Hyqmet Zane
Nuk më kujtohet se kush e ka thënë, por nuk ka rëndësi kjo sa kuptimi i fjalëve që ka thënë se “kush vret një njeri, ai ka vrarë gjithë njerëzimin”. Njerëzimi nuk e do luftën, por lufta e padrejtësive e çon njerëzimin në luftë. Është më shumë se e vërtetë se njerëzimi i kësaj bote, të gjallët dhe ata në botën tjetër kanë ndjerë tronditje nga ngjarjet që po ndodhin dhe pamjet makabre të vrasjeve të mijëra civilëve të pafajshëm palestinezë në Gaza, gjysma prej tyre fëmijë, si një kundërsulm i Izraelit ndaj atij sulmi që bëri Hamasi kundër tyre që gjithsesi është një krim.
Ky konflikt 20 shekullor para së gjithash ka pasur shumë kulme që nga ikja e hebrenjve që u shpërndanë nëpër botë, deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Janë dekadë pas dekade që Izraeli ka kërkuar të zaptojë toka të palestinezëve dhe ia ka arritur me ndihmën dhe mbështetjen e aleatit të madhe SHBA. Por kjo e fundit me kundërsulmin total për një “zgjidhje përfundimtare” sipas filozofisë zioniste që po mbizotëron Izraelin është më e madhja me shkakun se sulmoi Hamasi që, në fund të fundit, ishte një kundërpërgjigje për vuajtjet e mëdha që shkaktohen kohë pas kohe mbi popullsinë e pafajshme palestineze dhe që mbarten me super vuajtje.
Deri edhe goditjet e spitaleve me pretekstin se poshtë tokës së tyre ka vendstrehime të Hamasit, pa folur për shkatërrimin dhe vrasjet, djegiet dhe shpërfytyrimin e Gazës dhe shpërnguljen për në jug të banorëve të saj, janë në tërësi krime kundër njerëzimit dhe të ngjashme me ato të kohës së Luftës II Botërore nazifashiste. Më keq akoma do të thosha se ata që provuan holokaustin e madh nga nazistët, ishin vetë hebrenjtë si një gjenocid, që u dënua nga e gjithë bota edhe me gjyqin e Nurenbergut të famshëm.
Personalisht nuk jam dakord me krime të tilla dhe as i pranoj këto ngjarje se si shqiptar kam keqardhje se familja ime ka provuar tri gjenocide. Kushdo që t’i bëjë këto krime të tilla unë nuk i pranoj dhe shpreh indinjatën time, që i bashkohet edhe të gjithë njerëzit që mendojnë se duhen dënuar krime të tilla që po cilësohen “krime kundër njerëzimit”.
Por kjo që po bëhet së fundmi nga Izraeli ndaj civilëve, fëmijëve, pleq e plaka, gra dhe burra dhe tendenca për të bërë shfarosje në masë, më kujton të njëjtat ngjarje që kanë ndodhur edhe gjatë një luftë botërore si ajo e fundit. Nuk mund ta besoj dhe nuk e pranoj, po aq sa edhe e dënoj shkaktarin e kësaj situate dhe sidomos sjelljen kriminale me super urrejtje të Izraelit ndaj Palestinës. Si djali i një ish-të internuari në kampet e përqendrimit të shfarosjes në masë në Mat’hausen dhe Dakao, në vitet 1944– 1945 ndjehem keq dhe mbushem me një ndjenjë të madhe keqardhjeje për viktimat e shumta dhe kam kundërshtime për atë që po bën Izraeli.
Im atë, Nuri Emin Zane ishte bashkë me hebrenjtë e Janinës në këto kampe shfarosëse dhe si shqiptar me besë e fe ndihmonte çdonjërin prej tyre, duke i këshilluar si të vepronin, të ndryshonin emrat përkohësisht dhe shumë prej tyre shpëtuan, edhe pse mosmirënjohja e tyre u tregua kur mbërritën në Janinë në atë fundgusht 1945. Nëse im atë i shpëtoi atij gjenocidi nazist, në Janinë u përball me gjenocidin grek që kishte shpërngulur me vrasje, me therje, me djegie dhe prishje të shtëpive, popullsinë e pafajshme shqiptare të Çamërisë nga banda shtetërore e Greqisë që e kishte komanduar Napoelon Zervën të kryente një spastrim etnik dhe këtë kriminel lufte shteti grek e dekoroi, e bëri ministër, i ngriti monumente në Gumenicë dhe Artë si për të vërtetuar pohimin që po bëj se ishte Athina Zyrtare që i bëri të gjitha.
A nuk janë këto të përafërta dhe me një nivel më të lartë agresiviteti kriminal që po bën tanimë shteti i Izraelit ndaj palestinezëve në Gaza? Në emër të kujt? A është gjenocid ky? A është kjo e ngjashme me gjenocidin nazist? Pas Luftës II Botërore, e gjithë bota u ngrit në mbrojtje të hebrenjve dhe shfarosjes në masë të tyre në kampet famëkeqe naziste. Po kur shikohen këto krime shfarosëse të popullsisë së pambrojtur dhe të pafajshme në emër të luftës kundër Hamasit, a duhej të protestonte njerëzimi se çfarë po bëjnë ata që e kanë vuajtur këtë gjenocid ?
Nëse Turqia ngrihet në këmbë dhe proteston dhe Erdogan e shpall shtet kriminal Izraelin, kjo është një e drejtë njerëzore e një shteti që e do drejtësinë njerëzore, aq më tepër që vetë hebrenjtë me ngritjen e Jat Vashemit me muzeun përkatës të viktimave sidomos të 50 mijë fëmijëve kanë atë shprehjen “të drejtë mes popujve”. Po për fëmijët palestinezë, çfarë faji kanë ata që të vriten ? Si mund të paragjykohen që të fajësohen dhe të vriten fëmijët, më të pafajshmit në botë dhe të barabartë mes fëmijëve të së gjithë botës?
Kam menduar se shteti i parë që duhet ta zbatojë atë filozofinë “të drejtë e të barabartë mes popujve” duhet të ishte shteti i Izraelit. 75 vjet më parë hebrenjtë ishin pak, por kolonët hebrenj erdhën nga e gjithë bota dhe u vendosën në tokat e palestinezëve, duke i pushtuar dhe shpërngulur masivisht vendësit. Sot pa bukë e pa ujë, pa drita dhe internet, me avionë e bomba sipër kokës, a janë këto drejtësi, barazi dhe liri njerëzore? E kam në kujtesë atë shkrimin e gazetares shqiptare, Nexhmije Zajmi, e martuar me një hebre në SHBA që shkroi artikullin “Toka pa njerëz, njerëzit pa tokë” më 1952 (nëse nuk gaboj) në gazetën më të madhe amerikane të kohës, që u bë një kambanë alarmi edhe për amerikanët si edhe për Senatin amerikan, nga ku doli shqetësimi se hebrenjtë po bëhen një problem i madh për rajonin, por në të ardhmen do të bëhen një problem edhe për vetë Amerikën dhe gjithë njerëzimin.
Nuk kam urrejtje për asnjë popull në botë, por nuk di se si do ta klasifikoj këtë që po ndodh në Gaza ndaj palestinezëve? Veprat monstruoze që po ndodhin aty, dinë t’i bëjnë vetëm ata që e kanë urrejtjen si filozofinë e jetës së tyre me vrasje dhe masakrime. Im atë e vuajti edhe gjenocidin komunist në Shqipëri, por nuk di se si do ndihej ai, po të ishte gjallë dhe të dëgjonte e të shihte të tilla padrejtësi kriminale ndaj një popullsie pikërisht nga ata që e kanë vuajtur gjenocidin?
Vepra të tilla ishin dhe mbeten si modeli i gjenocidit grek në Çamëri dhe serb në Kosovë dhe kanë si shëmbëlltyrë edhe Izraelin sot ndaj palestinezëve. Nëse Marksi mendohet se është lideri kryesor i doktrinës komuniste, është po aq e vërtetë se ashtu si edhe Lenini ishin hebrenj dhe zbatuan një diktaturë për popujt. Shkrimtari çek Milan Kundera, që e ka njohur në qelizë komunizmin dhe sjelljen antinjerëzore të pasuesve të tij, është shprehur se “Kushdo që mendon se regjimet komuniste të Evropës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht e kriminelëve, nuk kupton një të vërtetë thelbësore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë.
Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz. Më pas u bë e qartë se nuk ekzistonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin vrasës”. (Nga “The Unbearable Lightness of Being”, 1984). Sot është filozofia e zionizmit me fjalë dhe me vepra që nuk pajtohet as një pjesë e konsiderueshme e popullit hebre, që nuk e do këtë situatë të krijuar, edhe pse ka nga personalitetet hebreje si Shimon Perez, ish-president i Izraelit që ka thënë se “Palestinezët janë mëkati fillestar i Izraelit. Dhe për të pastruar veten nga mëkati, ne hebrenjtë kemi vetëm një rrugë, t’ua japim atyre një shtet”.
Dhe këtë e ka thënë fituesi i çmimit “Nobel për Paqe”, Shimon Peres ku përmbledh dilemën rreth së cilës sillet konflikti shekullor mes arabëve dhe hebrenjve, që kulmoi në sulmin e paprecedentë nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Ndoshta njerëzimit të kësaj bote i takon ta thotë me forcë fjalën e vet në mbrojtje të Palestinës dhe në dënimin e krimeve të pashtershme që po bën sot e në vazhdim, po aq sa ka bërë edhe në të kaluarën shteti i Izraelit ndaj një popullsie të pafajshme, të pambrojtur dhe me një histori tragjike shekullore.
Nëse sot bota kujton në një ditë të drejtat e njeriut me deklarata, janë vite e vite që të drejtat e njeriut injorohen dhe popuj të ndryshëm i provojnë në kurrizin e tyre dhe OKB e Këshilli i Sigurimit bëjnë interesantin në formë dhe në përmbajtje.
