
Shqiptarët në Mal të Zi, si pjesë e trungut mbarëkombëtar, janë popull autokton dhe më i vjetri në territorin e sotëm të Malit të Zi. Dihet se dyndja e sllavëve në Ballkan ka ndodhur në mes të shekullit IV-VII, ndërkaq, gjurmët e kulturës materiale dokumentojnë ekzistimin e bashkësive njerëzore në këto troje që në kohën e hershme të bronzit, 2000-1500 vjet para erës se re (para Krishtit). Gjurmët e mbetura të kulturës materiale tregojnë dhe shkencërisht është vërtetuar se kemi të bëjmë me ilirët, të cilët në territorin e Malit të Zi ndërtuan organizimin fisnor të tyre, i cili më vonë u shndërrua në shtet. Pas shpërbërjes së shtetit ilir, të ndikuar nga lufta me romakët, filloi romanizimi i popullit ilir për të arritur kulmin në fund të shekullit III dhe në fillim të shekullit IV, kur në territorin e sotëm të Malit të Zi përfundoi krishterimi total i popullsisë. Megjithatë , gjurmët e para të paraardhësve sllavë të malazezëve në këto troje i gjejmë jo më herët se në fundin e shekullit VI dhe në fillim të shekullit VII.
Çka u solli politika shqiptarëve?
Valët e jetës dhe rrjedhat e saj gjatë historisë për shqiptarët në përgjithësi, kanë qenë të pamëshirshme. Sot shqiptarët në Ballkan, falë politikës së turpshme të Fuqive të Mëdha të shekullit XIX-XX, jetojnë të ndarë në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor. Shqiptarët në Mal të Zi nga viti 1878, u përballën me zaptuesin e ri dhe mohuesin permanent të të drejtave të tyre kombëtare, kulturore, arsimore, gjuhësore, ekonomike, sociale etj. që ishte Mali i Zi. Në të gjitha format e organizimit shtetëror, qoftë si monarki, mbretëri madje edhe sot si shtet demokratik, Mali i Zi ua ka mohuar atyre të drejtat themelore qytetare siç janë: e drejta e shprehjes së lirë të identitetit kombëtar, shkollimi në gjuhën shqipe, cungimi i plan-programeve mësimore, sidomos për lëndën e gjuhës amtare, historisë, artit etj., e deri te mohimi i zhvillimit ekonomik në përpjesëtim me kontributin e dhënë dhe volumin e pasurive natyrore të trojeve shqiptare. Përkundër pasurive natyrore që Zoti ua ka dhënë trojeve shqiptare, ato sot e kësaj dite janë trojet më pak të zhvilluara në Mal të Zi. Në këtë rast nuk është aspak vështirë ta dallojmë realitetin nga të thënat dhe nga të bërat. Debatet zhvillohen ngado. Megjithëse, pjesëmarrësit nuk dallohen gjithmonë për retorikë dhe aftësi analitike, është e pamundur që mos të shtrohet pyetja: “Pse ndodhi kështu?”. Gjithsesi kjo ishte politika e shtetit, por që ka lënë gjurmë të thella, në kuptimin negativ te shqiptarët. Për ta kuptuar më mirë politikën e një shteti së pari duhet të kuptojmë argumentet që përdorën për arsyetimin e qëndrimeve, veprimeve dhe vendimeve për të krijuar drejtësi, qëndrueshmëri, paqe dhe mirëqenie sociale. Qëllimi i Malit të Zi, që në ditët e para të zaptimit të tokave shqiptare, ishte i qartë. Së pari, shqiptarët duhet të zhvisheshin nga ndjenjat kombëtare, e kjo më së miri arrihet nëse atyre u mohohet shkollimi në gjuhën amtare, punësimi apo përfaqësimi, e kjo u bë, së dyti, ndërrimi i strukturës së popullsisë në dëm të shqiptarëve që më së miri arrihet me shkollimin në gjuhën joamtare dhe me popullimin e tokave shqiptare me popullsi malazeze, edhe kjo u bë, së treti zhvillimi joadekuat ekonomik i cili do të nxisë shpërnguljen e shqiptarëve, edhe kjo u arrit sepse trojet shqiptare u boshatisën, së katërti përfaqësimi në minimum i shqiptarëve në organet përfaqësuese, ekzekutive dhe gjyqësore, qoftë për arsye ekonomike apo politike, po ashtu do të nxisë, nga njëra anë shpërnguljen e nga ana tjetër përqafimin e shtetit malazez me të gjitha atributet e tij nga shqiptarët, që do të ketë ndikim në strukturën e popullsisë dhe zvogëlimin e ndjenjës kombëtare. Edhe ky qëllim u arrit dhe të gjitha së bashku na lënë të mendojmë se shqiptarët gjatë gjithë kohës u konsideruan qytetarë të rendit të dytë. Dhe e gjithë kjo në kundërshtim me rregullat e lojës, të cilat u vendosën nga konstituentët ndërkombëtarë por edhe të brendshëm. Politika malazeze ishte e frymëzuar nga idetë shoviniste të kohës, duke u ushqyer me parimin: “qëllimi e arsyeton veprimin” !. Është kjo “dhurata” e politikës së Malit të Zi ndaj banorëve të saj shqiptarë, por edhe e politikës evropiane. Pra, shqiptarët nuk përfituan nga politika e Malit të Zi, ata pësuan vetëm padrejtësi.
A u shërbeu shqiptarëve politika për motivim politik?
Realizimi i të drejtave kombëtare, ekonomike dhe sociale arrihen nëpërmjet politikës. Ajo është e pranishme në çdo marrëdhënie shoqërore në të cilën shprehen interesat e individit dhe grupeve shoqërore e shndërrohen në marrëdhënie politike në bazë të ndërveprimit të vetëdijshëm, pak a shumë të organizuar të subjekteve politike, sektorit civil etj. Shtrohet pyetja: Sa e shfrytëzuan shqiptarët politikën për arritjen e të drejtave kombëtare dhe ekonomiko-sociale? Në qoftë se objektivat i marrim seriozisht (të partive shqiptare) mund të vërejmë se ka pasur tentativa të shprehjes së pakënaqësisë ndaj strategjisë politike të shtetit, e cila kishte për qëllim në mënyrë cinike dhe të papranueshme ta ndalojë integrimin e shqiptarëve në shoqërinë malazeze si të barabartë më të gjithë të tjerët. Por, mjetet e përdorura nuk kanë dhënë gjithmonë rezultate të duhura, shqiptarët edhe sot e kësaj dite në të gjitha sferat e jetës janë nën nivelin e zhvillimit mesatar në Mal të Zi, ndonëse në tri vitet e fundit ka përmirësime. Politikë do të thotë një proces politik, pra shfaqja, shprehja, konflikti dhe ndërmjetësimi i interesave në shtet, në sistemet demokratike, më shpesh nëpërmjet zgjedhjeve. Të gjithë e mbajmë mend mbrojtjen e propozim ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve nga një deputet shqiptar, duke përdorur frazën “më mirë dy mercedesa se katër golfa”! Për ironi të fatit plot dymbëdhjetë vjet shqiptarët patën herë vetëm një, e herë dy deputetë në vend tre apo katër që kishim më parë! Pra, diskriminimi pozitiv që kërkohej nga shqiptarët funksionoi në dëm të shqiptarëve dhe është sot e kësaj dite i padefinuar. Politika shqiptare (politikanët) nuk arriti të sigurojë përfaqësimin politik dhe punësimin proporcional të shqiptarëve në organet ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore. Vërtetë viteve të fundit punësimi “në thellësi” i ka përmirësuar sadopak statistikat shtetërore dhe “krenarinë” e tyre për arritjet në këtë lëmi. Përkundër këtij përmirësimi, fobia ndaj shqiptarëve nuk po përmirësohet! Këtë më së miri e dëshmojnë hulumtimet e fundit të OJQ-së “Juventas” të cilat vërtetojë se distanca më e madhe etnike në Mal të Zi është si edhe më parë ndaj romëve dhe shqiptarëve. Ky hulumtim ka paraqitur nevojën e promovimit të mësimit të gjuhës shqipe nga qytetarët malazezë dhe etnive tjera në Mal të Zi. Vërtetë edhe në kohën e komunizmit, sidomos në komunat me shumicë shqiptare, ka pasur tentativa të mësimit të gjuhës shqipe, por pa sukses të dukshëm. Sidoqoftë, politikanët shqiptarë duhet të drejtojnë këtë kërkesë drejt qeverisë, qoftë edhe si nevojë për zvogëlimin e distancës etnike dhe integrimin e shqiptarëve në shoqëri. Në aspektin e politikës së veçantë, e cila përfshin jetën shoqërore, ekonomike, shëndetësore, kulturore, arsimore etj., po ashtu politikanët shqiptarë nuk kanë qenë aktivë në arritjen e synimeve dhe realizimin e nevojave të popullsisë me qëllim të krijimit të kushteve më të mira jetësore dhe mirëqenies sociale-ekonomike. Kemi cekur edhe më parë se për trojet shqiptare nuk ekziston një plan i mirëfilltë në nivel shtetëror për nxjerrjen e këtyre trojeve nga prapambeturia e theksuar në të gjitha sferat e jetës. Është kjo mungesë e theksuar e politikës shqiptare?! “Juventas” pasi ka analizuar hulumtimin e saj ka shprehur nevojën e intervenimit në disa segmente jetësore, pasi ka vërejtur distancën sociale të theksuar te shqiptarët. Në këtë aspekt duhet përmendur për të mirë kujdesin dhe angazhimin e politikës vendore në Komunën e Tuzit për investimet në industri dhe infrastrukturë të cilat, përveç të tjerave, do të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes sociale-ekonomike të Malësisë. Kjo është dhe duhet të jetë detyra e politikës dhe politikanëve shqiptarë.
Pjesëmarrja e partive shqiptare në qeveri, domosdoshmëri e kohës
Është ndryshe të merresh me politikë brenda formacioneve politike ndryshe jashtë tyre. Të jesh brenda formacioneve politike, apo pushtetit, do të thotë të krijosh mendime dhe ide për parashtrimin e kërkesave të nevojshme për popullin dhe mënyrën e funksionimit realisht të politikës. Kur ke njohuri për mendimet politike, kuptohen më mirë argumentet që përdoren në politikë. Nga ana tjetër, të mbetesh jashtë politikës, do të thotë të jesh larg ngjarjeve politike dhe mundësisë për ndikimin në politikë. Është e njohur thënia “çka flitej në atë kuvend? Zi e më zi për ata që nuk ishin brenda”! Kjo thënie përfundimisht i mënjanon dilemat se a duhen partitë shqiptare të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme të Malit të Zi?! Partitë shqiptare parlamentare në Mal të Zi, përveç arritjes së objektivave të zgjedhësve të tyre, që janë barazia kombëtare dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i trojeve shqiptare, duhet të kenë synim, përmbushjen e proceseve euroatlantike, të cilat sigurojnë paprekshmërinë e kufijve dhe në veçanti sovranitetin e Kosovës. Ky synim dhe kontribut i partive politike shqiptare mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen në qeveri, pa marrë parasysh konstituentët e saj. Shembull më i mirë i këtij parimi janë partitë politike shqiptare në Maqedoni në krye me BDI-në, të cilat ishin në pushtet më partinë politike VMRO, e njohur si parti nacionaliste dhe me qëndrim antishqiptar. Interesat e përgjithshme duhet të vendosen mbi ato personale, partiake apo individuale.
Më sa cekëm, mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët të përcaktojnë objektivat dhe politikat e tyre, të sjellin vendime politiko-strategjike dhe të fillojnë të përfitojnë nga politika. Ne duhet t’i studiojmë ngjarjet faktike, midis të tjerash, për të marrë vesh për atë që ndodhi e për të mësuar nga ato, për të sqaruar qëndrimet, vendimet dhe veprimet, sepse kur mësohen idetë politike në formën e tyre të drejtë mund të shpresojmë në realizimin dhe valorizimin e vlerave tona kombëtare.
