
Sa herë që kujtoj thënien e njohur e cila thotë “Fatet e popujve të vegjël dalin nga dyert e tragjedive të mëdha”, më shkon mendja te dorëzimi i Ulqinit, Malit të Zi nga ana e Fuqive të Mëdha të asaj kohe.
Ulqini do t’i bashkëngjitet Malit të Zi, kundër vullnetit dhe dëshirës së banorëve të tij, të cilët ishin krejtësisht popullsi shqiptare, në vitin 1880, dy vjet pas vendimeve të Kongresit famëkeq të Berlinit që u mbajt në vitin 1878.
Janë bërë përpjekje të shumta, duke përfshirë edhe rezistencë të armatosur, nga ana e popullit shqiptar për ndalimin e aneksimit të këtij territori shqiptar nga ana e Malit të Zi, por pa sukses.
Pas një demonstrimi të paparë të flotës detare ushtarake të Fuqive të Mëdha në ujërat e Adriatikut, pranë Ulqinit si dhe pas humbjes së luftës në teren të kryengritësve shqiptarë ndaj numrit shumë më të madh të forcave osmane, Porta e Lartë (Perandoria Osmane) përmes Dervish Pashës, me 26 Nëntor 1880, ia dorëzoj Ulqinin Principatës së Malit të Zi.
Në dokumentet konfidenciale të kohës të cilat më vonë Zyra e Jashtme e Britanisë së Madhe (Foreign Office), do t’i publikojë me titull : KORRESPONDECA E MËTEJSHME lidhur me KORIGJIMIN E KUFIRIT MALAZEZ,(mbi 200 faqe të shkruara), paraqesin komunikimet e ndërsjella të protokolluara të ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të asaj kohe, që kanë të bëjnë me përcaktimin e kufirit të Malit të Zi, konkretisht krijimin e mundësive dhe realizimin e një prej vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878, i cili ka të bëjë me aneksimin e qytetit të Ulqinit nga ana e Malit të Zi.
Gjatë një korrespondence kohore prej dy muajve (prej 1 korrikut deri me 31 gusht të vitit 1880) janë shkëmbyer mbi 500 telegrame në mes përfaqësuesve diplomatikë të vendeve të tyre përkatëse, kryesisht të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë dhe Rusisë.
Këto shkëmbime janë dëshmi ekskluzive e kohës, të cilat nxjerrin në pah planet djallëzore , intrigat, prapaskenat e Fuqive të Mëdha të kohës që janë zhvilluar përmes përfaqësuesve diplomatikë në vendet e tyre përkatëse.
Cilët ishin protagonistët e vendimeve të dhimbshme për kombin tonë
Disa nga protagonistët diplomatikë të kohës, të përfshirë në shkëmbimin e telegrameve ku diskutohej çështja e dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi kanë qenë:
- Henry George diplomat i “Foreign Office-it”, britanik me detyrë në Vjenë të Austrisë
- Earl Granville, zyrtar i “ Foreign Office-it ” në Londër
- Kirby Green, konsulli gjeneral i Austrisë në Shkodër
- George J. Goschen, ambasadori britanik në Turqi
- Augustos Paget, diplomat britanik me detyrë në Romë të Italisë
- M. de Giers , ambasador i Francës në Rusi;
- The Earl of Dufferin, ambasador i Britanisë në Rusi;
- M. Radonich ( Radonić), përfaqësues i Malit të Zi në Cetinë;
- Lord Odo Russell , përfaqësues i qeverisë gjermane me seli në Berlin;
- M. Lippich, konsulli gjeneral i Austrisë në Shkodër;
- Abedin Pasha, i ngarkuari i Portës së Lartë për çështjet me Malin e Zi , e të tjerë.
Pjesë e këtyre komunikimeve janë edhe princat gjermanë të asaj kohe si , Pinci Bismarck dhe Princi Hohenlohe.
Po shkëpus vetëm një komunikim të shkurtër i cili tregon shumë qartë vendosmërinë e këtyre diplomatëve ndërkombëtarë për shkëputjen e Ulqinit nga trungu kompakt etnik shqiptar dhe skenarin për bashkëngjitjen e tij Malit të Zi.
Në telegramin numër 421 z. Kirby Green nga Shkodra i shkruan Earl Granville në Londër se ka pasur një komunikim me z. Riza Pasha, i cili ka pranuar në parim shkëputjen e Ulqinit dhe bashkëngjitjen e tij Malit të Zi, por me kusht që “Fuqitë e Mëdha duhen të marrin mbi vete zbatimin e kësaj marrëveshjeje, kurse forcat turke mund të kenë misionin e ruajtjes së kufirit pasi që ai të vendoset…”.
Është interesant se disa nga këto diplomatë, me rastin e komunikimit të tyre e pranojnë qartas se vendbanimet të cilat ata tentonin t’ia dorëzonin Malit të Zi ishin territore shqiptare sepse iu referohen atyre si “Albanian districts” (Rrethe apo zona shqiptare), por përkundër kësaj ata vendosën në mënyrë të dhunshme dhe arbitrare dorëzimin e qytetit tonë bregdetar-Ulqinit, Malit të Zi.
Turpi historik i Fuqive të Mëdha të kohës
Vlen të theksohet se territori i Malit të Zi para Kongresit të Berlinit në vitin 1878 kishte 4,405 km² kurse pas Kongresit 9,475 km² duke përfshirë edhe daljen në det të tij. Pjesa dërmuese e ekspansionit dhe dyfishimit territorial të Malit të Zi u arrit kryesisht në dëm të trojeve shqiptare.
Por, sikurse ky ekspansion në fund të shekullit 19-të të mos ishte i mjaftueshëm, ai pas rreth tre dekadave pasoi me një tjetër, atë të Konferencës së ambasadorëve në Londër e mbajtur në vitet 1912-1913, ku Fuqitë e Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Austro-Hungaria dhe Rusia), morën vendimet fatale, të cilat prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur.
Me aneksimin e Ulqinit nga ana e Malit të Zi në vitin 1880 ndodhën fillet e tragjedisë së ndarjes dhe të copëtimit të trojeve shqiptare dhe turpi historik i Fuqive të Mëdha të asaj kohe, të cilat me vendimet e tyre në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të, lanë rreth 40% të popullsisë shqiptare jashtë kufijve të shtetit të sapokrijuar shqiptar- Shqipërisë.
