Mali i Zi, viktimë e ekspansionizmit të vet

Megjithëse kanë kaluar gati 150 vjet Mali i Zi nuk ka arritur t’i absorbojë dallimet nacionale, fetare etj. dhe të bëjë homogjenizimin e shoqërisë malazeze

Ismet Kallaba

Kriza politike dhe shoqërore në Mal të Zi e viteve të fundit është pasojë e shumë faktorëve, duke nisur prej atyre historikë, politikë, fetarë, demografikë etj. Kjo krizë ka rikthyer edhe një herë vëmendjen në të kaluarën e Malit të Zi dhe mënyrën e zgjerimit të tij territorial, duke konkluduar se Mali i Zi është viktimë e ekspansionizmit të vet.
Nëse i referohemi historisë do të vërejmë se synimet ekspansioniste të Malit të Zi, në pjesën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, bënë që ai pothuajse ta trefishojë territorin e vet në dëm të popujve dhe shteteve fqinje, përfshirë shqiptarët. Mali i Zi aneksoi trevat me shumicë shqiptare si Ulqini, Tivari, Ana e Malit, Kraja, Malësia, Gucia, Plava dhe Rozhaja, gjë që u legjitimua me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) dhe Konferencës së Londrës (1912-1913). Mali i Zi ka arritur që për disa ditë të pushtojë edhe Shkodrën në prill të vitit 1913, por është detyruar të tërhiqet pas presionit të Fuqive të Mëdha, duke pësuar disa mijëra viktima. Si të thuash, kjo ishte një kafshatë e madhe, e ngelur në fyt për shkak të synimeve grabitqare. E duket se kjo politikë tani po i kthehet si bumerang Malit të Zi.

Edhe pse nuk janë bërë të ditura akoma (me përjashtim të numrit të banorëve, amvisërive dhe banesave), duke pasur parasysh edhe rrethanat aktuale politiko-shoqërore në Mal të Zi pritet që të dhënat e regjistrimit të fundit (2023) të jenë edhe më të disfavorshme për Malin e Zi, rrjedhimisht edhe për shtetësinë dhe të ardhmen e tij


Historikisht Mali i Zi ka qenë aleat dhe është konsideruar dhe trajtuar si një “fëmijë i vogël” i Rusisë dhe Serbisë, të cilat në përpjekjet e tyre ekspansioniste e kanë ndihmuar Malin e Zi për të realizuar synimet e tij ekspansioniste. Ai në të njëjtën kohë ka qenë dhe iu ka shërbyer atyre si një shteg për daljen në Detin Adriatik.
Në disa periudha historike, afrimiteti i Malit të Zi me Serbinë, para së gjithash për shkak të lidhjeve fetare (përkatësisë fetare ortodokse) dhe interesave të përbashkëta, e ka ndihmuar Malin e Zi, por kur ai është përpjekur të çojë krye duke bërë lëvizje të pavarura, ka qenë mu Serbia ajo që ka rrezikuar shtetësinë e tij. Mali i Zi e humbi pavarësinë si pasojë e vendimeve të Kuvendit të Podgoricës në vitin 1918, i njohur si Kuvendi i Madh Kombëtar i Popullit Serb në Malin e Zi, që çoi në bashkimin e Malit të Zi me Serbinë. Përpjekjet e tanishme të partive proserbe, të ndihmuara hapur nga Serbia përmes Kishës Ortodokse Serbe, ngjasojnë shumë me skenarët e atëhershëm për të zhbërë pavarësinë e tanishme të Malit të Zi, të rifituar në vitin 2006.
Vetë pushteti i Malit të Zi ka ndjekur një politikë diskriminuese dhe asimiluese ndaj pakicave, sidomos ndaj shqiptarëve, pothuajse në të gjitha periudhat, qoftë kur ai ishte shtet i pavarur, pjesë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe asaj Jugosllave, RSFJ-së, RFJ-së, Bashkësisë Shtetërore Serbi-Mali i Zi apo si shtet i pavarur (2006 e këtej). Përkundër kësaj politike, megjithëse kanë kaluar gati 150 vite Mali i Zi nuk ka arritur t’i absorbojë dallimet nacionale, fetare etj. dhe të bëjë homogjenizimin e shoqërisë malazeze.
Si pasojë e gjithë kësaj, Mali i Zi sot ka krizë me identitetin e vet. Kjo shprehet më së qarti edhe nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë së vitit 2011, ku vetëm 45 për qind e popullsisë së Malit të Zi janë deklaruar malazezë, që do të thotë se ata nuk janë shumicë në shtetin e vet. Akoma më zhgënjyes në këtë aspekt është fakti se vetëm 37 për për qind e popullsisë kanë deklaruar se kanë gjuhë amtare gjuhën malazeze, kurse gjuhë dominuese është ajo serbe (afër 43 për qind e kanë gjuhë amtare). Kisha Ortodokse Malazeze, përpos që nuk është kanonike, ka një numër të vogël besimtarësh në krahasim me Kishën Ortodokse Serbe. Edhe pse nuk janë bërë të ditura akoma (me përjashtim të numrit të banorëve, amvisërive dhe banesave), duke pasur parasysh edhe rrethanat aktuale politiko-shoqërore në Mal të Zi pritet që të dhënat e regjistrimit të fundit (2023) të jenë edhe më të disfavorshme për Malin e Zi, rrjedhimisht edhe për shtetësinë dhe të ardhmen e tij.

Të fundit

më të lexuarat