A po heshtin intelektualët profesionistë ndaj pseudointelektualëve?

Në emër të gjithologut, gjithologjizmit dhe gjithologjisë së shenjtë

Korab Kraja

Ky artikull do të ketë shumë thonjëza, fjalë e fjali të mbërthyera nën thonjëza, shenja të ndryshme të pikësimit, por sidomos edhe fjalë të huaja, fraza e frazeologji, të cilat do ta bëjnë shkrimin të duket më serioz se që është në të vërtetë. Do të tentohet, kësaj radhe që, jo nga balta, por nga fjalori të ringjallet një gjuhë e vjetër, e konstatuar si e vdekur, por që gjithologët e kanë përvetësuar mirë. Mund të ketë një narrativë intelektuale, por në të vërtetë nuk është gjë tjetër përveçse një gërryerje e sipërfaqshme e gjithologjizmit.

Është edhe një shkrim me shkas se përse profesionistët heshtin? Dhe, a po heshtin intelektualët profesionistë me të vërtetë përballë pseudointelektualëve, pseudoshkencëtarëve, pseudo-”zbuluesve”, studiuesve të vetëshpallur, historianëve të vetëshpallur, arkeologëve të vetëshpallur, arkitektëve e studiuesve të arkitekturës të vetëshpallur si të tillë?

Kush mund të merret me historinë? Kësaj pyetjeje iu përgjigj një historian, doktor i shkencave të historisë – se në diskursin historik të historiografisë, me histori po merren gazetarët, analistët, shkrimtarët e të tjerët. Dhe, kështu trajtimi dhe çështja e historisë po trajtohet në tryezat e çarshisë. E, do të duhej, me të drejtë konstatuar prej tij, që historiografia të diskutohej, të trajtohej, e problemet historiografike të shtroheshin në tryezat shkencore. Sigurisht që, në këto tryeza shkencore, do të merreshin studiues të historisë si ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm, që problemet historike dhe interpretimet e tyre t’i bëjnë nga këndvështrimet profesionale dhe intelektuale.
Ishte ky një parafrazim, i ndërtuar mbi kontekstin e historianit gjatë intervistës së tij, që shtroi një çështje dhe një pikëpyetje edhe mbi intelektualizmin. Do të më lejohet që këtë ndërlidhje ta bëj edhe në kontekstin narrativ të trashëgimisë kulturore, përkatësisht të arkitekturës si një pjesë përbërëse shumë e rëndësishme e saj. Është edhe një shkrim me shkas se përse profesionistët heshtin? Dhe, a po heshtin intelektualët profesionistë me të vërtetë përballë pseudointelektualëve, pseudoshkenctarëve, pseudo-”zbuluesve”, studiuesve të vetëshpallur, historianëve të vetëshpallur, arkeologëve të vetëshpallur, arkitektëve e studiuesve të arkitekturës të vetëshpallur si të tillë? Prandaj, duke mos dashur që ky shkrim të prekë profesionistët e tjerë, le të merret secili me hallin e vet, mullisi me ujin, e unë po mundohem të merrem me hisen time – arkitekturën.
Po të vlerësohej me një përgjigje rrufe, atëherë mund të thuhet se të tillët, pra intelektualët e profesioneve të ndryshme, me të vërtetë se bëjnë garë me ariun se kush fle më shumë e më gjatë! Sidomos, kur nga ata kërkohet kritika që të trajtohen çështje komplekse, shpeshherë kontradiktore. Nuk është që janë shumë të shfaqshëm, apo janë të rrallë që tashmë i njohim si për nga përditshmëria ashtu edhe nga aktiviteti – i rrallë – i tyre. Por, në anën tjetër, ka edhe të tillë, që nuk lënë gjë “të bie në tokë”.

Kush mund të merret me historinë? Kësaj pyetjeje iu përgjigj një historian, doktor i shkencave të historisë – se në diskursin historik të historiografisë, me histori po merren gazetarët, analistët, shkrimtarët e të tjerët. Dhe, kështu trajtimi dhe çështja e historisë po trajtohet në tryezat e çarshisë. E, do të duhej, me të drejtë konstatuar prej tij, që historiografia të diskutohej, të trajtohej, e problemet historiografike të shtroheshin në tryezat shkencore

Është e zakonshme se temat që trajtojnë veçanti profesionale, kërkojnë njohuri profesionale, por ato kërkojnë edhe njohuri në studimin dhe në interpretimin e tyre. Prandaj, për tema të tilla, në kushtet normale do të duhej të lexoheshin shkrimet e profesionistëve në revista shkencore, por edhe në librat e tyre autorialë, bashkautorialë shkencorë.
Pritafjalësit nuk ngurrojnë që rrufeshëm të marrin në trajtim tema që nuk i kuptojnë. Zakonisht merren me tema që nuk iu takojnë. Pse të thuhet kështu? Është e kuptueshme: nuk janë të aftë profesionalisht dhe nuk janë të përgatitur as psikikisht t’i trajtojnë fushëveprimet në të cilat hyjnë. Mangësia profesionale e bën që aftësinë intelektuale ta kenë nën margjinat e fusnotave të trajtimit të çështjes në përmasa serioze, si dhe guximi i tyre inetelektual është për t’u habitur, që i trajtojnë temat e tilla, e madje ato edhe t’i shpërfaqin në konferenca shkencore. Fatamorgana e malit, e shfaqur para syve të të tillëve, bën që të mprehin sëpatën pa nevojë. Donkishotizmi, në këtë rast, nuk përbën ndonjë problem aq të madh, por sançopançizmi prek edhe një masë të lexuesve të shkrimeve të tyre, saqë frymëzimi që marrin, i mbush me vetëdije që malit t’i futen pa sakicë! Në një anë edhe mund të kenë të drejtë. Sepse, “jeta dinamike”, siç këto dy fjalë kanë marrë hov të madh në këtë dhjetëvjetëshin e fundit, po arsyeton çdo gjë. Prandaj, edhe heshtja e shumë profesiontëve që të trajtojnë problematikat e shkencave të tyre, është e dukshme dhe aq e madhe, saqë krijon një boshllëk të madh të kërkimit të vërtetë shkencor. Kështu, vetëdijshëm më shumë, sesa pavetëdijshëm, u hapen shtigjet të tjerëve për trajtimin e temave që janë lënë anash dhe që depot e materialit kërkues janë mbushur me pluhurin e dembelizmit.
Prapambetja kulturore në mendësinë e një pjese të shoqërisë bën që vetëdija dhe logjika e kritikës profesionale të jetë larg pjekjes e të menduarit gjykueshëm në shoqëri. Është kjo një dukuri mjaft shqetësuese, e cila fatkeqësisht apo fatmirësisht nuk është vetëm në vendet tona. “Gjithçka së bashku me shokët”, pra në kuptimin se çfarë të jetë e përgjithshme, duhet të jetë e pranueshme, e mirëseardhur dhe se një dukurie të tillë, në të vërtetë nuk mund t’i bëhet ballë! Është e drejtë dhe është ashtu e parashikuar! Ajme!
Por, nuk është edhe aq keq. Sepse, ja, ka edhe të tillë profesionistë, që profesionin e tyre duan ta çojnë pak më larg sesa praktika, prandaj ta zhvillojnë edhe përmes teorisë. Mund të thuhet se një pjesë mjaft e mirë e tyre gërryejnë e zhgërryejnë sipërfaqshëm problematikën, prandaj edhe mund të thuhet, se në ujërat e mëdha të teorisë profesionale dhe të shkencës hulumtuese, janë shpupuritës që notojnë në ujëra të cekëta. I tillë është edhe kolegu nga Prishtina, i cili hapin e parë e bëri, por ngeci në të dytin. E shtroi problematikën, por në rastin e çkokëlitjes së saj, u bë problem i vetë “reflektimeve” të tij.
Mbase të gjitha lëmitë profesionale e duan nga një kritik profesionist. Ashtu si letërsia që ka kritikët letrarë që e trajtojnë atë në zhanret e saj, madje edhe kritikët a nënkritikët, nëse mund të quhen kështu, që trajtojnë çështje të hollësishme të degëve dhe nëndegëve të letërsisë; po ashtu edhe historia që ka historianët kritikë që e trajtojnë atë jashtë prizmave të margjinalizimit të historiografisë ideologjike; filozofia që ka teoricienët e saj; shkencat ekzakte që me teoricienët e tyre hedhin mundimshëm teza dhe kundërteza; e deri tek arkitektura, në të cilën mbase gjurmët më të mëdha në historiografinë e arkitekturës i kanë lënë pikërisht teoricienët dhe kritikët e mëdhënj botërorë të arkitekturës.
Pikërisht është arkitektura, që kohët e fundit po i tundon gjithologët, sikur të ishin duke vuajtur nën parashikimin e “non ducor, duco”. Si duket, ky profesion me këtë gamë aq të gjerë të vizionit konceptual, ireal dhe real, është bërë mish i blamosur nën vetëdijen e orientimit të të menduarit. Është bërë fushë e hapur, madje në disa raste të tjera, është në kajde të mejdanit të shpërfaqjes intelektuale duke përbërë kështu një kontekst të ri në narracionin e fjalorit të përditshmërisë.
Në të vërtetë, nuk është që mungojnë të tillët, pra profesionistët që t’i trajtojnë çështjet përmes kritikës profesionale, por gara e të shkruarit i pari apo që të mbulohet me aureolën e “zbuluesit”, është e jashtëzakonshme. Janë këto çështje që kulturën morale të shoqërisë e ngadalësojnë në emancipimin kulturor dhe edukativ të saj. Gjithëpërfshirja në temat e shumta, i bën shkrimet e tyre ndonjëherë edhe qesharake. Por, qesharake ato bëhen po të lexohen nga ata që e kuptojnë lëmin për të cilin shkruhet aq vullnetshëm nga qejflitë e “haremit të shkencës”.
Pyet mësuesja një nxënës që njihej për shpejtësi në llogaritje matematikore: sa bëjnë 58×85? Nxënësi i entuziazmuar nga aftësia e tij e shpejtë, që shokët e klasës nuk e kishin, u përgjigj: 336. Mësuesja ia kthen: jo, ke dhënë përgjigje të gabuar. Ndërsa nxënësi, ende i nxehur nga euforia, i thotë: gabim po, por e pe sa shpejt u përgjigja?! Anekdota e tillë zë vend në kompleksitetin e fushëveprimit të hedhjemendësve që përballen me situata që nuk mund t’i japin kuptim. Madje gjenden para një zgjidhjeje, që sikur t’i ikë zogu nga duart, duke nxituar që ta fusin në kafaz, e ndrydhin dhe e shtrydhin dhe e vrasin pavetëdijshëm atë. “Morior invictus” është slogani i gjithologëve.
Vetëshpallja si zbulues apo vetëfshehja nën petkun e fshehjes së identitetit, duke u fshehur pas identiteteve të rrejshme dhe duke u bërë faktor me atë identitet herë-herë edhe i padëshiruar dhe i sulmuar duke bërë komente e duke u përzier vend e pa vend – sidomos kur ai identitet paraqet një emër vendi dhe me të më shumë blasfemos sesa përndritë atë vend – i bën “intelektualët” të jenë të lirë edhe të flasin, të provokojnë dhe të shfryjnë pa kurrfarë përgjegjësie morale. Ndonjëherë, entuziazmi i tyre bëhet qesharak, kalon nga një pozitë pothuajse të ndershme, në një pozitë të palakmueshme, duke nxitur debatin pas shtruarjes së “sofrës së dijes” së tij: “E zbulova unë; po e paraqes për herë të parë para publikut unë; unë po e shfaq një dokument që nuk është parë kurrë deri më tani…” e gjëra të ngjashme e të pangjashme si këto, duke gërryer në intelektin e publikut. Atypëratyshëm, lëmueshëm shtrohet pyetja: po shfaq diçka të pashfaqur deri tani? Po publikon ndonjë dokument të papublikuar deri tani? Mirë. Por, të gjitha veç janë të botuara e të arkivuara e dixhitalisht të publikuara para shumë kohëve. Prandaj, si mund të thuhet se po shfaqen për herë të parë derisa kanë kaluar nëpër shumë duar derisa ka mbërritur informacioni te përdoruesi i fshehtë? Pra, si mund të jetë diçka e publikuar për herë të parë, derisa publikimi i tij “zbulues” ka autor, titull libri, numër faqeje, apo derisa ka numër të protokollit të arkivuar apo edhe më thjesht, derisa ka uebfaqe nga e cila është kopjuar dhe e publikuar si “zbulim”? Mund të konstatojnë edhe gjëra që tashmë dihen, për të cilat nuk ngurrojnë të përdorin termat “për herë të parë”, edhe të një historie të bërë bozë nga tregimi, rrëfimi, dokumentimi, zbukurimi narrativ, gjuhësor, emocional dhe tragjik i Ulqinit të dorëzuar Malit të Zi. Gjendjet e tilla janë zbavitje për tunduesit “zbulues” e “fejsbukistë”, janë tentime zvarritëse mbi të vërtetën që gjithologët zakonisht mundohen t’i mbulojnë me pluhurin e trokut të kalit. Dhe, më e rëndësishmja në një lajmërim shumë të shkurtër dhe shumë trumpetueshëm mbi dijen e hedhur mbi letër, është që dijet e tilla janë në shitje dhe ato duhet të blihen dhe se ato mund të gjenden në shitje në librari, në vendin ku zakonisht fitohet dija e jo që largohesh nga ajo… Pra, me rëndësi të jepet kushtrimi i shitjes dhe vendblerjes së “eurekës”, sesa rëndësia dhe vlera e librit. Se, që të bëhet fjalë për metodologjinë shkencore të përdorur as që e ha pazari.
Po ashtu, e njëjta është kur joprofesionisti merret me një profesion të caktuar që nuk është profesionalisht i thirrur për të. Me cilin? Me atë që kohët e fundit është bërë modë. Pra, me arkitekturën. E kuptueshme. Po shkruan gjithkush për arkitekturën dhe për arkitekturën po flet shumëkush. Nuk e njeh fushën, nuk e kupton ngjarjen, nuk ka njohuri profesionale mbi kontekstin e kohës së ndërtimit dhe zhvillimit arkitekturor, prandaj edhe gafat janë të pranishme në një masë mjaft të madhe. Pse? Sepse arkitektura është me të vërtetë “magnificus”. (vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat