
Kur jemi të sëmurë, kur kemi pneumoni shkojmë te mjeku, kur kemi dhembje dhëmbi, shkojmë te dentisti, mirëpo kur kemi momente kur ndihemi të shqetësuar, të paaftë, të papërshtatshëm ose sillemi në një mënyrë që ne nuk e kuptojmë, shpesh nuk e bëjmë këtë. Pse? Sepse, sëmundja ose çrregullimi, qoftë depresioni, ankthi, fobitë e ndryshme, frika irracionale etj. është diçka që njerëzit mendojnë se duhet të mbetet e fshehur. Kur je i sëmurë fizikisht, zakonisht ngjallë një ndjenjë keqardhjeje ose empatie te njerëzit e tjerë, ndërsa një çrregullim mendor shihet krejt ndryshe. Është thjesht një stereotip që është zhvilluar në kulturën tonë.
Meqë në ditët e sotme shëndeti mendor është ende një çështje e stigmatizuar dhe e keqkuptuar njeriu shpesh ka turp të thotë hapur se po i jepet një ndihmë e tillë, sepse në fund të fundit është më e lehtë të heshtësh sesa të jetosh me faktin se dikush të sheh si të çmendur. Thënë me gjuhën popullore, të konsideron si “ të luajtur mendsh – budalla”. Ky mentalitet, sipas ekspertëve të kësaj fushe, është një paragjykim që rrënjoset në një kulturë që i konsideron ata që vuajnë në nivel psikologjik si njerëz nga të cilët është mirë të qëndrosh sa më larg. Arsye tjetër, pohojnë ekspertët, pse njerëzit tremben përballë psikiatrit apo psikologut është sepse ata janë pesimistë (të bindur se për problemet e tyre nuk ka një zgjidhje), frika nga ndjenjat (nuk duan të flasin për mënyrën se si ndihen, nuk duan të hyjnë në kontakt me ndjenjat e tyre më të dhimbshme), frika nga varësia (mendojnë që do të bëhen të varur dhe të paaftë për të vendosur çfarëdolloj gjëje pa e konsultuar më parë atë), frika se mos i konsiderojnë dështakë (për disa njerëz është fyese dhe irrituese t’i drejtohen një të huaji për të zgjidhur probleme që ata vetë nuk mund t’i zgjidhin, por këta persona harrojnë që të gjithë kanë nevojë për të tjerët, për të ndarë gëzimet e vuajtjet).
Edhe pse kërkesa për këtë lloj ndihme ishte tabu një dekadë më parë, gjërat kanë filluar të ndryshojnë për mirë, edhe pse ngadalë dhe jo në masë të duhur. Njerëzit janë më të gatshëm dhe më të hapur për t’i pranuar vetes dhe më pas të tjerëve se kanë një problem që nuk janë në gjendje ta kapërcejnë. Tani njerëzit paraqiten te psikologu apo psikiatri me probleme të ndryshme, pas humbjes së njerëzve të afërt, personave që kanë pasur konflikte të caktuara në punë, me sëmundjet e varësisë, për shkak të gjendjes financiare, gjendjes familjare, statusit të dashurisë, fëmijëve, ndikimit të Covid- 19… Domethënë, me një gamë të gjerë simptomash. Sipas ekspertëve është mirë ta kuptojmë se edhe nëse shkojmë te një psikiatër, kjo nuk do të thotë se jemi më të dobët, në fakt do të thotë se jemi të guximshëm, se jemi të fortë dhe duam të punojmë për problemin tonë.
Në këtë temë biseduam edhe me disa qytetarë shqiptarë, të cilët duke dëshiruar të mos u përmendet emri në gazetë, pranuan të ndajnë me ne mendimet e tyre kontradiktore.
- Jam nënë e katër fëmijëve. Jetoj në kushte të vështira ekonomike. Bashkëshorti nuk punon. Nuk mund t’u sigurojmë fëmijëve kushte normale për jetesë. Situata e rëndë ekonomike ka ndikuar për të keq edhe në raportet tona bashkëshortore. Nga kjo gjendje për mua tejet e rëndë dhe e papërballueshme kam vuajtur shumë kohë emocionalisht, por nuk kam kërkuar ndihmën e mjekut specialist, sepse jam frikësuar nga të afërmit, komshinjtë dhe njerëzit që më njohin se do të flasin se jam e çmendur. Megjithatë, kërkova ndihmën e psikiatrit. Mendoj se kushdo që e ndjen nevojën duhet të kontaktojë psikiatrin ose psikologun dhe të flasë për këto gjëra, për të cilat ndoshta nuk mund të flasë me miqtë e tij, pohon ajo.
- Gjëja më e rëndësishme te ne shqiptarët këtu është ta fshehësh atë, por familja e di më së miri se si është të vuash nga kjo sëmundje. Prandaj, u preferoj të gjithë atyre që, le të themi për tre ose gjashtë muaj, nuk mund të zgjidhim një problem me veten, ndihen keq, ndihen të dëshpëruar, mos të hezitojnë të vizitojnë psikologun ose psikiatrin, sepse ky është momenti për të shkuar në psikoterapi. Nuk duhet të dëgjojmë fjalët e familjarëve ose të tjerëve se duhet ta harrojmë, ta kapërcejmë, ta luftojmë, se jemi të dobët nëse ndihemi të dhe dëshpëruar e “këshilla” të ngjashme, shprehet një burrë , i cili ka pësuar një fatkeqësi në familje.
- Nga përvoja ime nuk duhet injoruar simptomat e para të ndryshimeve psikologjike. Edhe pse sot flasin keq, le të flasin kush çfarë të dojë dhe sa të dojë , më me rëndësi është shëndeti ynë, pohon një qytetare tjetër.
-Unë kam nevojë të kërkoj ndihmë nga psikologu ose psikiatri. Mirëpo, nuk kam guxim të marr një hap të tillë. Më parë pranoj të vuaj nga çrregullimet e rënda psikike pa e ditur askush, se sa të flasin se “ ka luajtur mendsh”, pohon një bashkëbisedues yni.
Kur do të bëhet normale në shoqërinë shqiptare që njerëzit që shkojnë për trajtim për disa çrregullime mendore më të lehta e të mos shihen si të çmendur? Në botë kjo dukuri nuk shkakton asnjë reagim negativ dhe sa na mbetet për të ndryshuar mentalitetin, pra konsiderimin tabu të problemeve të shëndetit mendor, për ta pranuar realitetin dhe për t’i hequr qafe paragjykimet, mbetet për t’u parë.
