
Nga miratimi i pluralizmit edhe në vendet e ish-kampit socialist janë organizuar zgjedhje në nivele të ndryshme, ku ekziston një përvojë e mjaftueshme që mund të trajtohet, jo vetëm nga aspekti i sociologjisë politike. Ne këtë aspekt edhe shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike kanë realizuar një numër të konsideruar zgjedhjesh duke dëshmuar kapacitetin e tyre politik në mjedisin përkatës, ku në këtë aspekt as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim.
Dimensioni i dyfishtë i përfaqësuesve të politikës
Duke marrë parasysh se në pluralizëm zhvillohen zgjedhjet për të qeverisur si në nivelin lokal dhe atë shtetëror, çështje të veçantë paraqet përfaqësimi në pushtetet përkatëse. Në krahasim me kohën e monizmit në pluralizëm përbërja e pushtetit varet nga formimi i shumicës parlamentare. Pikërisht, kemi të bëjmë me përgjegjësinë e subjekteve përkatëse për emërimin e kuadrove sipas resorëve.
Edhe pse aty emërohen individë të profileve të ndryshme, të tillët kanë dimension të dyfishtë, sepse ata fillimisht përfaqësojnë subjektin i cili i ka emëruar dhe së dyti edhe veten e tyre. Në sajë të përvojës së deritashme del së në resorët përkatës, me përjashtime të rastit, nuk janë emëruar personat e qëlluar në aspektin profesional, nga del se kemi të bëjmë me përgjegjësinë e subjekteve politike, përkatësisht me keqpërdorimin e demokracisë pluraliste.
Rastet e tilla dëshmojnë se kemi të bëjmë më deformimin e parimeve elementare, sepse në vend që të vlerësohen vlerat profesionale e meritokracia, parësore janë përkatësia partiake, ku jo rrallë depërtojnë militantët dhe të dëgjueshmit të cilët janë bërë dukuri e kohës.
Grupet e interesit
Pikërisht nga qasjet e tilla në partitë politike, të cilat më tepër iu ngjajnë grupeve të interesit apo të klaneve të ndryshme, në to anëtarësohen individë të ndryshëm, jo për shkaqe programore apo ideologjike, por për interesa e ambicie personale, të cilat ua mundëson partia t’i realizojë kur të vijë në pushtet. Të tillët nuk vijnë aty për të dhënë kontributin në qeverisjen e pushtetin lokal, apo në qeverisjen qendrore, por për të realizuar interesat e veta personale, familjare e pastaj ato partiake. Dhe në sajë të rasteve të tilla, del qartë se nuk është fajtore pasqyra, që dukemi ashtu siç jemi.
Dualizmi i mendimit politik
Përvoja e deritashme në pluralizëm, dëshmon se nuk mund të jemi të kënaqur në lidhje me ekzistimin e mendimit kritik për dukuritë e ndryshme shoqërore e ato politike. Madje, këtu duhet cekur se kemi të bëjmë me një dualizëm politik, sepse kemi të bëjmë me partitë politike të cilat kanë qasje tjetër kur janë në opozitë e ndryshe kur janë në pushtet. Një qëndrim i tillë dëshmon se kemi të bëjmë me individë pa parime, me interesa të rastit dhe si të tillë janë të politizuar dhe të dëmshëm për shoqërinë, por përfitues të rastit.
Ndërsa, një qëndrim i tillë nuk vlen për intelektualët në kuptimin e plotë të fjalës, sepse ata kanë mendim kritik të vazhdueshëm, për të prezantuar çështjet kontestuese shoqërore e politike me argumente, e jo duke anuar sipas shijes së klaneve apo preferencave të subjekteve në skenën politike.
Nuk ka dilemë se për intelektualë të tillë ka nevojë çdo mjedis, sepse mendimi kritik është në favor të avancimit të çështjeve shoqërore dhe politike. E kundërta ndodhë me intelektualët pasivë, përkatësisht oportunistë, të cilët janë peng i vetvetes dhe i mjedisit, si rezultat i interesit personal apo klaneve të ndryshme, andaj të tillët do të mbesin individë të amortizuar, përkatësisht anonimus pa autoritet shoqëror në mjedisin ku punojnë e jetojnë.
Presioni publik përmes guximit intelektual
Përfundimisht, intelektuali nuk duhet të jetë spektator ndaj devijimeve shoqërore, por me guxim duhet ngritur zërin, duke qenë shembull për të tjerët. Ndërsa, duke marrë parasysh mjedisin ku jeton, duhet cekur se reagimi individual nuk ka peshën e duhur sikurse mund ta ketë përmes të një subjekti nga shoqëria civile, siç janë shoqatat e ndryshme si p.sh. të shkrimtarëve, artistëve, pedagogëve, sociologëve, gjuhëtarëve, arkitektëve, ekologëve, mediat etj. Qëndrimi përmes një subjekti të tillë nuk humb në vlerë, përkundrazi, ka peshë të veçantë për të bërë presion publik për çështjet kontestuese shoqërore dhe si i tillë është më i pranueshëm në opinionin e gjerë.
Madje, në sajë të një qëndrimi të tillë do të dëshmohet se opinioni shoqëror nuk duhet të mbesë peng vetëm nga përfaqësuesit e pushtetit apo të kumtesave të partive politike që janë kryesisht nga opozita parlamentare.
Vetëm me një qasje të tillë konstruktive, në një ambient me kapacitet demokratik, mund të arrihet konsensusi, i cili është i domosdoshëm për avancimin e çështjeve preokupuese shoqërore për të tashmen dhe të ardhmen.
