Ndarja e Kosovës, opsion strategjiki Serbisë

Nikë Gashaj

Ndarja e Kosovës është opsion i politikës strategjike serbe të cilin Beogradi e mban në tryezë më shumë se tri decenie. Për ndarjen e Kosovës i pari ka folur Dobrica Qosiq, i cili ndër të tjerat ka thënë: “Zgjidhja e antagonizmit shekullor ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë mund të gjendet në kompromis në bazë të së drejtës historike dhe etnike. Një kompromis i tillë nënkupton të drejtën e shqiptarëve në Kosovë për t’u bashkuar me Shqipëri, me territore në të cilat janë shumicë. Ndërsa, Serbisë do t’i bashkoheshin territoret me shumicë serbe në Kosovë.
Po përkujtojmë se Dobrica Qosiq, më 2005. e ka publikuar librin në të cilin është përpjekur për shpjegimin e ndarjes së Kosovës. Libri i tij është promovuar pothuajse, në të gjitha qytetet e Serbisë. Kryetari aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe të gjithë të tjerët para tij, një ide të tillë politike mbi Kosovën e kanë miratuar si strategji shtetërore. Andaj, Vuçiqi në vitet 2017 dhe 2018, haptas ka folur për përcaktimin e Kufijve Kosovë -Serbi, respektivisht për ndarjen e Kosovës.
Për ndarjen e Kosovës, udhëheqësia politike e Serbisë për një kohë gjatë ka bërë përpjekje për inkuadrimin e Shqipërisë, por pa sukses. Më në fund, sipas fjalëve të Sonja Biserko, kryetares së Komitetit të Helsinkit të Serbisë, Beogradi në Tiranë e ka gjetur bashkëbiseduesin për realizimin e një strategjie të tillë, për ndarjen e Kosovës, në një udhëheqës të lartë të shtetit shqiptar, i cili në bashkëpunim me Aleksadër Vuçiqin dhe Hashim Thaçin kanë përgatitur planin për ndarjen e Kosovës. Për autorët e politikës të ndarjes së Kosovës ka folur dhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
Në lidhje për një plan të tillë, në një intervistë, Vuçiqi është shprehur: Gjithçka ka qenë e dakorduar ndërmjet përfaqësuesve politikë serbë dhe shqiptarë, por një shtet i fuqishëm evropian e ka ndaluar një marrëveshje të tillë. Sipas të tëra gjasave, ai shtet ka qenë Gjermania, në krye me kancelaren Angela Merkel.

Ballkani i Hapur, dështim politik
Më 23. 12. 2019, në Novi Sad u miratua iniciativa Mini Shengeni ballkanik. Në takimin e parë morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev. Përfaqësuesit e kësaj nisme kanë deklaruar se ajo do të ketë “rëndësi të madhe” për Ballkanin Perëndimor.
Më 29 korrik 2021, funksionarët e lartpërmendur e mbajtën mbledhjen e dytë në Shkup dhe e riemërtuan iniciativën “Mini Shengen” në “Ballkani i Hapur”. Mirëpo, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk i janë bashkuar nismës në fjalë. Për nismën “Mini Shengen”, respektivisht “Ballkanin e Hapur” kam shkruar në mënyrë kritike në shumë mediume shqiptare, por dhe në ato sllave. Pra, kam qenë kundër një iniciative të tillë, duke e vlerësuar atë si projekt të rrezikshëm politik për Kosovën dhe tërë rajonin ballkanik, meqenëse nismëtari kryesor i saj, Aleksandër Vuçiq, në prapaskenën politike, ka pasur ambicie dhe qëllim të realizmit të projektit nacionalist, të ashtuquajtur “Bota Serbe”, apo “Serbia e Madhe” i cili do të destabilizonte të tëra vendet e rajonit ballkanik, por dhe më gjerë.
Ndër të tjera kam thënë se çështje qendrore për stabilizimin e rajonit ballkanik është vendosja e normalizimit të plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, respektivisht të njohjes së tyre reciproke shtetërore, sepse pa stabilizim politik në rajon, nuk ka as bashkëpunim të suksesshëm ekonomik. Përkundrazi, gjithçka tjetër paraqet gënjeshtër apo mashtrim politik për qëllime të politikës hegjemoniste të Serbisë.
Ajo që paraqiti befasi, çudi dhe shqetësim ishte fakti se Shqipëria e pranoi këtë nismë të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq pa marrëveshje me Kosovën, u rreshtua dhe u bë partner i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe pse një iniciativë e tillë kishte një prapavijë të dëmshme politike për Kosovën, respektivisht, gjoja e normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet të tregtisë së lirë, pa njohje shtetërore të Kosovës, por si në kohën e ish-Jugosllavisë, si krahinë e Serbisë. Me fjalë të tjera, Serbia kishte për qëllim të bënte manovra për legjitimin e një gjendjeje të tillë politike dhe për shtyrjen e njohjes së Kosovës. Ata është dashur ta dinë, shteti shqiptar, por dhe partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut që kanë qenë në koalicion me ish- kryeministrin, Zoran Zaev. Në anën tjetër, rajoni nuk ka pasur nevojë për iniciativë të tillë rajonale, kur dihet se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të përfshira në procesin e Berlinit.
Procesi i Berlinit është emri i procedurave të kombinuara të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Brukselit, i nisur nga dëshira e Angela Merkelit, ish-kancelares së Gjermanisë, në vitin 2014, që Bashkësia Evropiane t’i kushtojë vëmendjen më të madhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor: Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet mjeteve të informimit më 1. korrik 2023, deklaroi se Iniciativa rajonale “Ballkani i Hapur” ka përfunduar dhe se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhen t’i përkushtohen Procesit të Berlinit.
Sipas nënshkruesve të Iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”, Vuçiq, Rama dhe Zaev, ajo duhej të mundësonte një qarkullim më të shpejtë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nuk u realizua. Iniciativa në fjalë nuk pati asnjë arritje, por shkaktoi vetëm dëme në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe i shërbeu Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë më herët se nisma “Ballkani i hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa në nisme për treg të përbashkët rajonal.
Në kuadër të “Ballkanit të Hapur” Vuçiqi donte që Serbia të diktonte shumë gjëra dhe këtë do ta arrinte me hyrjen e BeH dhe Malit të Zi në këtë iniciativë, të cilat ai i kupton si shtete serbe, që do të thotë “botë serbe” dhe Serbia do ta keqpërdorte atë iniciativë rajonale si një vend më i madh në mesin e anëtarëve të saj.
Mund të supozohet se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë një sinjal nga Brukseli për të hequr dorë nga iniciativa “Ballkani i Hapur”. Po ashtu, situata e tensionuar në Mitrovicën e Veriut mes serbëve dhe organeve shtetërore të Kosovës dhe KFOR-it, ishte një arsye e mirë që Rama të shpallte se Ballkani i Hapur ka përfunduar, meqenëse e kishte përmbushur misionin e tij dhe se po vazhdonte t’i përkushtohej procesit të Berlinit. Më tutje, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në disa raste ka thënë se ka rezerva për Ballkanin e Hapur. Prandaj, mund të konstatohet se iniciativa rajonale e Ballkanit të Hapur ka dështuar.
Përfundim: Politika e “Ballkanit të Hapur” është dëshmi e amatorizmit të pakuptueshëm të Ramës, Vuçiqit, Zaevit (dhe Pendarovskit) nga Shkupi, të cilët një iniciativë të tillë rajonale, e kanë mbrojtur për katër vitet e fundit pa asnjë projekt studimor për kushtet e saj ekonomike dhe politike. Andaj, dështimi i politikës të “Ballkanit të Hapur”, por dhe një serie të politikave të tjera të gabuara në vendet rajonale ballkanike në politikën e brendshme dhe të jashtme, në rend të parë, janë pasojë e krizës së politikës kadrovike. Me fjalë të tjera, sot në shekullin 21, në epokën e revolucionit shkencor dhe teknologjik, kur nga Perëndimi deri në Lindje ka rreth 100 disiplina të shkencave politike, ndërsa në anën tjetër, me keqardhje mund të konstatohet se në vendet rajonale ballkanike, me politikë kryesisht merren kuadrot pa asnjë arsimim politik, d.m.th. kuadro politikisht jokompetente.
Pikërisht për këtë arsye, si dhe për shkak të kulturës së pazhvilluar politike demokratike, vendet rajonale ballkanike kanë një rrugë aspak të lehtë për në Bashkimin Evropian.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë deklarative janë përcaktuar për integrime evropiane. Por në BE nuk hyhet nëpër rrugë shkurtore, sikurse mendojnë disa politikanë të Ballkanit. Por, u duhet të përmbushin kriteret e përcaktuara përkatëse evropiane. E gjithë kjo kërkon ekspertë të dëshmuar në teori dhe praktikë, në fusha të ndryshme të sistemit ekonomik, politiko-juridik, kulturor etj., për reformat thelbësore në pajtim me standardet ndërkombëtare.
Njohjet politike tregojnë se nuk është tejkaluar ideologjia politike e viteve të 90-ta në Serbi. Fjala është për ide të njëjta dhe për gjendjen shpirtërore mitologjike, por në një kohë dhe rrethana plotësisht të ndryshme gjeopolitike. Pra ka të bëjë me një mitologji politike dhe ideologji, e cila gjithherë ka qenë e rrezikshme për paqe dhe stabilitet rajonal. Andaj, është i nevojshëm diferencimi i politikës mitologjike dhe i asaj reale.
Ideja e Serbisë së Madhe sikurse një sëmundje epidemike ekziston dhe mbijeton tashmë disa shekuj dhe gjithmonë shfaqet në kohën kur për atë arrihen kushtet e volitshme. Ajo mund të kapërcejë dhe gjenerata, periudha të tëra, por kurrë në të vërtetë nuk shuhet apo vdes.
Një konkluzion të tillë më së miri e vërteton dhe historiania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, e cila ndër të tjerat thotë: “Serbia është e lodhur nga luftërat për pushtimin e territoreve të huaja. Brenda 125 vjetësh ajo ka luftuar për çdo 14 vjet… Sot, kur një orientim i tillë do të duhej të jetë i zbrazur, bëhet e qartë se është e nevojshme të ndryshojë ajo që quhet mentalitet. Mirëpo, parashtrohet pyetja: a mund të ndryshojë fare mentaliteti serb? Unë e pranoj se vetë po përballem gjithnjë e më tepër me këtë pyetje, por akoma nuk kam përgjigje?!

Të fundit

më të lexuarat