“ARKA” krajane në Amerikë

Emri i restorantit ka të bëjë me “Arkën e nuses krajane”. Kjo është një ide e pronarit, i cili e ka paraqitur me simbolikën e saj. Kur e çel arkën e nuses krajane kemi të bëjmë me pajën e saj mahnitëse, kurse kur e hapni derën e restorantit “ARKA” të Mirsad Kovaçit keni të bëni me mikpritjen bujare të një krajani zemërbardhë, bujar e human, të një patrioti të madh shqiptar, aty ku gjeni të shtruar tryezat apo thënë ndryshe, “krajançe” - “sofrën krajane”

Hamid Alaj

Për të pasur një biznes të çfarëdo lëmie, qoftë në ndërtimtari, pasuri të patundshme, ekonomi, bujqësi, blegtori, artizanat e në veçanti në gastronomi (restorante), së pari një person i cili dëshiron të merret me biznes duhet të ketë besim në vetvete. Ajo mund të arrihet si biznesmen i vetëm ose me partner, por që të dy duhet të kenë besim dhe qëllim të përbashkët për arritjen e suksesit dhe qëllimit të nisur. Pra, nga kjo mund te themi se në dorën tuaj lind dhe krijohet çelësi kryesor i çdo biznesi të nisur. Kjo është shumë me rëndësi, sepse pa vetëbesim askush dhe asnjë klient nuk ka besim te ju për atë se çfarë ju ofroni dhe shërbeni atyre.
Duket se një gjë të tillë e vërejti bukur mirë edhe Mirsad Kovaçi nga Arbneshi i Krajës dhe atë në biznesin e gastronomisë, me hapjen e restorantit të ri. Ai jo vetëm që ka në pronësi tash e disa vite (si partner) edhe Bar “Grande Caffe”, një bar ku vendlindjen – Krajën mund ta gjesh aty dhe lirisht mund të mallëngjehesh me fotografi në muret e saj, të cilat të heqin mallin dhe të mbushin plot nostalgji për Krajën e bukur dhe piktoreske, bar ky që gjendet në lagjen Staten Island të New Yorkut. Por ai nuk u ndal me kaq, por ditë më parë hapi edhe restorantin tjetër, me emrin “ARKA”, në adresën 628 Midland Ave në Staten Island, me gjellë mediterane, ku zakonisht dominon peshku i njohur levrek deti.
Për të hapur një restorant nuk është një rrugë aq e lehtë, përkundrazi dominojnë edhe vështirësitë që një biznes në lëmin e gastronomisë has gjatë rrugëtimit të tij për të arritur aty ku pronari ka synimin e vet, tërheqjen e klientit, cilësinë e gjellëve, nivelin e shërbimit me klientin, cilësinë e kuadrit punues dhe patjetër që duhet të ketë staf profesionist në kuzhinën e tij. Kjo nuk mund të arrihet nëse më parë nuk e dini se ku doni të shkoni dhe të mos kesh besim në veten tënde. Njëkohësisht, krahas kësaj duhet të ecet edhe me përvojën dhe psikologjinë e punës në restorant. Të gjitha këto dukuri për të pasur një biznes të sukseshëm dhe punët të ecin mbarë duket se bukur mirë Mirsad Kovaçi i ka provuar me një përvojë në gastronomi – restorante, i cili në fillim të emigrimit nga vendlindja në Nju Jork, vitet e para i ka kaluar duke punuar në restorante, përvojë kjo e cila i hapi rrugën që ai sot të bëhet njëri nga pronarët e njohur të dy restoranteve.
Në restorantin “ARKA” klienti balkafaqohet me një ambient vërtet të mrekullueshëm, ku para tij na paraqitet bari i restorantit dhe më tej tryezat ku shërbehen gjellët e porositura nga klientët. Posa të hapësh menynë, si paragjellë të bie në sy oktapodi në skarë, njëra nga paragjellët e preferuara të këtij restoranti. Pastaj nga sallatat nuk mund të lësh pa porositur sallatën mediterane, e cila përngjan me sallatën krajane, thuajse Mirsadi e barti nga vendlindja në restorantin “ARKA”. Mund të duket pak si qesharake, por edhe emri i restorantit ka të bëjë me “Arkën e nuses krajane”. Kjo është një ide e pronarit, i cili e ka paraqitur me simbolikën e saj. Kur e çel arkën e nuses krajane kemi të bëjmë me pajën e saj mahnitëse, kurse kur e hapni derën e restorantit “ARKA” të Mirsadit keni të bëni me mikpritjen bujare të një krajani zemërbardhë, bujar e human, të një patrioti të madh shqiptar, aty ku gjeni të shtruar tryezat apo thënë ndryshe, “krajançe” – “sofrën krajane”.
Nga pjesa e menysë së mishit më e preferuar është pjata e filetos së mishit, një copë mishi shumë i shijshëm dhe i butë për t’u ngrënë. Pjata e pulës po ashtu nuk mund të shmanget nga porosia për t’u shijuar dhe më e preferuara është pjata me pulë pikata (chicken piccata).
Në restorantin “ARKA” të pronarit Mirsad Kovaçi mund të gjeni edhe pjatën e preferuar tradicionale shqiptare, pjatën me qebapa. Përveç pjatave të cekura nga më të preferuarat në restorantin “ARKA”, aty mund të gjeni edhe shumë pjata të tjera, duke filluar që nga paragjella, sallata, supa, ushqimet kryesore, pula, pastat e pjatat anësore me një shije vërtet të këndshme, ku të paraqitet një pjatë dekorative me një elegancë në vete, sepse njerëzit shkojnë në restorant për të ngrënë një vakt drekë apo darkë në një ambient komod dhe tërheqës. Shërbimi duhet të jetë parësor, sepse mysafirët duhet të ndjehen të kujdesshëm kur hyjnë në restorant dhe këtë e gjen në restorantin “ARKA”. Nuk ka dyshim se njerëzit do të kthehen për ushqime të mira dhe të shijshme nëse restoranti do të gatuajë ushqime cilësore duke përdorur produkte të freskëta dhe përbërës cilësorë, ku pastaj pjata do të flasë vetë. Të gjitha këto do t’i shërbehen klientit në restorantin “ARKA” me pronar krajanin Mirsad Kovaçi. Nuk do të zhgënjeheni, prandaj vizitojeni, hani një vakt dhe shijojeni ushqimin në restorantin “ARKA”.
Nga përvoja ime shumëvjeçare në restorant, klientit të mirëfilltë dhe atyre që preferojnë gjellën mediterane ua sugjeroj t’i provojnë dhe t’i shijojnë ushqimet shumë të shijshme në restorantin “ARKA” me pronar Mirsad Kovaçin.

Të fundit

më të lexuarat