Zoran Millanoviq rizgjidhet President i Kroacisë

Kryetari aktual i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka fituar edhe një mandat pesëvjeçar në rrethin e dytë të zgjedhjeve që janë mbajtur të dielën (12 janar 2025).
Ai ka fituar bindshëm me rreth 75 për qind të votave, kundrejt vetëm 25 për qind sa ka fituar kundërshtari i tij Dragan Primorac, kandidat i Unionit Demokratik të Kroacisë (HDZ) në pushtet. Fitorja e Millanoviqit, i cili ishte kandidat i Partisë Socialdemokrare (PSD) në disa zhupani ka arritur në mbi 90 për qind të votave.
Rizgjedhja e Millanoviqit në rrethin e dytë zgjedhor është pritur pasi që ai në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të mbajtura më 29 dhjetor të vitit të kaluar, kishte arritur të sigurojë 49 për qind të votave, pak vota më pak se shumica e nevojshme për të fituar që në rrethin e parë.
Dalja në zgjedhjet presidenciale në Kroaci – vendin anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian – ishte 44.15 për qind.
Pas shpalljes së fitores, Millanoviqi ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë.
“Kroaci, faleminderit. Kjo është një ditë e madhe për mua personalisht. Këtë fitore e shoh si njohje për punën time, një lloj besimi të popullit tek unë”, ka thënë ai para gazetarëve.
Roli i presidentit në Kroaci është kryesisht ceremonial.
Gjatë mandatit të tij, Millanoviq, një ish-kryeministër populist, e ka kundërshtuar kryeministrin Andrej Plenkoviq në lidhje me politikat e jashtme dhe publike. Viteve të fundit ai e ka përdorur gjithnjë e më shumë retorikën populiste dhe shpesh fyese për të kritikuar Bashkimin Evropian dhe zyrtarët lokalë.
Millanoviq ka shërbyer si kryeministër i Kroacisë nga viti 2011 deri më 2016, ndërsa në vitin 2020 është zgjedhur President i Kroacisë.
Me rastin e fitores dhe rizgjedhjes President të Kroacisë, Millanoviqin e kanë uruar ndër të tjerë presidentët e Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka thënë se është i bindur që marrëdhëniet e Malit të Zi dhe Kroacisë do të zhvillohen në themelet e miqësisë, respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë.
“E di se të dy jemi sinqerisht të përkushtuar ndaj kësaj”, ka theksuar ai.
“Urimet më të përzemërta për mikun tim, Zoran Millanoviq, në rizgjedhjen si President i Kroacisë. Shohim përpara për të vazhduar forcimin e partneritetit tonë”, ka shkruar Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në mesazhin e urimit në profilin e tij zyrtar në platformën X drejtuar homologut kroat.
Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret me padurim vazhdimin e bashkëpunimit të fuqishëm ndërmjet dy vendeve mike në të ardhmen.
“Urime, i nderuari president Milanoviq, për rizgjedhjen tuaj si president i Republikës së Kroacisë. Si një përkrahës i palëkundur i popullit të Kosovës dhe vendit që i takon vendit tonë në familjen euroatlantike të kombeve, pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë.
Së bashku, ne do të forcojmë edhe më tej partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë”, ka shkruar ajo.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat