Grenlanda, ujdhesa më e madhe në botë, e vendosur në mes Arktikut dhe Oqeanit Atlantik, është nën sovranitetin e Danimarkës. Por në këtë vend SHBA është e pranishme nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa nga viti 1951 ka bazën e vet ushtarake. Pikërisht një bazë e tillë në Pituffik, në veriperëndim të Grenlandës, ka për detyrë që të ndalojë sulmet raketore, është e pajisur me sisteme të mbrojtjes kundërajrore, ndërsa misioni i saj është hulumtimi i gjithësisë.
Grenlanda – ”toka e gjelbër”
Grenlanda është ujdhesa më e madhe në botë, me sipërfaqe prej 2 166 086 km², ku 1 755 637 km² (81%) është e mbuluar me akull. Gjatësia e vijës bregore është 39 330 km, pothuaj sa gjatësia e Ekuatorit. Në shqip emri i Grenlandës ka kuptimin ”toka e gjelbër”, sepse të tillë e kanë quajtur banorët e parë të vendosur nga Norvegjia. Sipas të dhënave nga viti 2007, këtu banojnë 57 000 banorë.
Në vitin 1261 Grenlanda u bë pjesë e Mbretërisë së Norvegjisë, ndërsa nga viti 1814 i takon Danimarkës. Në vitin 1953 Grenlanda bëhet pjesë e barabartë e Danimarkës, e nga viti 1979 fiton autonomi lokale. Në saje të referendumit të mbajtur në vitin 2008, nga viti 2009 funksionon qeverisja lokale, ndërsa në kompetencë të Danimarkës mbesin politika e mbrojtjes dhe ajo e jashtme.
Minerale të pashfrytëzuara
Grenlanda ka burime minerale të mëdha, kryesisht të pashfrytëzuara, duke përfshirë elemente të rralla të tokës, grafit, litium dhe minerale të tjera kritike. Madje këto burime mund të luajnë një rol kyç në të ardhmen e energjisë së gjelbër, teknologjisë dhe zinxhirëve globalë të furnizimit, duke e bërë Grenlandën një pikë të nxehtë potenciale për zhvillim strategjik.
Vizita që shqetësoi opinionin
Vizita e nënpresidentit amerikan Xhej Di Vens dhe delegacionit të tij në Grenlandë në fund të muajit mars, ku kanë vizituar bazën ushtarake amerikane “Pitiffuk”, ka nxitur shqetësim të qytetarëve në Grenlandë dhe Danimarkë. Një shqetësim i tillë bazohet në rrethanat gjeopolitike, ku kjo ujdhesë paraqet interes jo vetëm për amerikanët.
Përveç aspektit strategjik, analistë të ndryshëm cekin se çështje kryesore është pasuria minerale e nëntokës së Grenlandës, sepse nga 76 miniera të cilat kanë koncesione për eksploatim të xehes, vetëm një është në pronësi të SHBA-së. Ndonëse ujdhesa është e pasur me minerale, naftë e gaz natyror, zhvillimi është i ngadaltë, sepse shumica e kompanive të xeheroreve janë australiane, kanadeze apo britanike, ndërsa investimet amerikane në sektorin e xehtarisë janë të kufizuara. Personi i dytë i SHBA-së ka porositur haptas se Amerika duhet të marrë kontrollin mbi Grenlandën me qëllim për “të ndaluar kërcënimet që vijnë nga Kina dhe Rusia”.
Deklaratat e tilla në dy-tre muajt e fundit të përkujtojnë shek. XIX, kur në këtë formë janë sjellë vendet e mëdha ndaj vendeve të vogla dhe të dobëta, që ishte ”veprim normal“ për periudhën e kolonializmit, përkatësisht të imperializmit.
Por, duhet cekur se në kohën tonë kërcënimi aktual nga zyrtarët amerikanë është befasi, sepse kemi të bëjmë me ndryshim të retorikës dhe të politikës ndaj aleatëve pas Luftës së Dytë Botërore. Madje ky është rast i veçantë, sepse kemi të bëjmë me konflikt të mundshëm në mes dy anëtarëve të NATO-s.
Trampi paralajmëron aneksimin e Grenlandës
Derisa Vensi ishte në vizitë, Presidenti i SHBA-së Donald Tramp iu ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se SHBA-së i duhet Grenlanda për hir “të paqes në tërë botën“.
“Na duhet Grenlanda, dhe atë me shumë rëndësi për sigurinë ndërkombëtare. Na duhet ta kemi Grenlandën. Nuk është pyetja ‘a mundemi pa të?‘ – Nuk mundemi“, ka deklaruar Trampi, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve Rojters.
Nga ana tjetër, zyrtarët danezë theksojnë se ujdhesa nuk është në shitje dhe nuk mund t‘i bashkohet SHBA-së, por Trampi qartë ka treguar se dëshiron ta vendosi nën kontrollin e tij. “Na duhet Grenlanda për sigurinë kombëtare e madje edhe për sigurinë ndërkombëtare, dhe punojmë me të gjithë që ta fitojmë“, ka thënë Trampi duke iu drejtuar në Kongres muajin e kaluar, duke shtuar se: “do ta fitojmë në këtë apo në mënyrë tjetër“.
Madje në fund të marsit, Presidenti Tramp ka thënë se “është shumë e mundshme që aneksimi i ujdhesës të ndodhë pa përdorimin e forcës ushtarake“.
Fushata mediatike e aneksimit
Se kemi të bëjmë me një çështje serioze gjeopolitike dëshmon e dhëna se në lidhje me Grenlandën, Shtëpia e Bardhë ka përgatitur një plan zyrtar për të përfituar këtë ujdhesë arktike nga Danimarka, ku sipas planit të Trampit bashkimi i Grenlandës duhet të bëhet më shumë me “bindje“ e jo me “invazion“. Nga një plan i tillë Uashingtoni do të inicojë fushatën mediatike që të bindë 57 mijë banorët e ujdhesës të kërkojnë nga SHBA të aneksojë Grenlandën.
Këshilli për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë ka vendosur instruksione konkrete për agjenci të ndryshme se çka duhet të bëjnë që ta avancojnë planin e përgjithshëm për aneksimin e Grenlandës. Më pas përfaqësuesit e qeverisë amerikane do të fillojnë të deklarohen se Danimarka, e cila është pronare e ujdhesës, nuk kujdeset mjaftueshëm për banorët e saj. Zyrtarët amerikanë theksojnë se vetëm SHBA mund ta mbrojë Grenlandën nga invazioni i Rusisë dhe Kinës.
Po ashtu theksohet se është e mundur që administrata e Trampit t‘i premtojë rreth 10 mijë dollarë në vit çdo banori të ujdhesës, që do të zëvendësojë mbështetjen e tërësishme prej 600 milionë dollarësh që Danimarka ia siguron Grenlandës në vit.
Një mbështetje e tillë financiare do të jetë nxitje për qytetarët e Grenlandës që të angazhohen për pavarësi të ujdhesës, si dhe të raporteve të tjera vijuese me SHBA-në në të ardhmen.
“Nuk janë në shitje“
Qytetarët e Grenlandës janë të befasuar nga retorika aktuale amerikane, sepse deri më tash nga SHBA askush nuk ka paraqitur pikëpamje të tilla për të ardhmen e kësaj ujdhese. Në lidhje me këtë çështje personalitete të njohura nga Grenlanda cekin se kjo është toka jonë dhe ”ne nuk jemi në shitje“. Madje disa banorë në Nuuk (kryeqytet i Grenlandës) kanë vendosur flamujt grenlandezë në borë dhe mbishkrimin në gjuhën angleze: “Toka jonë! Ardhmëria jonë!“. Edhe hulumtimi i opinionit publik ka dëshmuar se pothuajse të gjithë grenlandezët e kanë hedhur poshtë idenë që të bëhen pjesë e SHBA-së.
Nga autonomia drejt pavarësisë
Retorika agresive e Trampit në lidhje me Grenlandën ka nxitur hulumtimin e opinionit vendas në lidhje me disponimin e qytetarëve për çështjet aktuale. Kështu, sipas disa anketave del se rreth 80% e grenlandezëve mbështesin pavarësinë nga Danimarka. Por, një hulumtim i opinionit që është zhvilluar në janar të këtij viti ka treguar se numri i qytetarëve është më i lartë kundër idesë që Grenlanda të jetë pjesë e SHBA-së.
Pikërisht në mënyrë identike është deklaruar Jens-Frederik Nilsen, kryetar i qeverisë së Grenlandës, i zgjedhur pas zgjedhjeve të mbajtura me 11 mars 2025. Por, nga retorika në praktikën politike të gjeopolitikës amerikane çështja e Grenlandës si duket është në fillim, ndërsa epilogu i saj do të zgjasë, por mendoj jo më shumë sesa mandati katërvjeçar i Presidentit Tramp.