Shqipëria dhe Kosovame qëndrime të ndryshme ndaj Serbisë

Esat Mehmeti

E kaluara e shqiptarëve është e hidhur. Por, nëse ndalemi pak e kujtojmë të kaluarën tonë, atëherë do të nxjerrim përfundimin se Evropa cenoi rëndë tërësinë territoriale dhe bëri përpjekje që t‘na shlyejë nga harta gjeopolitike e saj. Copëtimi i trojeve shqiptare dhe aneksimi i padrejtë i më tepër se gjysmës së tyre ndodhi nga ana e monarkive fqinje.
Gjendja në të cilën ndodhet sot çështja shqiptare përgjithësisht, kërkon një shqyrtim të veçantë; më shumë politik se historik, më shumë kritik, se oportunizues. Kështu, edhe pas 111 vjetëve prej Pavarësisë së Shqipërisë, çështja shqiptare ende nuk shtrohet si një dhe e bashkuar, andaj dhe kemi një Shqipëri të cunguar. Shqiptarët ende jetojnë të pjesëtuar për gjashtë ?! Por, edhe pas kaq vitesh, shqiptarëve ende u mungon një strategji kombëtare se si t’i qasemi realizimit të objektivave tona kombëtare .
Thelbi i këtij shkrimi, nuk është shprehja e skepticizmit ose mbjellja e mosbesimit për të ardhmen e shqiptarëve, sepse në një të ardhme, Ballkanin do ta dominojnë shqiptarët. Kthimi i shkurtër në histori është në të vërtetë një thirrje që t’i kthehemi vetës sonë dhe përgjegjësive tona, në mënyrë që të nxjerrim mësim nga e kaluara, që të mos pësojmë në të ardhmen si komb.
Përkundër zhvillimeve të fundit, veçanërisht, siç është rasti me Kosovën, çështja shqiptare ende vazhdon të jetë me ca të panjohura, e aq më tepër kur kemi një diplomaci shqiptare ende të pa unifikuar dhe një politikë kombëtare, ende të paformuar.
Nuk ka dyshim se bërja e shtetit të Kosovës paraqet projektin kombëtar më madhor të shqiptarëve sot, por, ende çështja e Kosovës po mbështillet me një mjegullnajë diplomatike ndërkombëtare. Kështu, mbi bazën e argumenteve dhe fakteve, statusi politik, ai juridik i Kosovës, pa asnjë mëdyshje vërteton pavarësinë dhe sovranitetin e njohur ndërkombëtar në gjithë territorin e saj, përfshirë këtu
edhe pjesën veriore të Kosovës. Për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi janë të papranueshme kërkesat e serbëve, për krijimin e dy entiteteve ose për ndarjen e Kosovës. Vetëm një shtet me territor të unifikuar dhe shtrirje të institucioneve dhe të ligjeve të tij në gjithë territorin, forcon edhe më tepër sovranitetin e vet.
Opinionit ndërkombëtar duhet vazhdimisht t’ia bëjmë me dije se; Kosova administrativisht në mënyrë të imponuar u bë pjesë e Serbisë, ndërsa shpirtërisht dhe e pandarë ajo ka qenë pjesë e Shqipërisë. Kosova një prej katër vilajeteve shqiptare u kthye në një territor të pretenduar mes shqiptarëve dhe serbëve që prej Kongresit të Berlinit, më 1878, kur ajo me një vendim të fuqive të mëdha evropiane u la brenda shtetit të sapoformuar të Serbisë, dhe viset shqiptare iu dhanë Malit të Zi dhe Greqisë.
Të kthejmë në vëmendje kujtesën historike jo fort të largët. Kosova në luftën e fundit përjetoi një gjenocid të paparë ndonjëherë. E mbylli me një bilanc tepër tragjik; me shumë shtëpi të djegura dhe të shkatërruara, me rreth një milion shqiptarë të dëbuar nga trojet e veta, me mijëra të vrarë e të persekutuar, civil e të pafajshëm nga të gjitha grup moshat, me shumë gra të dhunuara e shumë të zhdukur. Me mbi 1.400 fëmijë të vrarë, që është një nga referencat më të dhimbshme dhe më të përgjakshme të luftës në Kosovë, vetëm se ishin të racës se kundërt me okupatorin. Kjo nuk ka ndodhur askund në botë dhe në anën tjetër Serbia gjithnjë po ledhatohet nga ndërkombëtarët !.
Çështja e Kosovës u vështirësua edhe më tepër, që kur bashkësia ndërkombëtare atë e konsideron si çështje mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë, madje të dy palëve serbe; (të serbëve të Kosovës dhe të Serbisë). Këtu qëndron defekti. Defekti tjetër është që bashkësia ndërkombëtare “hapi bisedime“ mes palëve, pa pjesëmarrjen e Shqipërisë. Kosovës po i bëhet presion i padrejtë nga të gjitha drejtimet.

Çfarë mund të bëjmë ne dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria ?
Çështja shqiptare ende nuk është zgjidhur në segmente të veçuara dhe as në tërësinë e saj, kështu që pa qenë mirë në Kosovë, nuk do të jetë mirë me shqiptarët në hapësirën tjetër shqiptare, andaj duhet të krijohen kushte për t’u bashkuar në një zë, si një popull, dhe si një komb. Neve na duhet konsolidimi kombëtar, pikërisht që të mos na përsëritet e kaluara. Na duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta.
Shqipëria ka para vetës shumë detyra. Politika dhe diplomacia shqiptare duhet të hulumtojë dhe të gjejnë udhët për shtruarjen e çështjes së pazgjedhur shqiptare si një dhe të bashkuar.
Çështja shqiptare ende nuk cilësohet dhe nuk njihet si çështje e një populli dhe një kombi të ndarë padrejtësisht.
Çështja shqiptare kërkon vetëdijesim të plotë ndërkombëtar për pozitën kombëtare shqiptare sot, dhe për falsifikimin e historisë nga pushtuesit fqinjë. Vetëm me një angazhim më të madh në përhapjen e së vërtetës mund të llogarisim se bota, më në fund, do ta mësojë realitetin shqiptar. Andaj, nuk thuhet kot se: “ Aty ku janë të pranishme faktet, fjalët bëhen të panevojshme “.
Shqiptarët në të ardhmen e tyre, nuk kanë pretendime përtej hapësirës së tyre etnike. Këto pretendime nuk i kishim asnjëherë më parë. Kjo provohet me faktin se asnjëherë nuk ishim pushtues, por në të shumtën ishim dhe vazhdojmë të mbahemi të pushtuar.
Veprimi i parë që duhet të bëjmë ne shqiptarët sot, është që të ndryshojmë raportet nëpër të cilat kemi kaluar deri me tash. Jemi sjellë dhe vazhdojmë të sillemi në mënyrë komode përballë çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare.
Veprimi i dytë që duhet të bëjmë është që të bashkohemi në projekte kombëtare, të mbështesim sistemin e vlerave të mira .
Çështja shqiptare u takon të gjithë shqiptarëve, andaj, me të do të duhej të merremi të gjithë shqiptarët. Pa dyshim se përgjegjësinë më të madhe e ka dhe duhet ta ketë Shqipëria dhe ajo do të duhej të vihej në ballë të detyrës, nga spektator të shndërrohet në aktor. Shqipëria është para përgjegjësisë të korrigjojë të kaluarën. Është shumë më mirë të korrigjosh së pari se të gabosh së dyti.

Rama, i dëmshëm për Kosovën
Shqipëria sot drejtohet nga një kryeministër që nuk e ka përkrahjen e shumicës shqiptare dhe flet si avokat i Serbisë. Veprimet e Ramës dhe pozicioni që mban aktualisht Qeveria e Shqipërisë në raport me Kosovën janë të panevojshme dhe tepër të dëmshme, madje lë shumë për të dyshuar ?!. Rama dhe qeveria e tij po u shërbejnë interesave të tyre të ngushta politike dhe jo interesave kombëtare.
Shqipëria duhet të sillet ndryshe me Kosovën karshi Serbisë. Qeveria e Shqipërisë duhet të jetë në krah me Kosovën dhe popullin e saj. Është nevoja më tepër se kurrë për shtensionim të raporteve ndërqeveritare Shqipëri-Kosovë. Shqipëria, përkatësisht kryeministri, Edi Rama, me veprimet e tij, me tepër po i bën dëm se sa mirë Kosovës.
Të gabosh, e të mos korrigjosh, do të thotë të gabosh me të vërtetë. Qeveria e Shqipërisë duhet ta bëjë të qartë që në çdo rrethanë është me Kosovën, sepse kështu jemi më të fortë.
Një gjë është e sigurt: do të mposhtemi vetëm nëse do të na mungojë qëndresa e përbashkët.

Të fundit

më të lexuarat