Një gur themeli për të ardhmen e dijes dhe teknologjisë

“Kjo qendër nuk është vetëm një hapësirë për mësim, por një ‘laborator ëndrrash’, ku fëmijët dhe të rinjtë do të kenë mundësi të mësojnë për robotikën, teknologjinë 3D, astronominë, shkencat natyrore dhe artin e krijimtarisë, me qëllim që të ecin në hap me kohën dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë”, theksoi Dr. Ilir Çapuni, themelues i Fondacionit “XL Labs”

Në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrje të gjerë të përfaqësuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, në Ulqin u hap zyrtarisht Qendra e Shkencës dhe Inovacionit – një projekt vizionar që vë theksin tek edukimi bashkëkohor, teknologjia dhe krijimtaria e brezave të rinj.
Kjo qendër, e para e këtij lloji në Ballkan, është realizuar në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, Fondacionin “XL Labs”, Fondacionin T3 të Turqisë, Agjencinë TIKA, si dhe mbështetjen e shumë miqve të Ulqinit nga rajoni dhe më gjerë.

Qendra e Shkencës dhe Inovacionit në Ulqin tashmë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje ku dijet, teknologjia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar shkojnë dorë për dore për të përgatitur brezat e rinj për sfidat globale


Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete të shumta: ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Prof. Dr. Angjella Jakshiq – Stojanoviq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, Ambasadori i Republikës së Turqisë, Sh.T. Barish Kalkavan, konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Arben Doçi, drejtoresha ekzekutive e Fondacionit T3, Elvan Kuzucu Hidr, dhe drejtori ndërkombëtar i TIKA-s, Ugur Tanyeli.
Në fjalën e tij, Dr. Ilir Çapuni, themelues i Fondacionit “XL Labs”, u shpreh se “përveçse ndajmë një gëzim, ndajmë bashkë edhe barrën për të treguar dy veti të vjetra të Ulqinit: mikpritjen dhe mirënjohjen. Falë bashkëpunimit me miqtë tanë nga Turqia, kemi sot një qendër xhevahir, e vetmja e këtij niveli në Ballkan”.
Çapuni theksoi se kjo qendër nuk është vetëm një hapësirë për mësim, por një “laborator ëndrrash”, ku fëmijët dhe të rinjtë do të kenë mundësi të mësojnë për robotikën, teknologjinë 3D, astronominë, shkencat natyrore dhe artin e krijimtarisë, me qëllim që të ecin në hap me kohën dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.
Gjatë fjalës së tij, ai falënderoi drejtorin e Qendrës, Lulzim Hoxha, si dhe instruktorët që do të punojnë me të rinjtë: Alfred Marnikoviq, Edona Lika, Elda Kurti, Nurudin Tivari, Dijar Mujali, Sulejman Hoxha dhe Vahida Hasanaga – Nimanbegu.
Gjithashtu, vlerësim të veçantë morën edhe bashkëpunëtorët lokalë dhe anëtarët e Bordit të Fondacionit, si dhe qytetarët që besuan dhe ndihmuan këtë projekt të realizohej.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, u shpreh se kjo qendër përfaqëson angazhimin e institucionit për të krijuar kushte moderne dhe gjithëpërfshirëse për edukimin e fëmijëve.
“Kjo është një qendër për brezat që do ta çojnë përpara Ulqinin, Malin e Zi dhe gjithë rajonin”, tha ai.
Ceremonia u shoqërua me një video-përshëndetje nga z. Selçuk Bayraktar, president i Bordit Drejtues të Fondacionit T3, i cili vlerësoi bashkëpunimin me Ulqinin si model frymëzues për të gjithë Ballkanin.
Pas pjesës zyrtare, pjesëmarrësit patën mundësi të vizitojnë ambientet e Qendrës, të ndjekin demonstrime teknologjike dhe të marrin pjesë në aktivitete interaktive për fëmijët, të cilat shënuan fillimin zyrtar të programit edukativ që do të zhvillohet në këtë hapësirë.
Qendra e Shkencës dhe Inovacionit në Ulqin tashmë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një të ardhme ku dijet, teknologjia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar shkojnë dorë për dore për të përgatitur brezat e rinj për sfidat globale.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat