Kombi shqiptar dhe identiteti kulturor

Subjektet politike shqiptare pa boshtin e identitetit kulturor gjithmonë do të jenë e zeza e kombit. Fatkeqësisht, siç po rrjedhin punët që nga demokratizimi i Malit të Zi e deri më sot, subjektet tona politike shumë verbërisht po hapërojnë drejt formimit të kombit qytetar. Ky koncept duhet të braktiset dhe të përqafohet koncepti i identitetit kulturor, si e vetmja vlerë që i jep kuptim diversitetit kulturor, këtij thesari të shoqërive të civilizuara

Qani Osmani

Kombi është një komunitet me prejardhje të përbashkët si dhe me sërë karakteristikash të përbashkëta si: gjuha, raca, kultura, feja etj.. Ky do të mund të ishte një përkufizim, siç ka edhe shumë përkufizime të tjera që kryesisht bazohen në fenomene e ngjarje shoqërore.
Ekzistojnë teori që thonë se kombi është produkt i nacionalizmit dhe trysnisë së pushtetit. Një teori tjetër thotë se kombi është produkt i zhvillimeve të hovshme industriale. Një tjetër thotë se kombi është produkt i lëvizjeve militare antipushtuese apo edhe produkt i përkatësisë së fatit të përbashkët.
Kjo teori e fundit është mjaft manipulative dhe pretendon një shoqëri të zhveshur nga përkatësitë etnike, duke iu nënshtruar tërësisht fatit dhe perspektivës së përbashkët në kuadër të një territori administrativ apo një shteti. Ky lloj kombi quhet komb qytetar! Pra, sipas kësaj teorie, qytetarët e një shteti përbëjnë të njëjtin komb, që do të thotë se, në atë shtet ka vetëm një komb.
Në fakt këtu kombi shpreh përkatësinë shtetërore të qytetarit. Nisur nga kjo teori, shqiptarët duhet të reagojnë ashpër dhe assesi nuk duhet të pranojnë që të quhen si “qytetarë të Malit të Zi”, por, thjesht “shqiptarë të Malit të Zi”, sepse vetëm kësisoj do të jemi të denjë që t’i përkasim teorisë tjetër që është më e saktë, më e shëndoshë dhe më e pranueshme, teorisë që kombin e përkufizon si komunitet etnik ose kulturor me shenja të trashëguara identifikuese dhe jo të përzgjedhura. Ky definicion i përshtatet sidomos atij kombi që për shkak të rrethanave të ndryshme historike u detyrua të ndahet nga kombi i vet dhe të ngelë në territoret e tjera administrative që e rrethojnë shtetin amë. Dhe ky kolektiv i mbetur jashtë trungut kombëtar, sa herë që do të kalojë nëpër procese të ndryshme me tendenca asimiluese mbështetet fort në parimin kulturor i cili gjithmonë ia mbanë të shëndosha aspiratat për shtetin e ardhshëm kombëtar.
Malaziasit e sotshëm kanë zgjedhur rrugën që i afron te teoria e cila kombin e përkufizon si një fenomen që vjen nga historia “kontinuitive” e “pasegmentuar”. Kjo histori që e prodhon këtë farë kombi mbështetet në figura gjysmë mitike, dokumente dhe simbole të falsifikuara, si flamuri dhe imazhet, që kanë për qëllim të zgjojnë ndjenja nacionaliste.
Sidoqoftë, identiteti kulturor është baza e një kombi. Tendenca për ngulfatje të identitetit kulturor përmes përkatësisë shtetërore është gjenocid kulturor, është shkelje e të drejtave të njeriut. Dhe, anasjelltas, arritja e lirisë së aspiruar pas përpjekjeve të ndryshme politike e luftarake pa i siguruar të gjitha ato të drejta që i përkasin korpusit të identitetit kulturor, është një liri e rrejshme.
Kombi shqiptar është një, jo se kështu dëshirojnë partitë politike, liderët, policia apo ushtria kombëtare, por, mbi të gjitha, sepse kemi një dhe vetëm një identitet kulturor. Kudo që jetojnë shqiptarët jashtë shtetit amë i kanë të gjitha vetitë dhe karakteristikat e përbashkëta si etni. Asnjë nga shtetet nuk mund t’i privojë nga e drejta për ta ruajtur dhe manifestuar identitetin kulturor. Vlerat kulturore janë të përbashkëta, kultivuesit e këtyre vlerave janë të përbashkët, aktivitetet e përgjithshme kulturore janë për të gjithë shqiptarët, ndaj ato duhet të shijohen prej çdo shqiptari, kudo që jeton ai.
Identiteti kulturor i shqiptarëve të Malit të Zi është një thesar i paçmueshëm i cili i jep kuptim të plotë diversitetit kulturor në këtë shtet. E gjithë bota e civilizuar diversitetin kulturor e konsideron si shpirt të shoqërisë dhe shtetit. Realiteti multikulturor i një shoqërie nuk mund të dëshmohet përmes ngritjes së dy-tri përmendoreve, as përmes rrahje-gjoksit duke dëshmuar deklarativisht përkatësinë etnike. Është tërësisht e gabueshme përpjekja e shqiptarëve të Malit të Zi për të dëshmuar se ky shtet është multikulturor. Kjo përpjekje duhet të jetë e vetë shtetit, gjegjësisht, e pushtetit malazias, sepse nga të qenit multikulturor nuk humb asgjë, përkundrazi, përfiton shumëçka, në çdo aspekt. Shqiptarët duhet të jenë aktivë në ruajtjen dhe në kultivimin e identitetit të vet kulturor.
Shpesh politikat kulturore malaziase mëtojnë që shqiptarët e Malit të Zi t’i paraqesin si “kolektiv i padenjë për kulturë”, i paangazhuar për vepra kulturore dhe skajshmërisht pasiv në prodhimin e kuadrove të denjë për angazhime, detyra dhe vlerësime kulturo-artistike. Ky vlerësim është kryekëput me konotacion politik dhe ka për qëllim krijimin e një kolektivi me një identitet të ri kulturor, që rrënjësisht dallon nga ai i kombit shqiptar. Artistët dhe punëtorët e ndryshëm kulturo-artistik shqiptar nuk kanë se çka të shkrihen nëpër institucione e asociacione malaziase sa për t’i dëshmuar kapacitetet e tyre kulturo-artistike. Instrumentistët shqiptarë, nëse nuk kanë numër të mjaftueshëm për të krijuar trupën e filarmonisë shqiptare në Mal të Zi, e kanë të drejtën natyrale për të kërkuar ndihmën e vëllezërve të tyre nga Shqipëria apo Kosova, për t’i argëtuar shqiptarët e vendit dhe për t’i njoftuar me kulturën shqiptare të huajt që nuk kanë pasur rastin t’i vizitojnë shtetet shqiptare.
Asnjë në Mal të Zi nuk guxon të mendojë se shqiptarët e këtushëm janë të padenjë të krijojnë një film ndërkohë që ka regjisorë, skenaristë e producentë shqiptarë. Është punë e vetë shqiptarëve se kujt dëshirojnë t’ia ndajnë paratë nga buxheti i shtetit që krijohet edhe nga taksapaguesit shqiptarë. Kësaj politike shoviniste duhet t’i jepet fund. Subjektet politike shqiptare pa boshtin e identitetit kulturor gjithmonë do të jenë e zeza e kombit. Fatkeqësisht, siç po rrjedhin punët që nga demokratizimi i Malit të Zi e deri më sot, subjektet tona politike shumë verbërisht po hapërojnë drejt formimit të kombit qytetar. Ky koncept duhet të braktiset dhe të përqafohet koncepti i identitetit kulturor, si e vetmja vlerë që i jep kuptim diversitetit kulturor, këtij thesari të shoqërive të civilizuara.

Të fundit

më të lexuarat