Akuzë ndaj “kryesit të panjohur”!

Kur ndodhin masakra ndaj civilëve, askush nuk u del zot dhe krijohet një mjegullnajë propaganduese për t’i ikur përgjegjësisë, duke mohuar krimin

Daut Dauti, Londër
  1. Historia përsëritet në çdo luftë! Sa nis, viktima e parë është e vërteta. Gjermanët e nisën sulmin kundër Polonisë me një mashtrim: mblodhën ca polakë, i veshën me uniforma ushtarake gjermane dhe i vranë në territorin gjerman dhe e akuzuan Poloninë se ushtarët e saj kanë hyrë brenda territorit gjerman dhe ia kanë vrarë ushtarët! Pastaj e nisën sulmin “hakmarrës” që e kishin planifikuar që më parë, si hap të parë për ta pushtuar gjithë Evropën. Fakti që një ditë doli në shesh e vërteta, nuk i ktheu miliona viktima që ranë pastaj. Një ngjarje e ngjashme ka ndodhur në Pejë të Kosovës, organizuar nga shërbimet e Millosheviqit. Në lokalin “Panda”, më 14 dhjetor 1998, u vranë gjashtë të rinj serbë, me qëllim që fajin t’ua hedhin shqiptarëve. Kurdoherë e vërteta del në shesh dhe për këtë gjë kanë folur vite më vonë vetë autoritetet serbe se kush e ka bërë krimin dhe me ç’qëllim. E vërteta ndonjëherë vonon, por del në dritë.
    Kur nisi lufta në Bosnje, një nga masakrat ka qenë nga predhat serbe në tregun e Sarajevës. Të akuzuar për këtë sulm, pala serbe që ishte koncentruar në Palle, mbi Sarajevë, thanë, jo ne, por Alija Izetbegoviqi e ka kryer me qëllim që të na akuzojë ne! Ky episod i ngjan shumë kësaj masakrës makabre në Spitalin e Gazës ku vdiqën më shumë se 500 njerëz. Është një krim i rëndë, i dënueshëm, i cili përveç se përmban në vete tragjedinë njerëzore, delegjitimon luftën “e drejtë” të cilësdo palë dhe marrja e autorësisë së saj, do të thoshte të marrë mbi vete gjithë vrerin e botës. Dhe askush nuk e merr. Palestinezët dhe shtetet arabe e myslimane, nuk kanë dilemë se masakrën e kanë kryer forcat izraelite, me argumentin se Hamasi nuk ka mjete të tilla shpërthyese për aq viktima. Dhe fundja, pse ta bënte? Autoritetet ushtarake izraelite, nxituan që sa më shpejtë të përgënjeshtrojnë, duke ofruar disa përgjime me të cilat thonë se një grup tjetër, Xhihadi Islamik, ka hedhur predhën shkatërruese, e cila gabimisht ka rënë te spitali. Nëse kjo është e vërtetë, tha një analist kosovar, sot gjithçka përcillet me kamera, le të dalin ta tregojnë trajektoren e raketës prej nga ka ardhur dhe do të mbyllet çfarëdo spekulimi. Edhe Bajdeni që shkoi në Izrael nën rrebeshin e raketave, i dha përkrahje Izraelit, i tha Netanjahut se i beson se në Gazë nuk e kanë sulmuar izraelitët spitalin, por dhe se shumëkush nuk e beson këtë.
    Pra, me 500 e sa viktima, vdes dhe e vërteta. Por efekti i mjegullnajës do të realizohet. Kushdo që ta ketë hedhur raketën, ka krijuar panik plotësues se në Gazë askush nuk është i sigurt, se duhet “të dëgjojnë” apelet e Netanjahut për t’u larguar banorët nga Gaza, që të qërohen hesapet me Hamasin. Fakti se gjashtëfish më shumë se viktimat e spitalit kanë rënë në gjithë Gazën prej se ka filluar operacioni i ushtrisë izraelite, do të mbetet çështje statistikore, edhe pse pjesa dërmuese nuk janë pjesëtarë të Hamasit, por civilë. Kush i vrau ata?
    Historia e konflikti izraelito-palestinez ka shumë episode të tilla, e një ndër to ka qenë masakra në kampet e refugjatëve Sabra e Shatilja në Liban, 16 deri 18 qershor 1982, për të cilin qe akuzuar ushtria izraelite. E vërteta është se në të kanë marrë pjesë falangistë proizraelitë dhe fanatikë të krishterë libanezë, ndërkaq mbetet tejet kontroverse pjesëmarrja e ushtrisë izraelite, për të cilën thonë se edhe nëse nuk kanë marrë pjesë, u kanë ndihmuar fallangistëve… Po ashtu, edhe për nga numri i viktimave ky rast është kontrovers sipas Wikipedia, a janë vrarë 328 apo 3500 veta, por një gjë është e vërtetë, në këto kampe kryesisht janë vrarë civilë palestinezë.
    Nëse analizojmë sulmet që bëri Hamasi, me të cilat filloi gjithçka, bota i përcjell ngjarjet, duke u tmerruar me bëmat dhe të pabërat e të dy palëve në konflikt. Për të prekur nervin emocional dhe për të fituar simpatitë e botës, në shumë media izraelite u dhanë shumë fake-news, siç ishe një masakër e supozuar me foshnje, që doli manipulim. Edhe shumëçka tjetër. Dhe sigurisht informimi në media do të vazhdojë të jetë i dozuar sipas interesave të palëve në konflikt, ku vështirë do të jetë të mësosh të vërtetën.
    Të vërtetën që thonë se në luftë vdes e para!
    Çështja se pse vijnë këto situata në këtë konfliktin izraelito-palestinez, pse një popull që ka pasur shtet nuk mund ta ketë atë, pse në luftën për shtetin janë përdorur edhe metoda ekstreme, është një temë e veçantë.
    Ajo që duhet të jetë si parim, është se Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga sulmet që rrezikojnë civilë, por, Izraelit nuk mund t’i lejohet ai lloj i mbrojtjes kur në vend se Hamasi, nga sulmet e tij ta pësojnë civilët palestinezë. Nëse do të kishte drejtësi në botë, të dy popujt do të duhej të kishin të njëjtën të drejtë të mbrojtjes, me të njëjtat mjete dhe si dy shtete sovrane, çfarë njëri është e tjetri jo. Deri tash, Palestina ka mbetur peng i së drejtës absolute të Izraelit për t’u mbrojtur, që ka shkuar në drejtim të shuarjes së Palestinës. Në situatë të këtillë, nuk është çudi që ka forca si Hamasi të cilat e kanë humbur durimin dhe luftojnë edhe me metoda të palejuara. Por, gjithsesi, do të ishte interesant bilanci i viktimave te të dy palët që nga ndarja e Palestinës dhe krijimi i Izraelit gjer më sot, që të nxirret cila palë ka qenë më e rrezikuar nga tjetra.
  2. Iku Vuçiqi në Kinë! E la mikun e vet Edi Ramën me porcionin e ftohur në sofrën e nikoqirit në Tiranë gjatë gostisë së Procesit të Berlinit. Bërnabiqka nuk ishte zëvendëse e denjë e tij, ndonëse për nga sjelljet, ishte emisare e përpiktë, sepse i zbatoi rekomandimet e tij, iku nga fotografia e përbashkët e liderëve me flamurin e Kosovës…Më pyetën nga një portal çka mendoj, pse iku nga ky samit Vuçiqi, u thashë se pas sulmit të Bansjkës, paraqitja e tij në Tiranë do ta vinte në siklet për t’u përgjigjur para shumëkujt. Pastaj, Ballkanin e Hapur po ia rrënon vetë miku i tij, Edi Rama që e shpalli pothuajse të vdekur dhe çka të kërkonte në të. Edhe çështja tjetër, është se pozitat ndërkombëtare të faktorit “konstruktiv” që i kishte në sytë e BE-së dhe SHBA-së, pas Banjskës janë luhatur shumë, pasi pak kush mendon se nuk është përfshirë shteti serb me grupin që e ka udhëhequr një nga liderët e Listës Serbe, dega e Vuçiqit në Kosovë.
    Por, sa kam pasur të drejtë në këtë supozim, u kujdes vetë Vuçiqi, i cili pos çështjeve tjera që ka biseduar me nikoqirët kinezë, ka edhe ndihmën ushtarake, që me fjalë tjera, për Evropë s’i bëhet vonë! Kjo e shtyri një deputet gjerman, Rejnhard Butikofer, të mendojë se me veprime të tilla, Vuçiq po ia tregon gishtin e mesëm Bashkimit Evropian! Çështja është edhe sa kohë BE-ja do ta përkëdhelë Serbinë duke i parë këto “shtegtime” gjeostrategjike. Haberin ia çuan menjëherë që t’i braktisë të gjitha marrëveshjet me Kinën, por Vuçiqit nga njëri vesh i hyn, e nga tjetri i del…
  3. Ahtisarin askush s’e do! Afishe(“Lajm i pikëlluar”) emrin e tij me porosinë “shyqyr që iku” (në atë botë), janë parë në Shkup, shkruar në gjuhën maqedonase. E dimë që serbët nuk e duan, sepse Plani i tij ua rrëmbeu Kosovën për t’u bërë shtet i pavarur. Ka dhe një numër shqiptarësh që po ashtu nuk e duan, sepse në atë Plan ua la “jadec” Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Por, ç’u ka bërë Ahtisari këtyre autorëve maqedonas, mos ua shkroi Marrëveshjen e Ohrit apo Marrëveshjen me Bullgarinë?!
    S’është kot ajo meseleja e ujkut dhe atij farkëtarit që kishe vrapuar pas tij bashkë me katundarët e gjetur në qytet, e që ujku i ishte kthyer për t’i shprehur habinë: Nëse të tjerëve u kam ngrënë ndonjë dele, lopë, gomar…, po ty çfarë të keqe të kam bërë, mos ta hëngra tezgjahun?!

Të fundit

më të lexuarat