monumental

Mund të them me bindje se publiku nuk ka nevojë për art të pakuptueshëm, por për vepra që nderojnë historinë dhe që paraqiten me dinjitet. Skulptura monumentale ka si qëllim trashëgiminë, jo “provokimin” apo sprovën e tekave subjektive artistike pasi monumentet janë kujtesë kolektive historike, jo eksperimente

Albert Bikaj

Mund të duket pak e çuditshme, por para jush keni imazhin e fituesit të konkursit për skulpturën e Skënderbeut në Komunën e Ulqinit! E cila, me qenë se ra fjala, u prit jo me pak reagime pakënaqësie nga qytetarët.
Që t’ju kursej kohën, do t’i bie shkurt – drejt e në temë.
Kur është fjala për veprat e artit dhe cilësinë e tyre, më së pari më bie ndër mend një thënie, apo më mirë të them qasja e eseistit anglez, i shquar si kritik i modernitetit, i quajtur G. K. Chesterton. Sipas tij, vepra e mirë na tregon të vërtetën për heroin e vet, ndërsa romani i dobët na tregon të vërtetën për autorin e tij. Pa dashur të jem i vrazhdë, ajo që dua të them është se vepra domosdoshmërisht flet për cilësinë dhe filozofinë e autorit.
Nëse një skulptor apo piktor dëshiron të shprehë “ekspresionin abstrakt” të talentit të vet në statuja publike me karakter historik, atëherë mbase ka ngatërruar zanat. Një qasje e tillë mund të arrihet shkëlqyeshëm në poezi – në artin e fjalës, ku abstraksioni ka sens – por zor se mund të thuhet e njëjta në skulpturën monumentale, e cila ka kufizime të qarta që burojnë nga vetë natyra e saj përfaqësuese. Natyrisht, kjo vlen gjithmonë nëse artisti ka si parësore të theksojë dhe madhështojë veprën, jo vetveten.
Si ithtar i artit dhe filozofisë estetike tradicionale perëndimore, e them me plot bindje se skulptura e mirëfilltë nuk ka nevojë për eksperimentime të tepruara apo për ndërhyrje konceptuale që kërkojnë interpretime teorike për t’u kuptuar. Assesi nuk jam kundër kreativitetit, por vepra duhet të flasë vetë, të komunikojë drejtpërdrejt me publikun, të japë një përjetim emocional dhe historik, pa e humbur kuptimin “në përkthim”.
Përndryshe, qasjet artistike hermetike dhe abstrakte – që promovohen sot globalisht – me pretendim thuajse snobist ndaj gjithë traditës, historisë dhe filozofisë së artit, shpesh janë jo vetëm të pakuptueshme apo të papërshtatshme, por tmerrësisht jo estetike, bile absurde edhe qesharake. Prandaj, me gjithë respektin për autorin dhe komisionin përzgjedhës të Komunës së Ulqinit, kam frikë se kjo vepër nuk është e denjë për vendin që i është dhënë.
Pse?
Pasi fillimisht nuk përputhet me kriteret estetike-arkitekturore-monumentale të qytetit të Ulqinit.
Së dyti, nuk më duket se përputhet me idenë, identitetin, as qëllimin e kremtimit të trashëgimisë historike që ulqinakët dhe shqiptarët e Malit të Zi në përgjithësi – duan të nderojnë dhe t’ua trashëgojnë brezave të ardhshëm.
Në rastin më të mirë, një vepër e tillë mund të zërë vend në ndonjë ekspozitë eksperimentale apo muzeale bashkëkohore me prirje “avantgarde”, por jo në hapësirë publike ku pritet të ngritet një monument përbashkues dhe përfaqësues me karakter historik dhe nacional – me financim publik.
E kuptoj se ideja dhe qëllimi është “hapi me kohën”, por më duket se janë kapërcyer shumë shkallë me ngut për hir të manisë së të qenit “modern”. Kjo mani, si çdo tepri tjetër, e bën vepruesin dhe veprën qesharake. Historia ka përplot raste të tilla – sidomos sot, në shekullin ku kjo mani ende dominon.
Kujtoj këtu shembullin e statujës së Atë Gjergj Fishtës në Shkodër – një grumbull bllokësh të zymtë jo vetëm që nuk frymëzojnë, por shpërfillen ose më keq, kur merr vesh se kujt i dedikohet të lë shije tejet të hidhur.
Kuptohet, ky nuk është rasti i vetëm, ka sa të duash. Rasti i Ulqinit, për fat të keq, thjesht i bashkëngjitet serisë së rasteve të tilla jo vetem te statujat, por edhe tek objektet institucionale, kulturore dhe fetare. Përçudnimi dhe shpërfytyrimi nuk është përparim, as avantgarde, por kjo është temë tjetër më vete.
T’i kthehemi temës. Ta shohim njëherë veprën në fjalë.
Çfarë kuptimi monumental, historik dhe artistik ka një Skënderbe me këmbë dhe pantallona të gjera moderne, trup të imët të disproporcionuar, përkrah katër figura siameze të ngjeshura brenda së njëjtës formë? Çfarë mesazhi përcjell kjo për heroin dhe komunitetin tonë?
Të bëjmë një krahasim të thjeshtë. Çfarë vlere estetike dhe ndjesie paraqet kjo statujë në krahasim me “Skënderbeun” e Odhise Paskalit në Tiranë apo me statujën madhështore të sapoinaguruar në Tuz?
Ndoshta nuk jam mjaftueshëm “postmodern” për ta kuptuar si duhet këtë çështje. E mbase nuk ka as çfarë për të kuptuar pasi realiteti në këtë rast është i qartë. Jam nga ata persona që beson se kur mbreti është lakuriq duhet ta kemi guximin intelektual dhe çiltërsinë morale prej fëmije ta themi të vërtetën haptazi.
Kështu që mund të them me bindje se publiku nuk ka nevojë për art të pakuptueshëm, por për vepra që nderojnë historinë dhe që paraqiten me dinjitet. Skulptura monumentale ka si qëllim trashëgiminë, jo “provokimin” apo sprovën e tekave subjektive artistike pasi monumentet janë kujtesë kolektive historike, jo eksperimente.
Ulqini, ky qytet i bukur mesdhetar, i ngjeshur me histori dhe kulturë, i rrethuar nga një kala aq e lashtë sa madhështore – dhe sidomos një figurë si Skënderbeu, për të cilin fjalët janë gjithnjë të tepërta – meritojnë shumë më tepër se kaq.

Të fundit

më të lexuarat